EPIRI
DHE PËRKATËSIA ETNIKE E EPIROTËVE
Nga Isuf Bajrami
Epiri është toka klasike dhe vatra e një populli tepër
të lashtë. Që në muzgun e kohërave në
gadishullin ballkanik endeshin pellazgët të mbuluar me një
vel misteri. Mitologjia thotë se ata ishin "njerëzit
e parë". Bile helenët, të cilët në mënyrë
të padiskutueshme i konsideronin pellazgët më të
vjetër se veten, për ta përdornin një epitet të
pashlyeshëm "proselinoi"(parahansor), pra më të
vjetër se vet Hëna. Kjo figurë e skajshme është
tepër elokuente për lashtësinë e popullit tonë.
Fijet e misterit pellazg ndërthurren në kohëra, gjersa
në histori përmenden ilirët. Si një popull kryesor,
si një "Hauptvolk"- siç e pat quajtur një
nga themeluesit e ilirologjisë L. G. Thunman, ilirët morën
pjesë në proceset themelore shoqërore e kulturore, në
ngjarjet kryesore politike që përshkruan botën antike
të Mesdheut.
Qytetërimi ilir do të
mbushte shtratin e historisë së ardhme. Kontrasti me Romën
do t'i dallonte ilirët si popull tribunal të lirisë.
Për të nënshtruar trojet ilire Romës iu desh të
harxhonte gati gjysmën e kohës me anë të së
cilës krijoi tërë perandorinë e saj të përbotëshme.
Sulmet shkatërrimtare të keltëve, gotëve, visigotëve
krijuan pshtjellime të mëdha, por ilirët mbetën
sërish në trojet e veta. Ndersa vërshimi shekullor i
sllavëve qe i tmerrshëm përsa i përket forcës
asimiluese. Procesi i romanizimit u kryqëzua me atë të
sllavizmit, por gjuha dhe vet populli autokton i trevave historike rezistoi
dhe e ruajti individualitetin etnik. Perandoria bizantine, Mbretëria
bullgare e serbe qenë mbulesa politike të sipërme, nën
të cilat shqiptarët jetonin, vepronin e i shkyenin. Këto
mbulesa s'mund të konsideroheshin si qefin definitiv që mbështillnin
një popull kufomë. Shqiptarët në raport me ngjarjet
dhe historinë nuk u diverguan e as humbën. Ata konservuan
vetvetën si popull, por nuk u ngurtëzuan si një relike
muzeore, po me anë të dinamizmit të tyre, bënë
Metaforën e Pavdekshme të Rezistencës dhe mbijetesës.
Me emrin EPIR në kohët
e lashta quheshin krahinat në Jug të Ilirisë, që
shtriheshin prej lumit Vjosa e deri te krahinat veriore të Heladës
së vjetë(1). Kufijtë e sipërm nuk duhet ti marrim
si të prerë, pasi që në kohët e ndryshme ata
kanë lëvizur; kështu për shembull në kohën
e sundimit të Pirros ata janë zgjeruar shumë më
përtej territoreve të përmendura. Disa nga gjeografët
e shkrimtarët e kohës së lashtë quanin Epir edhe
krahinat që ndodheshin në bregun e djathtë të Vjosës
dhe i shtynin kufijtë e këtij shteti deri në Skraparin
e Mallakastrën e sotme, duke përfshirë edhe qytetin e
Apollonisë(2). Nga ana tjetër disa fise kufitare ndërmjet
Maqedonisë dhe Epirit quheshin nga shkrimtarët e vjetër
herë epirotë dhe herë maqedonë(3). Të gjitha
mendimet e shfaqura për përkatësinë etnike të
fiseve epirote nga dijetarët e ndryshëm janë mbështetur
kryesisht në të dhënat e shkrimtarëve të vjetër,
veçanërisht te Tukiditi dhe shumë pak në të
dhënat arkeologjike. Mendimet kane qenë sa të ndryshme
aq edhe kontradiktore. Prandaj nuk duhet të na befasoj fakti se
të njejtat të dhëna të përdorura nga disa për
të mohuar origjinën greke të fiseve epirote janë
interpretuar nga të tjerët në një kuptim krejt të
kundërt.
Tukiditi (4) me emrin "Epir"
kuptonte tokat e Lokërve dhe të Akarnanisë, duke përfshirë
kështu pothuajse gjysmën e bregut që shtrihej në
veri të gjirit të Korintit. Helaniku (5) "Apeiros"
quante edhe Azinë e Vogël, ndërsa Tukiditi (6) dhe Isokrati
(7) quanin kështu edhe një pjesë të mirë të
Azisë. Straboni (8) thotë se: "Homeri me fjalën
Epir nënkuptonte vendet përballë ishujve, duke përfshirë
Leukaden". Më vonë banorët e Korkyrës dhe të
ishujve përreth me emrin "Epeiros" quanin tokat përkundrej
ishujve, që shtriheshin gjatë bregut të detit Jon, të
banuar nga fiset kaone e thesprote.
Fjala Epir rrjedh nga fjala e
greqishtes së vjetër Apeiros, që në dialektin dorik
do të thotë "stere", ose "kontinent" (tokë)
(9). Ajo ka pasur kuptime të ndryshme gjatë historisë
së kësaj krahine. Kështu pra emri Epir në fillim
ka pasur kuptim gjeografik e jo etnik. Me emrin "Epir" autorët
e lashtë në fillim e kanë quajtur një territor të
gjerë, i cili më vonë u ngushtua rreth krahinave përballë
Korkyrës dhe ishujve përqark. Më pas, në shek.V
p.e.s. ky emër përfshiu edhe të gjitha fiset e brendshme,
duke u bërë një emër i përbashkët për
krahinat që formonin në këto brigje një tërësi
gjeografike, etnike e politike.
Emri Epir u përvetësua
jo vetëm nga gjeografët, historianët e shkrimtarët
antikë, por edhe nga vetë banorët, të cilët
e përdorën këtë shpesh here edhe në dokumentet
e tyre të shkruara, në mbishkrime e monedha. Pra në gjuhën
shqipe fjala EPIR është sinonim i fjalës SIPËR,
për të treguar banorët që jetonin në anën
tjetër të bregut ku grekët shkonin për tregti ose
që punonin me banorët e kësaj krahine. Emri Epir është
përdorur në kohët e vjetra për të quajtur Toskërinë
dhe Gegërinë ose më saktë Shqipërinë.
Dihet se me emrin Epir në kohën e Perandorisë së
Lindjes u përgjithësua Shqipëria. Toskëria u quajt
Epiri i Vjetër (10) dhe Gegëria u quajt Epiri i Ri (11).
Disa dijetare, duke u nisur nga
elemente të shkëputura kulture që janë përhapur
më vonë në Epir dhe nga gjuha greke e monumenteve epigrafike
të Epirit kanë shprehur mendimin se banorët e kësaj
krahine ishin grek. Ky mendim është në kundërshtim
me dëshmitë e historianëve dhe gjeografëve antikë
dhe me rezultatet e studimeve të sotme gjuhësore dhe arkeologjike
(12). Herodoti thotë se: "në kohën e tij në
Epir ishte akoma i gjallë kujtimi i banorëve të dikurshëm
pellazgë, të cilët kishin ardhur këtu nga Thesalia
kufitare". Kurse Straboni, duke u mbështetur te Efori, Hesiodi
dhe Euripidi thotë se:"vendbanimi i hershëm i pellazgëve
ishte Arkadia dhe që këtej këta shtegtuan në Epir,
ashtu si në Thesali, Kretë, Lesbos dhe Troadë" (13).
Në Epir jane gjetur me shumicë emra personash, fisesh dhe
emra gjeografik me prejardhje ilire. Kështu p.sh.:
- emra personash: Dastidi, Anyla, Tarypi;
- emra fisesh: Kaonët, Tesprotët, Pasaibët;
- emra gjeografik: mali Tamar, mali Asnau, lumi Thyam(14).
