DITA
E MADHE E 20 MARSIT
Nga Prof. Dr Emil
Lafe
Ndë
vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill,
e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor
v (5) dit. Gjon Buzuku
Gjithkush e di se
libri më i vjetër shqip që njohim deri sot, njëkohësisht
edhe vepra më e vjetër e shkruar shqip, ka dalë nga penda
e Gjon Buzukut. Ky meshtar i thjeshtë që i dha vetes lavdi
me frymëzimin atdhetar, me aftësinë letrare dhe me guximin
e tij për të përkthyer shqip Shkrimin e Shenjtë,
e nisi veprën e vet të pashoqe plot 450 vjet më parë,
pikërisht më 20 MARS 1554, dhe e përfundoi më 5
JANAR 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e
librit. Të kujtojmë se Johannes Gutenbergu kishte shpikur
më 1445 shtypshkronjën me shkronja të derdhura të
lëvizshme dhe shtypshkrimi kishte marrë zhvillim në Europë.
Libri dhe fati
i tij
Një tok rrethanash
ende të pandriçuara bënë që libri i Gjon
Buzukut të binte në harresë të plotë për
gati dy shekuj. Atë e zbuloi një klerik shqiptar nga Gjakova,
i cili, duke u ndodhur në Romë më 1740 (ku u emërua
argjipeshkv i Shkupit), pa me habi të madhe këtë libër
në bibliotekën e kolegjit të Propagandës së
Fesë (Propaganda Fide), ku kishte studiuar vetë më parë.
I ngazëllyer nga ky zbulim, Gjon Kazazi kopjoi Pasthënien
e librit dhe një pjesë tjetër të shkurtër e
ia dërgoi timzot Gjergj Guxetës, themeluesit të Seminarit
shqiptar të Palermos, i cilësuar si "prototip i fisnikërisë
së shpirtit e i burrërisë e i bujarisë së kombit
shqiptar". Kleriku gjakovar e përshkruan librin si "Meshar"
fort i lashtë shqip krejt i grisur prej vjetërsie". Nga
fundi i sh. XVIII libri kaloi në koleksionin e librave orientalë
të kardinalit Stefan Borxha e së këtejmi në Bibliotekën
e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909. Nxitës i këtij zbulimi
qe Pal Skiroi, peshkopi i arbëreshëve të Sicilisë
(1866-1941), i cili kishte në bibliotekën e Seminarit të
Palermos pikërisht ato dy fletë të kopjuara nga Gjon
Kazazi. Pal Skiroi është edhe studiuesi i parë i "Mesharit"
të Buzukut, por puna e tij ka mbetur pak e njohur sepse pak gjë
arriti të botojë sa qe gjallë.
Më 1929 atë Justin Rrota, atëherë profesor i gjuhës
shqipe dhe i gjuhëve klasike në gjimnazin e Shkodrës,
u dërgua në Romë për të nxjerrë kopje
fotografike të librit e për t'i sjellë në Shqipëri.
Në 400-vjetorin e botimit të librit të Buzukut, J. Rrota
ka botuar kujtimet e atij shërbimi në Romë dhe emocionet
e forta që përjetoi kur më në fund përgjegjësi
i botimeve liturgjike të kishave orientale, C. Korolevski, u kthye
nga pushimet verore dhe e pyeti:
"Po Ju jini ai Frati nga Shqipënia, që më kërkoni
tash një javë?
Buzukun lypni? Qe; më falni sa t'i
jap fund njëkësaj letre që kam në dorë, dhe
Jua pruna."
"Të më kishte thanë - kujton J. Rrota - se m'ishte
ngjallë prej vorrit njëni robësh së mi të dekunë,
nuk e dij, se do t'ishem gëzue ma fort. Sa s'kjeshë tue i
ra ndë gjuj përpara, me i puthun kambën. Kaq!
Tre minuta nuk vonoi ma, për t'a krye atë shkresë, por
mue m'atëherë,
ata minuta m'u duknë orë. Dikur
u çue,
e shkoi e humbi mbas do raftesh së mëdhaj
librash. Nuk vonoi sa ndora, kur, si triumfalisht, m'a dorëzoi
blenin e dëshruem. Sa s'qava prej gëzimit. E mora ngrykë
Buzukun e dashun, e putha me nderim dhe u vuna mbë tryesën
e madhe të studjuesavet. Edhe nisa t'a shfletsoj si i dëshruem
me mall e poni
Kaqë i kishem këcye përsypri atij
visari të çëmueshëm, sa më bje ndër
mendë, se njëni rojtarësh m'u afrue e më tha ndë
vesh: "Ma kadalë! Këqyrni, mos t'a damtoni tue e shfletsue:
âshtë gjâ e vjetrë
Kishte arsye, e pashë, të m'i qitte ndër mendë rregullat
ma elementaret e këtyne rasave; por, ç'ti bâjsh!