Edhe gjetjet arkeologjike, megjithëse
të pakta, pajtohen me traditën e shkruar të lashtë
dhe me të dhëna
gjuhësore. Me përhapjen e kulturës dhe gjuhës greke,
fytyra e Epirit të lashtë ndryshoi deri diku nga pikëpamja
kulturore, por kjo nuk solli ndryshime të rëndësishme
në përbërjen etnike të popullsisë. Teopompi,
thotë Straboni (15), përmend 14 fise epirote, por nga mbishkrimet
ne njohim një numër më të madh. Dijetari anglez
Hamond (16) thotë se:" ...në Epir ka pasur rreth 60 fise,
por vetëm disa nga këto mund të arrijnë një
zhvillim të tillë sa të zënë një vend
në histori". Fiset kryesore të Epirit që përmenden
më shumë për rëndësinë e tyre ishin: Tesprotët,
Kaonët, Molosët, Atamanët, Anfilokët dhe Kasopët
(17). Mendimin që fiset epirote nuk ishin helenë mbështetet
në radhe të parë në faktin se shumë nga shkrimtarët
antikë këto fise i quajnë me emrin e përgjithshëm
"barbarë".
Pikërisht sipas kuptimit
që i dhanë fjalës "barbarë" dijetarët
u ndanë më dysh. Tukiditi bën një dallim të
qartë ndërmjet helenëve dhe fiseve kryesore epirote.
Për t'u theksuar këtu është sidomos libri i II ku
flitet për pjesëmarrësit e veprimeve luftarake të
vitit 429 p.e.s. Në këtë pjesë ai shkruan: "Me
Knemin, prej helenëve ishin Ambrakasit, Anaktorasit, Lukadasit
dhe njëmijë hoplitë të Peloponezit që ai i
kishte marrë me vete kur po vinte. Nga barbarët ishin njëmijë
Kaonë. Bashkë me Kaonët merrnin pjesë në ekspeditë
edhe Tesprotët, Molosët, Atintanët, Pervejt dhe Orestët"
(18). Në këtë pjesë duket qartë se Ambrakionët,
Parauejt dhe Orestët i konsideron barbarë, do me thënë
popuj johelenë. Në një vend tjetër, Tukiditi i quante
barbarë persianët, taulantët, ilirët, trakët
dhe maqedonët (19). Po kështu barbarë i quajnë epirotët
edhe Straboni (20), Skymni (21), Polibi (22), Livi(23), Plini(24), etj.
Tukiditi me fjalën "barbar"
nuk ka pasur për qëllim të tregoj popuj me nivel të
ulët kulturor, në kuptim përçmues, por e ka përdorur
këtë fjalë për të vënë në dukje
ndryshimin gjuhësor ndërmjet epirotëve dhe helenëve.
Këtë na e pohon vetë autori në një vend tjetër
ku flet për qytetin në Anfiloki: "Banorët e këtij
qyteti, greqishten që flasin sot e mësuan nga ambrakasit e
ardhur; anfilokët e të tjerë janë barbarë (25).
Në qoftëse anfilokët do të ishin grekë, nuk
kishte përse autori helen të theksonte se ata e mësuan
greqishten nga ambrakasit, pasi që nuk do të kishin nevojë
të mësonin gjuhën që ishte e tyre. Kjo e detyroi
autorin helen t'i quajë ata barbarë, ashtu si i quante të
gjith popujt e tjerë që nuk ishin grek.
Kundërargumenti se me fjalën
barbarqë ka përdorur Tukiditi ka pasur me të vërtetë
qëllim që të tregojë shkallën e nivelit kulturor
të popujve nuk është bindës. Helenët në
përgjithësi nga mesi i shekullit V p.e.s. nuk e mbanin veten
më superiorë nga popujt e tjerë, si bie fjala persianët
dhe egjyptjanët të cilët ata i quanin barbarë. Mund
të përmendet edhe një e dhënë më e vonë
që pa dyshim është nxjerrë nga burime më të
hershme. Ky është shënimi i Stefan Bizantinit (26), i
cili i quan athamanët ilirë. Për kët tezë që
i njeh epirotët për ilir flet edhe vet shtjellimi i ngjarjeve
politike në Epir. Epiri mbetet për një kohë të
gjatë i përjashtuar nga bashkësia greke dhe në luftërat
kundër persianëve; me përjashtim të ndonjë
kolonije korintase, nuk mori pjesë asnjë fis nga Epiri. Kur
Perikliu ftoi delegatët e Greqisë në konferencën
panhelenike të Athinës, vetëm Ambrakia si koloni e Korintit
u pranua nga qytetshtetet e Epirit (27). Straboni, plaku i vjetër
i gjeografëve dhe i historianëve të Greqisë së
Lashtë thotë se:"...populli i këtyre viseve ka patur
një afërsi nga gjuha, morali dhe zakonet me popullsinë
e Maqedonisë dhe të Ilirisë"(28). Ja edhe një
shembull tjetër që grekërit përdorën për
ta bërë Epirin grek. Duhet të vemi re se turqit kur bënë
regjistrimin e popullsisë e lanë qytetin Delvinë dhe
Grebenë me të njejtin emër, kurse grekërit Delvinën
e quajtën Dhelvinon dhe Grebenën Grevenë. Turqit edhe
Vjenës i thanë Vjenë në trajtën autentike.
Një kontribut të veçante
për sqarimin e problemit të përkatësisë etnike
ilire të fiseve epirote sjellin edhe gërmimet arkeologjike,
që janë bërë në Shqipërinë e Jugut
pikërisht në kodërvarret e Vodhinës, të Bodrishtës
e Kakavisë në Dropullin e Sipërm, në Mashkullorë
të rrethit të Gjirokastrës, në kalanë e Rripësit
të rrethit të Sarandës dhe sidomos gërmimet në
qytetin e lashtë të Jermës në rrethin e Gjirokastrës.
Vend me rëndësi zënë gjetjet në kodërvarret
e Dropullit të Sipërm (29). Duke studjuar mënyrën
e ndërtimit të tumave dhe inventarin e materialeve të
tyre arrijmë në përfundim se ato nuk ndryshojnë
as në format e jashtme e as në përmasat nga materialet
e ngjajshme të krahinave të tjera të Shqipërisë.
Enët rej balte (me dy vegje) të zbuluara në këto
tuma nga format e tyre janë të ngjajshme me ato të Vajzës
(30) dhe të Matit (31).Te këto enë duket se ndërtuesit
e tumave të Dropullit kishin të njëjtën kulturë
materiale me banorët e Vajzës, Matit dhe të krahinave
të tjera ilire. Qysh në fillimin e mijëvjeçarit
të parë p.e.s. në bazë të dhënave më
lart të cekura do të thotë se ka pasur një popullsi
me origjinë ilire.
Një rëndësi të
dorës së parë kan edhe materialet arkeologjike të
zbuluara në vendbanimet e fortifikuara ilire të Kaonisë.
Mesapët e Italisë së Jugut, origjina e tyre ilire tashmë
është pranuar, që u hodhën në brigjet e Italisë
në periudhën midis fundit të mijëvjeçarit
të dytë e fillimit të mijëvjeçarit të
parë p.e.s. sikurse tregon edhe emri i pare nuk janë gjë
tjetër veçse kaonë (32). Me interes janë edhe
rezultatet e gërmimeve të bëra në Butrint, në
Finoç, në Çukën e Ajtojt, në Kalivo të
rrethit të Sarandës dhe gërmimet në Jermë (33).
Këto gjetje dëshmojnë për një veprimtari prodhuese
mjaft të gjerë. Vendin e pare e zënë qeramika, veglat
metalike të punës e materialet e ndërtimit. Më të
rralla janë stolitë, armët e objektet artistike. Të
rëndomta janë kudo tjegullat e shtëpive. Në gërmime
gjithashtu janë gjetur detaje arkitektonike, shtylla, etj. Meriton
të studjohet qeramika e zbuluar në territorin e banuar nga
kaonët. Studimi i kësaj qeramike ndihmon të nxirren përfundime
me vlerë rreth formimit dhe zhvillimit të kulturës ilire
dhe gërshetimit të saj me kulturat fqinje.
Një vështrim të
veçant tani po i bëj qeramikës së zbuluar në
qytetin e Jermës në rrethin e Gjirokastrës. Meqenëse
këtu ajo është gjetur në një sasi më të
madhe, në krahasim me qendrat e tjera dhe nga ana tjetër,
shtresat kulturore këtu janë më të qarta se kudo
tjetër (34). Megjithëse në gërmimet e kryera në
Jermë, koha kur kjo krahinë ka përqafuar një seri
elementesh kulturore nga krahinat fqinje helene, prapëseprapë
edhe në qeramikë, në mënyrën e punimit të
saj, në trajtën e trungut të enëve, në vegjet
dhe në motivet e zbukurimit ruhen të gjitha traditat më
të lashta ilire. Po përmend këtu formën aq shumë
të përsëritur të tasave, të cilët mund
të krahasohen fare mirë me ato që janë zbuluar në
vendbanimet ilire të Gajtanit (35) dhe të Rosunjës (36).
Ilirët e kësaj qendre përdornin vegjet brinake në
disa variante, ashtu si dhe në qendrat e tjera ilire (37) .Këto
vegje i gjejmë të ngritura në mënyrë të
theksuar në lartësi ose shpesh herë edhe me një
ngritje të vogël në formë tëmthi. Në këto
enë gjejmë motive me gërricje, me ngulitje, si zigzake,
rombojke, vija paralele, gropëza, rrathë të vegjël
me shirita në relief, etj. Tiparet e kulturës ilire i shohim
edhe në disa fibula dhe gjilpëra dyshe. Në Finiq e Butrint
janë zbuluar disa fibula të cilat arkeologët i kanë
quajtur heshtorë. Fibula të ngjajshme me këto janë
gjetur edhe në trevat e tjera ilire. Kështuqë formojnë
një variantë karakteristike origjinale ilire, të cilin
e ndeshim vetëm në pjesën perëndimore të Gadishullit
ballkanik (38).
Dua të shqyrtoj një
stoli tjetër, gjilpërat dyshe.Të tilla gjilpëra
janë gjetur në gërmimet e Jermës dhe në ato
të Ripësit. Njëra prej tyre, ajo që është
gjetur në qytetin e Jermës është e larë në
ari. Gjilpëra të ngjajshme me këto janë zbuluar
në kodërvarret e Matit, në qytezën e Gajtanit, në
nekropolet e Durrësit e të Apolonisë. Të gjitha
variantet janë karakteristike për periudhën e parë
të hekurit (39). Ato vazhdonin të prodhoheshin në Iliri
edhe në periudhën e dytë të epokës së
hekurit dhe janë konsideruar nga studjuesit si prodhim zejtar vendës
(40). Fakti që gjilpërën dyshe e gjejmë të
vulosur në një peshore të qytetit të Jermës
tregon se kjo stoli ka qenë shumë e përdorur tek ilirët.
Një fushe tjetër që
na ndihmon për një gjykim më të drejtë për
problemin e përkatësis etnike të epirotëve është
edhe onomastika. Këtë çështje e ka trajtuar arkeologu
shqiptar H. Ceka (41). Përmes faktesh të shumta ai arrin në
përfundim se epirotët ishin të një etnosi me ilirët
(42). Në mbishkrimet e zbuluara në Dodonë (43), Nilsoni
thotë se dalin rreth 50 emra me origjinë ilire (44). Kurse
në mbishkrimet e zbuluara në teatrin e Butrintit janë
rreth 40 emra ilirë (45). Si pershembul, Admet (4 herë), Amynta
(2 herë), Annia, Apoita, Artemo, Artemoni (2 herë), Falakrion
(4 herë), Nona, Genth dhe Falark (6 herë) (46). Këtu
po analizoj disa nga këta emra që i ndeshim si në Epir
ashtu edhe në Iliri. Emri Admet, që e kemi ndeshur 4 herë
në mbishkrimet e Butrintit më kujton emrin ilir Adamat, që
e lexoj mbi monedhat e Shkodrës (47). Monedha të prera aty
kah mesi i shek.II p.e.s. (48), si dhe në një gurë varri
të zbuluar në Durrës (49).Të njëjtin emër
njeriu e ndeshim edhe në krahinat lindore të Epirit, në
Tesali e në Maqedoni dhe është lexuar në drahmat
e Dyrrahut e mbi monumente sepulkrale të Apolonisë (50). Emri
Annia në trojet shqiptare gjendet në disa variante si Annai,
Annaius (si emër burri në Dyrrah), Anna në mbishkrimet
e Dodonës dhe Anna në Dalmati. Si H. Krahe (51) ashtu edhe
zbuluesit e tjerë të këtyre mbishkrimeve këtë
emër e quajnë ilir.
Një emër tjetër
shumë i përhapur në Iliri është edhe emri Genth
i zbuluar në mbishkrimet e teatrit të Butrintit. Ky më
kujton emrin e mbretit ilir të Adrianëve, Genth, të cilin
e gjejmë në monedhën që e ka prerë ai vet (52).
Këtë emër e gjejmë edhe në gurët e varreve
dhe në monedhat e Dyrrahit (53). Dy emra të tjerë si
Falakr dhe Falakrion, që kemi ndeshur 10 herë në mbishkrimet
e Butrintit, H. Krahe (54), i përfshinte gjithashtu pa rezerva
në emra ilirë. Një grumbull emrash ilirë kemi edhe
tek burimet antike. Nga emrat që na kumton Tukiditi lidhur me prijësin
e kaonëve, të tesprotëve, atiutanëve e parauejve,
katër janë ilirë (55). Po të jetë e saktë
se fiset epirote kishin origjinë helene (greke), atëherë
pse krerët e mbretërit e tyre të mbanin emra ilirë?!?!
Nuk kanë të bëjnë aspak me gjuhën e vjetër
greke as emrat e krahinave epirote Adania (sipas Hesyhit kështu
quhej dikur Mollosia), Atamania, Anfilokia, Prosaibia, Tesprotia, banorët
e së cilës sipas dëshmisë së Stefan Bizantinit
(56), qenë thirrur edhe Aigestë.
Të njejtin karakter kanë
edhe emrat e lumenjve Aou, Aheron, Ahelou dhe Thyamis, prej të
cilit e ka marrur sot emrin Çamëria (57) dhe emrat e maleve
Tomar, Asnau, Aeropus, etj. Dihet se ashtu si të gjithë popujt
e tjerë jogrekë të Ballkanit edhe ilirët kanë
përdorur në mbishkrimet e monedhat e tyre gjithnjë shkronja
të gjuhës greke e latine. Në qoftëse sot mbi gjithë
truallin e ilirëve ndeshim vetëm mbishkrime greke e latine,
kjo nuk don të thotë se ilirët u helenizuan dhe më
vonë u romanizuan. Nëqoftëse epirotët do të
ishin grekë si do të kishte arsye që shkrimtari Helen
Straboni (58) të trajtojë një pjesë të epirotëve
si bilingë, si popuj që flisnin dy gjuhë. Pa dyshim,
Straboni ka pasur parasysh që një nga këto gjuhë
që përdornin epirotët ka qenë ilirishtja dhe gjuha
tjetër ka qenë greqishtja, të cilën e përdornin
në mbishkrime. Këta banorë, pra epirotët, nuk kanë
pasur asnjë lidhje me grekët dhe prandaj prej grekërve
janë quajtur barbarë e bilingë, pra jogrek. Të gjitha
këto tregojnë se popullsia që më parë është
quajtur epirote ka qenë ilire.