Unë atëherë kishem tretë faret, edhe s'dijshem ku
ishem prej gëzimit e mallit." (rev. "Nëndori",
1955, nr. 3).
Me tre "Buzukët" që solli J. Rrota në Shqipëri
më 1929 nisën te ne edhe studimet buzukiane, ku J. Rrota ka
dhënë ndihmesat e para themelvënëse.
Po në ç'gjendje paraqitet ky "Meshar" fort i lashtë
shqip? Libri i plotë ka pasur 220 faqe me nga dy shtylla të
formatit të madh (20x14), secila me nga 45 radhë. Me një
përllogaritje të përafërt mund të thuhet se
libri ka pasur rreth 790.000 shenja (shkronja bashkë me hapësirat
ndërmjet fjalëve), d.m.th. rreth njëzet fletë tipografike
të sotme. Për fat të keq, të vetmes kopje të
ruajtur të librit i mungojnë 16 fletë (32 faqe). Më
e dhimbshme është mungesa e tetë faqeve të para,
ndër të cilat edhe ballina e librit e ndonjë fjalë
drejtuar lexuesit. Bashkë me to kanë humbur të dhëna
të pazëvendësueshme, që nuk ka qenë e mundur
të plotësohen nga burime të tërthorta. Pra jemi
në errësirë të plotë për vendin a shtypshkronjën
ku u shtyp libri dhe për autoritetin që lejoi botimin e tij
(dhe ndoshta nxiti Buzukun ta përkthente). Sepse në libra
të tillë ka gjithmonë një Imprimatur (le të
shtypet, - d.m.th. miratim për botim) nga një autoritet kishtar.
Nuk dihet në sa kopje është shtypur libri, gjithsesi
duke pasur parasysh se në atë kohë shtypi dhe letra kanë
qenë të kushtueshëm, nuk mund të mendohet ndonjë
tirazh i madh. Dhe me këtë ndoshta shpjegohet pjesërisht
pse ka mbetur një kopje e vetme e cungulluar prej këtij libri.
Por është një fat i madh që ka shpëtuar fleta
e fundit me Pasthënien, nga e cila njohim autorin, kohën kur
e filloi dhe e përfundoi veprën e tij dhe atë shtysë
të brendshme që e ka bërë t'i hyjë një
ndërmarrjeje të pashembullt deri atëherë, për
të cilën rrëfehet vetë: "nukë çuditem
se në paça fëjyem (gabuar), këjo tue klenë
maa e para vepërë e fort e fështirë për të
vepëruom mbë gluhët tanë". Mund të themi
pa droje se, po të mos kishte qenë kjo fletë e fundit
me të dhënat e kursyera që përmban, sot do të
qarkullonin një qerthull hipotezash nga më të largëtat
ndaj së vërtetës që dimë për autorin dhe
kohën kur vepëroi vepërën e vet.
A ka pasur një
traditë të shqipes së shkruar para Buzukut?
Është pohuar qenia e një tradite letrare në gjuhën
shqipe të paktën që nga fundi i sh. XIII (Dh.S. Shuteriqi.
M. Domi), ose gjithsesi para pushtimit osman. Guillaume Adam, një
klerik frëng, që shërbeu si kryepeshkop i Tivarit më
1324-1341, autor i një parashtrese "Udhëzim për
të bërë udhëtimin për në Tokën e
Shenjtë", shkruar latinisht më 1332 në Tivar, pohon
se: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë
krejt të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë ata kanë
në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre
shkronjën latine (literam latinam)". Ky pohim është
marrë sikur G. Adami ka dashur të thotë se shqiptarët
e shkruajnë gjuhën e tyre (ndonëse të ndryshme nga
latinishtja) me shkronja latine. Me një analizë të imtë
filologjike S. Riza arrin në përfundimin se shprehja e mësipërme
shkronjën latine (litteram latinam), mund të shënojë
jo vetëm shkronjat e alfabetit, po edhe vetë gjuhën e
shkruar të popullit përkatës, d.m.th. G. Adami ka dashur
të thotë që shqiptarët, duke pasur një gjuhë
të ndryshme nga latinishtja, përdorin latinishten si gjuhë
shkrimi (dhe jo se e shkruajnë gjuhën e vet me shkronja latine).
Si dëshmi e shkrimit të gjuhës shqipe para Buzukut është
sjellë edhe një pohim i Marin Balecit, që bën fjalë
për disa anale të shkruara në "vernacula lingua",
sipas të cilave njëfarë Roza me motrën e vet Fa
kanë qenë themeluesit e parë të Shkodrës. S.