Gjeografi danez Malte Brun, autor
i njërës nga veprat gjeografike më me autoritet të
shek.XIX që përfundoi së botuari pas vdekjes së
tij, në analizën e vet mbi gjeografinë e Strabonit thotë:
"Etolia dhe Akarnania konsideroheshin nga grekërit gjysëm
barbarë". Përsa i përket Epirit të gjithë
autorët grekë të lashtësisë e përjashtojnë
nga Greqia. Ai është përshkruar nga Straboni me Ilirinë
dhe Maqedoninë. Fiset kryesore të tij ishin Kaonia, Thesprotia,
Molosia. Straboni dhe Plutarku pohojnë se epirotët flasin
një gjuhë të veçantë dhe kjo gjuhë është
e njëjtë me atë maqedonase.Me sa duket gjuha shqipe rrjedh
prej saj (59). Edhe Pukëvili kur flet për Akarnaninë
dhe Etolinë thekson se:"...këto vende (në kohën
e tij) quheshin Shqipëri dhe banorët e saj quheshin shqiptar"
(60). Ch. Brouchneri gjeograf i mbretit të Anglisë shkruan:"Shqipëria
është një provincë e Turqisë Evropiane që
kufizohet në veri me Bosnjën dhe Dalmacinë, në jug
me Livadhianë, në lindje me Thesalinë dhe Maqedoninë"
(61). Historiani Teodor Momsen në veprën e tij monumentale
"Historia e Romës së Lashtë" i quan "...trimat
epirotë, shqiptarë të lashtësisë" (62).
Lajbnici, filozofi më i madh
i kohës së tij, eshte mbiquajtur Aristoteli i kohëve
moderne, falë interesave të gjithanshme dhe kontributeve të
mëdha që dha në fushat më të ndryshme të
dijes. Por ne shqiptarët te Lajbnici shohim, ashtu si tek albanologu
Erik Hemp "...një dijetar të hershëm, të vërtetë,
të gjuhësisë shqipe" (63), udhërrëfyesin
e studimeve në fushën e gjuhës sonë, që ndonëse
punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasuese,
me një intuitë të jashtëzakonshme arriti i pari
në një teori ilire të prejardhjes së gjuhës
shqipe. Kontributi i Lajbnicit në këtë fushë përfshihet
në tri letra që ai i ka dërguar bibliotecistit mbretëror
të Berlinit, tanimë të njohur në botën shkencore
si:" Letrat shqiptare të Lajbnicit" (64). Në letrën
e parë të datës 24 janar të vitit 1705 ai shprehte
mendimin se: "...gjuha e ilirëve të lashtë mund
të ekzistonte diku në Epir" (65). Për epirotët
dhe gjuhën e tyre me origjinë ilire si Lajbnici shprehen edhe
J. G. F. Herder (66) dhe J .E. Tunman, i cili thotë: "Edhe
në Epir banonin vetëm popuj jogrekë, të cilët
flisnin maqedonisht, që është e njëjtë me gjuhën
ilire" (67).
Por mendim të tillë
kishin edhe F. Bop (68), J. R. F. Ksilander (69), J. G. F. Han (70)
, J. F. Falmerajer (71), T. Mommsen (72), P. Kreçmer (73) që
thotë:"Për tërë grupin veriorë të
këtyre fiseve, që nga kufijtë e krahinës së
Epirit, qysh herët të paktën që nga koha e Herodotit
(74) është përdorur emri i përbashkët Ilirët,
ose siç quheshin në kohët më të lashta Hilirët"
(75). Ky emër vjen mbase nga jugu, nga Illyrii proprie dicti (Plin.III-144.Male
II-3) dhe u përhap më vonë nga grekërit në
të gjitha fiset e ngjajshme me ta që njohën gjatë
përparimit të tyre drejt veriut (76). Ndërsa Hansjërg
Frëmmer (77) në librin e tij "Ilirët", që
ai e botoi në vitin 1988, thotë: "Ndarja më tresh
e Ilirisë ashtu si u bë pas fitores së romakëve
mbi mbretin Gent u pasqyrua dhe në ndarjen e provincave: të
Dioklecian Konstantinit, Hinterlandi i Durrësit dhe Apolonisë
që i përkiste për një kohë më të
gjatë Romës; dhe Epirus nova (Epiri i Ri) qe ishte pjesë
e dioqezës së Maqedonisë. Kurse territori tjetër
i sundimit të mbretit Gent, rreth Shkodrës, e quajtur provinca
Prevalitana, bënte pjesë në dioqezën e Dakisë.
Të dyja këto pjesë të territorit të lashtë
ilir në kohën e Augustit bënin pjesë në provincat
e senatit dhe pasi u nda perandoria u përfshinë në pjesën
greke" (78).
Grekërit në historinë
e tyre marrin për bazë tregimin mitologjik të kohës
së Deukalionit (79) dhe të Pirros (80). jo legjendë fillimin
e saj e ka së pari në Babiloninë e vjetër, si dhe
në gjithë vendet e Lindjes së afërme. Në Përmbytjen
e Botës Deukalioni dhe Pirroja shpëtuan me anë të
një barke; më vonë ata kur dalin në tokë hedhin
gurë. Ata që i hedhte Deukalioni bëheshin burra, ndërsa
gurët që hidhte Pirroja shndërroheshin në gra. Sipas
historianëve grekë prej këtyre gurëve rrjedhin grekët
e sotëm. Kjo ngjarje ka ndodhur në Epir, prandaj sipas tyre
Epiri u përket grekëve?!?!. Jo vetëm kaq por edhe vendet
e Epirit, Korça, Gjirokastra e deri në lumin Shkumbin. Pseudohistorianët
grekë thjesht për të përligjur pushtimet e Shqipërisë
së Jugut prej kohësh e kane ngritur këtë problem
në forma të ndryshme. Ja njëra nga ato: - Themeluesi
i parë i qytetit të Argjirokastrës është i
biri i Filkosit nga mbretërit e Greqisë. Trashëgimtaria
e fundit e kësaj dinastie është princesha Argjiro Monoviza
(Argjirua me një Gji), e cila gjatë vitit 1419 për të
mos iu dorëzua pushtuesve osmanë u hodh nga kështjella.
Qysh atëherë kjo qytezë - kështjellë mori emrin
e kësaj princeshe dhe u quajt Argjirokastra.
Në fakt kjo "histori"
është vetëm një përrallë (legjendë),
sepse nuk ka asnjë dokument që të kete ekzistuar njëfare
princeshe me këtë emër. Por prej vet faktit që princesha
Argjiro u hodh nga kalaja tregon se kalaja ka ekzistuar!!!! Atëherë
çfar emër kishte kjo kështjellë? Në studimet
historike, në relacione e kronika ngjarjesh, historianë dhe
personalitete të ndryshme politikë e shoqëror të
huaj kanë dhënë gjate shekujve mendime, kanë cituar
fakte e të dhëna që kanë të bëjnë
me emërtimin e hershëm të qytezë - kështjellës
së Gjirokastrës si dhe të jetës në këtë
vend. Një mbështetje të pakundërshtueshme e gjejmë
tek Emile Isambert (81), ku vihet në dukje se Gaultier de Cleubry
(ish anëtar i shkollës së Athinës) duke u mbështetur
tek historiani i dëgjuar romak Tit Livi në vitin 169 p.e.s.,
thekson: "Gjirokastrën e gjejmë me emrin Parrhicastra",
që don të thotë "Kështjella e Pirros".
Grekët e quanin "Pirru - haraks". Që në shqip
don të thote vija mbrojtëse e Pirros.
Ndërsa Antigonea,qytet antik
që ndodhet përballë Gjirokastrës është
themeluar nga Pirrua, të cilit u vuri emrin e gruas së tij
Antigonea. Ajo ishte njëra prej vajzave të Berenikës.
Këtë e kishte me Filipin, para se të martohej me Ptolemeun
(82). Pirrua ka qenë një mbret shumë i pasur. Sipas historianëve
antikë Ambrakia (Arta e sotme), ka qenë kryeqyteti i Pirros.
Ajo ishte e stolisur me 1015 shtatore (monumente). Plini ne Shek. I,
tregon se statujat e famshme të nëntë muzeve i grabitën
romakët në Ambraki në kryeqytetin e Pirro Mollosit (83).
Ajo veç statujave të shumta të saj, qe e pajisur edhe
me dy teatro ishte nga qytetet më të bukur të asaj kohe,
por të gjitha këto u grabitën nga gjeneralët romakë
gjatë vitit 186 para erës sonë. Pirrua i Epirit ishte
i fisit ilirian Mollos (84), pra paraardhës i shqiptarëve.
Plutarku në veprën e tij Jeta e Mbretit Mollos Pirro, i cili
gjithashtu dy herë për disa vjet mbajti edhe titullin e mbretit
të Maqedonisë, njofton se ai në një betejë
kundër Demetrios Poliorketës në vitin 287 p.e.s. mbante
një helmetë me një tufë pendlash (Federbusch) e
me dy brirë cjapi dhe maqedonasit menjëherë kaluan në
anën e tij meqë e njohën si mbretin e tyre të drejtpërdrejt
e të vërtetë.
Në monedhat e Tarentit që
u prenë nga ky qytet për Pirron gjatë fushatës së
tij kundër Romës në vitet 280-275 p.e.s. dalin si shenja
të mbretit Ajakid një majë shtize, vetëtima e Zeusit
të Dodonës dhe helmeta me brirë. Një helmetë
e tillë është simbol monedhash edhe i uzurpatorit Trifon,
që në vitin 142-139 p.e.s. në Siri duke kujtuar prejardhjen
e tij mbretërore maqedone u ngrit kundër selekuidëve.
Mund të sillen edhe shembuj të tjerë për karakterin
mbretëror të kësaj helmete me brirë, por këtu
nuk është nevoja. Shekuj më vonë atë e mbajti
Skënderbeu, sepse nga njëra anë ai si Aleksandër
Bej donte të lidhej me traditën e maqedonasit të madh,
që ende sot në Lindje quhet "Dhul-Quarnein" (Dybrirësh)
(85), e nga ana tjetër se ai e ndiente veten si epirot dhe pasardhës
i Pirros. "Në qoftë se kronikat nuk gënjejnë,
ne quhemi epirotë,...paraardhësit tanë kanë bërë
beteja të mëdha me romakët dhe gjejmë se ata, ut
plurium, më shumë lavdi se sa turp kanë sjellë prej
tyre...", shkruante Skënderbeu në vitin 1460 në
një letër që i dërgonte princit Ursini në Itali.
Po për këtë biografi
i tij Marin Barleti, me prejardhje nga Shkodra, në titullin e veprës
së tij që doli në vitin 1508-1510 e quajti "Epirotarum
princeps"(princ i epirotëve) dhe e bënë emrin e
Skënderbeut të prejardhur nga Aleksandri i Madh, ndërkohë
që botimi i përkthyer gjermanisht nga Johannes Pinicianus
është titulluar "Princ i Epirotëve dhe i Shqipërisë"
(Herzog zu Epiro und Albanien), duke e lidhur në këtë
mënyrë të kaluarën e lashtë me të sotmen.
Kështu shprehet në punimet e tij studjuesi i mirënjohur
gjerman P. R. Franke (86). Për periudhën e antikitetit të
kësaj qyteze-kështjellë hedhin dritë të mjaftueshme
edhe gërmimet arkeologjike që u kryen në kalanë
e Gjirokastrës në verën e vitit 1983. Gërmimet në
teritorin e brendshëm të kalasë ishin të frytshme,
sepse u përfitua një lëndë arkeologjike që
i takon shekujve IV ose III p.e.s.. Kjo ripohon plotësisht emërtimin
e hershëm të kësaj qyteze-kështjellë me emrin
Pirrokastra, sepse pikërisht gjatë kësaj kohe ka jetuar
mbreti Pirro.
Si pasojë, kjo kohë
e vonë e antikitetit shpjegon edhe faktin që në këtë
kështjellë nuk gjen ndërtime muresh prej gurësh
ciklopike ose pellazgjike. Ky qytet nuk ka patur nevojë për
gurë të tillë, përderisa në periferinë
e tij gjenden me sasi të mëdha shtresash gurë radhorë
të rezistueshëm, të sheshtë me dimensione të
ndryshme trashësie, që rrallë gjenden në viset e
tjera të Shqipërisë. Emile Isambert, duke u mbështetur
tek historiani i vjetër romak Tit Livi në veprën e tij
i kundërvihet dy herë anglezit Leek. i cili del me hamendje
se:" Gjirokastra është Argia e dikurshme"(87). Sepse
në fakt Argia ndodhet afër Ballshit. Aty rrjedh edhe një
lum i vogël, i cili quhet Lumi i Argias e që derdhet në
Vjosë.Të njëjtin qëndrim si Emil Isambert mban edhe
Dr. Milan Shufflaj (88) në veprën e tij "Serbët
dhe Shqiptarët". Ai flet për gjurmët e familjes
së dëgjuar të Arianitasve. "Përmes mjaft dokumenteve
del se kjo familje ka qëndruar në afërsi të fshatit
të sotëm Aranitas, ku kalon edhe një lum i vogël
i quajtur Argias" (89). Kjo gjendet edhe në greqisht e shkruar.
Te vepra e Emile Isambert pohohet edhe një herë se Gjirokastra
është Pirrokastra e dikurshme, siç e shkruanin më
vonë grekët. Në mesjetë Pyrrho-Castra e humb rëndësinë
e saj. Historia e saj përzihet me pjesën tjetër të
Epirit.
Emërtimi i ri Gjirokastër
u ndie nga fundi i shek. XIV. Dihet historikisht që pas vitit 1375
në këtë qendër banimi shtrihej principata e Gjin
Bue Shpatës. Pas vitit 1385 sundimtari i saj ishte Gjin Zenebishi.
Duke u nisur nga tradita e njohur e pagëzimit të qytezave-kështjellë
me emrat e sundimtarëve të dëgjuar, për nder të
udhëheqësve të lartpërmendur kjo qytezë-kështjellë
u quajt me emrin Gjinokastër. U quajt kështu sepse të
dy prijsat e saj mbanin emrin e pastër shqiptar Gjin. Me fjalë
të tjera u quajt Qyteza-kështjellë e Gjinit (90). Me
kalimin e kohës Gjinokastra u kthye në Gjiro-Kastra si rrjedhim
i veprimit të dukurisë gjuhësore të rotacizmit që
tingulli ( n ) shndërrohet në (r). Vë në dukje emërtimin
e hershëm grek Argjiro-Kastra të huajtë që duan
t'u japin nga një kuptim emrave të qyteteve Gjirokastrën
e quajtën Chateau d'Argent (Kështjellë e Argjentë)
duke u nisur nga pamja që japin gurët e bardhë radhorë
me të cilët është ndërtuar ky qytet. Aty jo
vetëm muret por edhe kulmet janë mbuluar me rrasa guri të
holla dhe të bardha që ndrijnë natën si argjent
nga hëna dhe ditën nga dielli. Me emrin Argjirokastra këtë
qytet e quajnë vetëm të huajt (91).
Sikurse që u pa më lartë
për të ashtuquajturën Princesha Argjiro-Monoviza nuk
ekziston ne asnjë dokument. Është vetëm një
legjendë. Ndërsa për Gjin Bue Shpatën dhe Gjin Zenebishin
ka dokumente të mjaftueshme. Dinastia e Argjirës është
vetëm manovër greke për të mbuluar pikësynimet
e tyre grabitqare kundër kësaj krahine të stërlashtë
shqiptare.
Edison L. Clark (92) në veprën
e tij flet qartë për origjinën,gjuhën,shtrirjen
e shqiptarëve.Ai thotë: "Shqiptarët, arnautët
siç i quajnë ata turqit, ose shqiptarët banorët
e shkëmbinjëve, siç e quajnë ata veten banojnë
në teritorin që përfshinë Epirin e Vjetër dhe
vendin e ilirëve në Maqedoninë Perëndimore duke
u shtrirë nga Mali i Zi deri në gjrin e Artës (Ambrakisë)së
Jugut" (93). Ai vazhdon: "Epirotët e vjetër dallohen
nga helenët ashtu si shqiptarët nga grekët e sotëm.
Epirotët dhe Ilirët ishin fise fqinje, por të një
gjaku që flisnin dialekte të ndryshme të së njëjtës
gjuhë" (94). Edison e qartëson dhe e bën të
ditur se Shqipëria shtrihej nga Tivari i sotëm e deri në
Prevezë (95). Si shpjegohet që përfaqësuesit grekë
në Kongresin e Berlinit nuk kërkuan të gjithë Epirin
por këmbëngulën vetëm për Janinën dhe
zonat përreth?! Në një kohë që Greqia i kishte
40 vite që kishte themeluar shtetin e saj edhe me gjakun e djemëve
më të mirë të Shqipërisë. Si ka mundësi
që diplomacia greke t'i linte jashtë shtetit Grek tokat që
kishte lindur mitologjinë nga ku shpjegoheshin perënditë.
Si mbetën të kënaqur e të ngopur njëkohësisht
me aq pak tokë kur dihej pretendimi dhe oreksi i shovinizmit grek?!
Këto e kanë shpjegimin e vet!
Mendja e errët e shovinizmit
grek kishte kohë që po projektonte skëterrën për
fatin e epirotëve. Nuk kishte se si t'i kërkonin qarqet shoviniste
greke Abdyl Frashërit vetëm truallin e Epirit, por për
të kapërcyer këtë pengesë të pakapërcyeshme,
ata bëjnë një propozim jonormal: atë të bashkimit
të gjithë Shqipërisë me mbretërinë greke.
Ky propozim ishte i paramenduar me qëllim të caktuar. Përpara
qarqeve politike shqiptare viheshin dy alternative, ose të pranohet
propozimi i palës greke ose në të kundërtën
të mos krijohej aleanca që ishte aq e nevojshme për shqiptarët
në atë vorbull kontraditash. Jo rastësisht Harillas Trikupi,
ministër i jashtëm i Greqisë dhe përfaqësues
i tërbuar i qarqeve shoviniste greke, shfaqet nën maskën
e aleatit të popullit shqiptar për luftë kundër
Turqisë. Ai në muajin korrik 1877 e dërgoi fshehurazi
në Janinë misionarin e tij Mavromatin për të hyrë
në marrëveshje me përfaqësuesin shqiptar Abdyl Frashërin
për bashkimin e Shqipërisë me mbretërinë greke
dhe për heqjen dorë të shqiptarëve nga Epiri.
Sipas dy raporteve sekrete, njëri
i datës 15 dhe tjetri i datës 19 korrik 1877 të shpallur
në Athinë në revistën vjetore "Neos Kuvaras"
të vitit 1962, Mavromati i raporton Harillas Trikupit: "Marrëveshjet
tona me përfaqësuesin e shqiptarëve janë ndërprerë
meqenëse Abdyl Frashëri ngul këmbë për sovranitetin
shqiptar dhe nuk pranon që Epiri t'i jepet mbretërisë
greke pasi është tokë autoktone shqiptare"(96).
Më poshtë misionari Mavromatis në vazhdim të raportit
të dytë shton: "Është e nevojshme të zgjerohen
edhe veprimet e llojit tjetër; të zbarkojmë një
repart ushtarak në Himarë në qoftëse negociatat
tona do të dështojnë. Dalja e ushtrisë sonë
në Himarë do të shkaktojë në Epir konfuzion
dhe tronditje. Duke bërë që batalionet e rregullta të
ushtrisë turke të përbëra krejt prej shqiptarëve
që ndodhen në Epir do të dezertojnë për të
kaluar drejt veriut (në drejtim të Himarës) për
të mbrojtur vatrat e tyre dhe duke i shpërndarë shqiptarët
në drejtim të veriut Epiri do të mbetet i lirë,
pa shqiptarë të armatosur dhe si pasojë ne atëherë
do t'i kemi duart e lira për të vepruar aty dhe do tua heqim
frikën që kanë njerëzit tanë në Epir"(97).
Në këtë raport misionari Mavromatis i shfaq keqardhje
Harillas Trikupit që të krishterët e Epirit nuk pranuan
kërkesën greke për të luftuar kundër atdheut
të tyre dhe të bëhen vegël e shovinizmit grek.
Që të siguronin përkrahjen
e diplomacisë së Fuqive të Mëdha ndaj kërkesave
të tyre, ata filluan një fushatë të shfrenuar në
shtypin Evropian. Dhunuesit e Epirit në mjaft gazeta evropiane
kishin botuar artikujt e tyre si L'Epire et la questiongrecque, Memoire
sur l'Epire en general et particuelierement sur l'eparchie de Janina
par unë Epirote,...!! Në këto rrethana përfaqësuesi
i popullit shqiptar Abdyl Frashëri i drejton redaksisë së
gazetës "Moniteur Universale" të Parisit artikullin
e meposhtem i cili u botua në këtë gazetë në
maj të vitit 1879.
"Zoti redaktor. Artikullit
të botuar në gazetën "Republika Franceze" nuk
i dhamë asnjë përgjigjje, sepse një sjellje të
tillë fare pak e pritnim prej një gazete që simpatizon
luftën e kombësive. Franca qan gjithmonë humbjen e krahinave
të saj. Banorët e Alsasës dhe të Lorenës rënkojnë
kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse
një gazetë franceze i quan qesharak shqiptarët të
cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqësie
të tillë. Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për
të, por historinë e atdheut tonë e kemi studiuar dhe
e dimë më mirë se kushdo tjetër. Banorët e
Epirit i quajnë Pellazgë. Herodoti, Tukiditi dhe Straboni
dalin me përfundime se ky vend nuk ka pjesë të Greqisë.
Sipas Strabonit, Greqia nga Veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe
gjirit të Ambrakisë. Pasi gjeografia e lashtë greke nuk
u vjen në ndihmë grekërve të sotëm, po pyesim
ata që kanë mendime të kundërta: se cila pjesë
e Epirit është greke? Ai që pranon argumentet e sillogëve
grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket
vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thrakia, Rumania, Azia
e Vogël, etj. Sipas vendeve të Greqisë së Madhe
edhe Marseja e juaj i takon asaj!!!
Epiri ka 650 mijë banorë.
Sa janë vallë grekë që ndodhen në të dhe
ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër?
Apo në Çamëri? Ai që kalon nëpër këto
vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë
grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë
për të ngijtur lakmitë e sillogëve grekë dhe
lëvizjet artificiale të tyre!!! Sjellja e tanishme e Greqisë
dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë.
Por kjo (Rusia) i përkrah pretendimet e saj me anë të
forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë.
Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen, në
fakt janë vetëm miq të zhurmës, Evropa nuk do të
kishte kurrë qetësi. Parimi i ngjashmërisë në
gjuhë do ta shpinte Greqinë shumë larg, dhe në radhë
të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë
nga grekët 200 mijë shqiptarët që banojnë në
një lagje të veçuar të Athinës të quajtur
PLAKË dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe
do të mbetet gjithmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra
dhe historia. Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogët
shuma të majme, të cilat mund të përdoren në
mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet të
zgjasi një ngatërresë e cila s'ka për të mashtruar
asnjë evropian.
Po të ngulë këmbë
greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të
cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës
së kombeve, shqiptarët kanë vullnet të pa tundur
që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe jane
betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë
toke dhe të vdesin për të po të jetë nevoja.
Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkatdhetarëve
tanë. Evropa nuk do të marrë përgjegjësinë
e luftërave shkatërrimtare që do të inaugurohen
për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia"(97).
Mbas krizës lindore e deri në Luftën Ballkanike, qarqet
shoviniste greke e përqëndruan gjithë vëmendjen
e tyre në popullimin e shpejtë të trevave jugore të
Epirit dhe kryesisht në drejtim të qytetit. Të ndryshëm
nga sllavët serbo-malazez që si edukatë speciale për
të coptuar trojet shqiptare kishin zhdukjen fizike dhe dëbimin
e dhunshëm të popullsisë autoktone, ekspertët e
problemit Epirot u treguan më të "sjellshëm"
në këtë fazë të parë. Për ata gjthçka
duhej të realizohej brenda gjendjes normale të jetës
dhe komunikimit të vazhdueshëm reciprok. Pra gjithçka
duhej të zgjidhej pa dhunë, pa programe spastrimesh masive,
asgjësimi fizik, dëbimi kolektiv nga toka, porse me një
popullim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë,
me një menjanim të qetë ku befasia të lozte rolin
primar në reagimin e menjëhershëm të popullsisë
shqiptare. Zëvendësimi i popullsisë autoktone shqiptare
duhej të shihej jo vetëm nga Evropa, por në radhë
të pare nga popullsia e "pakulturuar" e Epirit si një
fat i "madh" për të hyrë në rrjedhën
e qytetërimit. Në kuadrin e "miqësisë"
së lashtë shqiptarët nuk kishin pse t'i shikonin "vëllezërit
e tyre të sinqertë" me frikë e dyshim.
Nga ana tjetër finokët
grekë nuk do t'u linin raste shqiptarëve të dyshonin
në "dashurinë"dhe "sinqeritetin"e tyre,
se zbatonin pikë për pikë strategjinë e tyre të
hollë duke populluar fillimisht qytetet e pastaj zonat përreth.
Në fillim ua kërkonte detyra të qëndronin si punues
të tokës dhe më vonë të pretendonin si zotërues
të patjetërsueshëm të saj. E rëndësishme
ishte për ta që të kapnin pikat kyçe në administratën
shtetërore dhe të nesërmen kuptohej edhe nga qarqet politike
greke që sundimi osman nuk do të zgjaste shumë edhe në
Shqipëri.
Shtrirja dhe zgjerimi i mëtejshëm
i institucioneve fetare fanariote do t'i shërbente atyre për
të bërë presion të gjithanshëm mbi popullsinë
ortodokse të Epirit, për ta futur brenda strukturës shpirtërore
të ortodoksizmit grek më lehtë. Ata do të shfrytëzonin
me një mjeshtëri të rrallë lidhjet tregtare midis
dy trevave për ta bërë sa më të pranishme popullsinë
greke në jetën e përditshme shqiptare. Të favorizuar
nga formimi i shtetit të tyre dhe të vlerësuar nga Evropa
e asaj kohe, ata do të përdornin të gjitha mjetet e propagandës
për t'u fryrë burive pa rreshtur në dyertë e qarqeve
evropiane mbi fatkeqësinë e Epirit që kishte ngelur brenda
strukturës së kalbur otomane. Të palodhur për të
zbatuar deri në një programin e tyre shovinist, qarqet vorio-epirote,
tashmë të lidhura edhe me ideatorët e "naçertanës"e
të përkrahur nga mëma e tyre e përgjumur Rusia,
prisnin edhe njëherë rastin e volitshëm për ta fshirë
nga faqja e dheut Shqipërinë. Skemat ishin përgaditur
me kohë. Rusia kërkonte shembjen e perandorisë së
sëmurë osmane. Nga kjo shpërbërje Greqia dhe Serbia
kishin pretendime të takoheshin në Shkumbin. Prandaj edhe
në ato kohë kaq të turbullta për Shqipërinë,
ditë-lindja dhe ditë-vdekja e saj ishin kaq pranë. Asnjëra
palë nga fuqitë ballkanike nuk e pranonin Shqipërinë
si aleate të barabartë për të fituar gjënë
më të shtrenjtë që kërkonë një popull
lirinë dhe pavarësinë e tij.
Greqia edhe këtë radhë
jo vetëm që nuk do të pranonte aleancë me shqiptarët,
por edhe do të bëhej më
vonë një ndër bllokuesit kontinental për Qeverinë
e sapoformuar të Vlorës. Askush nuk e vë në dyshim
rolin famëkeq të Konferencës së Londrës më
1913-të ndaj pasojave tragjike që i solli Shqipërisë.
Por a do të coptohej në tri pjesë Shqipëria në
qoftëse Greqia, qarqet politike të saj nuk do të ngrinin
pretendimin e tyre teritorial ndaj trevës së Çamërisë?!
Në këtë kohë, kur Shqipëria kishte fituar përfundimisht
mëvetësinë e saj, shovinizmi grek, si gjithmonë
i "urtë" dhe "dashamirës"ndaj popullit
Shqiptar dhe në bazë të po atij skenari me shumë
pretendime, bëri hapin e saj gllabërues dhe tradhëtinë
ndaj kombit shqiptar. Në këtë radhë pasojat e politikës
"fine"greke ishin katastrofale. Gati gjysma e Epirit, treva
e Çamërisë iu shkëput në mënyrë
më absurde Shqipërisë dhe iu dha Greqisë. Si mund
të kenë Qeveritë e Shtetit Shqiptar iluzione ndaj politikës
zyrtare greke në lidhje me Shqipërinë dhe trojet Shqiptare
kur edhe sot në Shqipëri dhe Greqi funksionon e madje është
rritur në përmasa të pazakonta në luftën antishqiptare
Komiteti shovinist i Vorio-Epirit?!
___________________
1. Straboni.VII,5;Plin,N.H.IV,1:App.Illyr 1.
2. Etol. III,13,44; Strab.VII,325,327 dhe H.Ceka, Perputhje onomastike
iliro-epirote,në "Studime Historike"nr.2,1965,fq.85
3. H. Ceka, art.i cituar,fq.84
4. Tukid.I,5,1.
5. Shih te Steph.Byz.De Vrbibus et populis
6. Tukid. I,16.
7. Isokrati Harpokration dhe Suida
8. Strab.1,10
9. H.P.Sh.fq.46,F.E.Sh.fq.241,F.Gj.S.Sh.fq.431
10. F.E.Sh.fq.242
11. Po aty,fq.241-242
12. H.P.Sh.fq.46
13. Po aty,fq.43
14. Po aty,fq.43
15. Strab.VII,5
16. N.G.L.Hammond:fq.290 dhe E.Leppore;vep e cit.Tukidit.
17. Te Nilsson,po aty.
18. Tukid.I,14,3;18,2;I,24IV,126,II,96,97
19. Po aty.
20. Strab.VII,321
21. Scymn. Europa 450
22. Polyb, XVIII,58
23. Liv. XXII,34
24. Plin. III,45
25. Tukid. po aty.
26. Steph. Byz.; De urbibus et populis,shiko emrin Athamania.
27. N. Nilson,vep.e cituar fq.137,D.Mustilli,art.i cituar fq.137
28. Strab.VII,321
29. F. Prendi.Mbi rezultatet e kërkimeve në fshatin Vodhinë
të rrethit të Gjirokastrës,në Bul.i shkencave shoqërore
nr.I viti 1956,fq.181
30. F. Prendi.Tumat në fushën e fshatit Vajzë-Vlorë,në
Bul.Shk.Shoq.nr.2viti 1957,fq.106
31. S. Islami, H. Ceka, F. Prendi, S. Anamali, Zbulime të kulturës
ilire në luginën e Matit, në Bul. Shke. Shoq. nr.1viti
1955, fq.134, S. Islami dhe H. Ceka, Të reja mbi lashtësinë
ilire në territorin e Shqipërisë, në Konf. I., të
Stud. Alb.Tiranë,1962, fq. 452.
32. H. Ceka, Diskutim mbi Kumtesën e Dhimosten Budinës në
Konf.II, të Stud. Alb.
33. Nga burimet e shkruara, përmendet qyteti i lashtë i Antigonesë.
Deri tani ky emër i ishte veshur herë kalasë së
Tepelenës, herë kalasë së Leklit afër grykës
së Këlcyrës. Kjo është bërë në
bazë të komentimit të burimeve të shkruara që
tërthorazi bëjnë fjalë për këtë qytet.
Mirëpo gërmimet arkeologjike të vitit 1965 të ndërmarra
në qytetin e lashtë të Jermës në rrethin e
Gjirokastrës nxorrën në dritë një material
mbishkrimor:13 copë libreza votimi prej bronxi, në njëren
faqe të të cilave lexohet emri (Antogonea). Kjo përmbysi
identifikimin e Lekël-Antigone.Vetë zbulimi i këtij emri
në këtë qytet dhe numri i shumtë i librezave na
shtyn të pranojmë si më të mundshme që ky emër
të lidhet me rrënojat e Jermës.
34. Dh. Budina.Rezultatet e gërmimeve në qytetin Ilir të
Jermës,në Materiale të Sesionit Arkeologjik,viti1966,fq.146
35. B. Jubani,Keramika ilire e qytezës së Gajtanit,në
Stud.hist.nr.2,viti 1966,fq.63
36. N. Jubani,H.Ceka,Gërmime në qytezën ilire të
Rosunjës rrethi i Tropojës.
37. S. Islami,Premjet monetare të Shkodrës,Lisit dhe Genthit,
në Studhist.nr.3viti 1966,fq.27
38. F. Prendi,artik.i cituar fq.125:M.Korkuti,artik.i cituar fq.166
39. S. Islami,H.Ceka,F.Prendi,S.Anamali,artik.i cituar fq.131
40. F. Prendi,artik.i cituar fq.26
41. Etol.III,13,44;Strab.VII,327 dhe H.Ceka, Përputhje onomastike
iliro-epirote, në Stud.His. nr.2 viti 1965,fq.85
42. H. Ceka,artik.i cituar fq.85
43. M. Nilsson,vep.e cituar
44. Po aty
45. K. Bozhori, Dh. Budina, Disa mbishkrime të pabotuara të
theatrit të Butrintit, në Stud.hist. nr.2 viti 1966, fq.176-189
,në zbërthimin e emrave ka patur mirësinë të
ndihmon edhe V.Toçi
46. Po aty
47. Po aty.
48. S. Islami, Premjet monetare të Shkodrës, Lisit dhe Genthit,
në Stu.hist.nr.3 viti 1966 fq.27
49. V. Toçi, Mbishkrime e relieve nga nekropoli i Dyrrahit, në
Bul.shk.shoq.nr.2 viti 1962, fq.128
50. H. Ceka, artik.i cituar fq.87
51. H. Krahe "Lexikon altillyrischer Personnennamen"Heidelberg,1929,Vangjel
Toçi, artik i cituar fq.128 dhe literatura e citueme prej tij,
H. Ceka, artik.i cituar fq.87
52. S. Islami, artik.i cituar fq. 20
53. H. Ceka, Elementi ilir në qytetet Dyrrahium dhe Apollonia,në
bul.e shken.shoq.nr.3/4,1959 fq.136,V.Toçi,artik.i cituar fq.128
54. H. Krahe,vep.e cituar,V.Toçi, artik.i cituar, fq.129
55. Tukiditi, II,50,5,6.
56. Steph.Byz., De urbibus et populis, (shiko fjalën Algestaio).
57. E. Çabej, Problemi i autoktonisë së shqiptarëve
në dritën e emrave të vendeve,në Bul.e shke.shoq.nr.2,1958,fq.61
58. Strab.VII,328
59. Malte Brun, Precis de la geographie universale,1810-1829,Paris
60. Pouqueville,Udhëtime në More, në Konstandinopojë,
në Shqipëri dhe në vende tjera të Perandorisë
Osmane gjatë viteve 1798,1799-1800 dhe 1801, Paris 1805
61. Ch.Brouchneri,Fjalor gjeografik,Venedik,1770 62.Teodor Momsen,Historia
e Romës së Lashtë
62. E.P.Hamp,OnLeibniz's Third Albanian Letter,Zeitschrift fur Balkanologie,Je
XVI/1, 1981,fq.34-36
63. M.Reiter,Leibnizen's Albanelbriefe, Zeitschrift fur BalkanologieJg.XVI,1980,fq.
82-93
64. C.V.Lajbnic, Albanerbrife, Hanovër, 24 janar 1705
65. J.G.Herdez,I deen zur Geschichte derMenschheit,Leipzig,1868,vol.III,fq.99
66. J.E.Tunman,Kërkime rreth historisë së popujve të
Evropës Lindore, Leipzig, 1774
67. Franc Bop,Uber das Albanesisch in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen,1855
68. J. Riter Fon Ksilander,Gjuha e albanezëve ose e shqiptarëve,
Frankfurt am Main,1835
69. J.G.Fon Han, Albanesische Studien,Wien,1854
70. J.F.Falmerajer, Elementi shqiptar në Greqi,Munchen,1857
71. T.Mommsen ,Historia e Romes,Leipzig,1932."Historia e Romës
së lashtë, Roma-Torino 1904, vëll.II, Libri i IV, kreu
V, fq.142
72. Paul Kreqmer,Einleitung in die Geschichte der griechischen Sprache,(Hyrje
në historinë e gjuhës greke), Gottingen,1896 74.P.Kretschmer,
po aty.
73. P. Kretschmer,Fiset Ilire,po aty.
74. P. Kretschmer,Sprachliche Vorgeschichte des Balkans, (Parahistoria
gjuhësore e Ballkanit), Revue Internationale des e'tudes balkaniquee,vol.
II, viti 1935 fq.41-48
75. Hansjërg Frëmmer, Die Illyrer,Karlsruhe,1988
76. H. Frëmmer,po aty(Vitet e errëta)565-850
77. Deukalioni,Fjalor i Mitologjisë,fq.57
78. Po aty.
79. Emile Isambert,Inteneraire deskriptiv historique et archeologique,1861,fq.867-869
80. Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë,vëll.I,
Ilirët dhe iliria te autorët antikë, fq.218-219;Plutarchi
I-Vittae Parallelae 4,7.
81. 83.Av.M.Kokolari,Nuk mbulohet dielli me shoshë,"Bashkimi
i shqiptarëve"nr.6,fq.4, dt.15 shtator 1993,Tiranë
82. Po aty.
83. J.G.Fon Han,"Reise von Belgrad nach Salonik",1858, -Peter
Robert Franke,"Alt-Epirus und das Kënigtum der Molosser",Erlangen,1954,
(Epiri i lashtë dhe mbretëria e molosëve),Mynchen-Bon,1949-'54
84. P.R.Franke,"Albanien im Altertum",Antike Welt,Sondernumner,1983
85. U.M.Leek,"Travels in Northern Greece",1835
86. Dr. Milan Shuflai, "Serbët dhe shqiptarët",
fq.180
87. Emile Isambert,vëll.i cituar fq.859-867
88. Av.M.Kokolari,vep e cituar, Dr. Ali Hadri,HPSH.Prishtinë,1966,fq.42-43
89. Dr.Ali Hadri,po aty.
90. Edison L.Clark,"Racat e Turqisë Evropiane,historia e tyre,gjendja
dhe prospektet", New York,Brodway,1878,fq.751
91. Edison L.Clark,po aty
92. Po aty
93. Sh. Delvina,"Rreth origjinës së suljotëve",Bujku,nr.1424,fq.10,
maj 1996 Prishtinë
94. Neos Kuvaras, Athens 1962
95. Po aty
96. "Moniteur Universale",Paris maj 1879
97. Abdyl Frashëri,"Popullsia greke në Epirin e Ri dhe
të Vjetër",fq.100
Nga Isuf Bajrami
isuf_bajrami@yahoo.com
Tetor 2003