Riza i bën përsëri një analizë të imtë
filologjike dhe shprehjes "vernacula lingua" dhe del në
përfundimin se ajo nuk duhet kuptuar si "në gjuhën
e vendit (d.m.th. në gjuhën shqipe)", por "në
gjuhën popullore", d.m.th. në gjuhën italiane, në
kundërvënie me latinishten si gjuhë e të diturve.
S. Riza e quan të papërligjshëm, madje kombëtarisht
të papranueshëm ngulmimin e disa studiuesve për ta çuar
traditën letrare të shqipes dy-tre shekuj para Buzukut, duke
mos pasur mbështetje të sigurt për këtë. Sipas
tij, të gjitha rrethanat historike e kulturore flasin se para Buzukut
nuk ka ekzistuar ndonjëshkrim madhor në gjuhënshqipe.
Në një studim të shkruar në fillim të viteve
'60, por që u botua vetëm para dy vjetësh, ai shprehet
se "imperialistët botërorë e sidomos ata ballkanikë
serbomëdhenj e grekomëdhenj kanë bërë çmos
në të kaluarën (madje edhe sot e kësaj dite vazhdojnë
të bëjnë gjithçka) me qëllim që ne shqiptarët
të na zhvishnin nga çdo vetëbesim kombëtar, nga
çdo sedër kombëtare, e për pasojë edhe nga
çdo vullnet vetëmbrojtjeje kundër orvajtjeve të
tyre ekspansioniste skllavëruese
Por njëherë Rilindja
jonë Kombëtare me Lidhjen e Prizrenit, pastaj Kongresi i Lushnjës
me Luftën e Vlorës, e më tëhu çlirimi ynë
kombëtar përfundimtar: këto tri kundërgoditje vetëmbrojtëse
heroike shqiptare këtë fushatë imperialiste difamacioni
antishqiptar e bënë më në fund jo vetëm kryekëput
të pafuqishme kundër nesh, por njëherazi edhe përsosurisht
të përbuzshme prej nesh.
Madhëria morale e Gjon Buzukut qëndron pikërisht këtu
që "en së dashunit së botësë sanë"
Gjon Buzuku u bë ideator dhe realizator i një vepre, me të
cilën ai neve shqiptarëve përgjithmonë e jetës
na zbardhi faqen në lëmin deri atëherë të palavruam
të kulturës së fjalës së shkruame (sikundërqë
afro një shekull më herët Gjergj Kastrioti ne shqiptarët
na pat mbuluar me lavdi në fushën jo të panjohur të
luftërave vetëmbrojtëse ngadhnjimtare)". ("Pesë
autorët më të vjetër në gjuhën shqipe",
2002).
Edhe shpresa që na u zgjua para dy vjetësh se do të shihnim
së afërmi të botuar një dorëshkrim shqip të
vëllimshëm të vitit 1210 (hartuar nga njëfarë
Teodor Shkodrani), që e kishte gjetur në arkivat e Vatikanit
gjurmuesi kosovar Musa Ahmeti, tashmë është shuar edhe
te më besëplotët. Në ato dy radhë që janë
bërë të njohura prej këtij dorëshkrimi, nuk
ndihet asnjë amëz stërlashtësie gjuhësore.
Me sa duket Gjon Buzuku do të ruajë vendin e tij prijatar
dhe autoritetin e patriarkut në shkrimin shqip dhe në letërsinë
shqipe.
Megjithëse duket e kotë të shpresojmë ende se do
të gjendet ndonjë shkrim shqip parabuzukian (jo ndonjë
frazë e shkëputur si Formula e Pagëzimit), ka një
radhë shenjash e rrethanash që të shtyjnë të
supozosh se Buzuku, kur u ul në tryezën e punës më
20 mars 1554, nuk e filloi punën duke shpikur ai vetë alfabetin
që do të përdorte e duke stërvitur dorën, po
duke vënë në zbatin ato shprehi që tashmë i
kishte fituar nga mjedisi e i kishte zhvilluar vetë. Tregues gjuhësorë
dhe historiko-kulturorë flasin në të mirë të
kësaj hipoteze. Kështu, E. Çabej, studiuesi më
i thelluar i Buzukut, shprehet se "kush ka lexuar këtë
tekst disa herë me radhë, besojmë se do të ketë
përshtypjen që gjuha e përdorur në të nuk është
një arë fare e papunuar më parë." Ai bashkohet
me tezën e arbëreshit G. Petrotta, se në Shqipëri
do të ketë pasur para sh. XVI një traditë ortografike
dhe mbase edhe një gjuhë të përbashkët, së
paku në shkrimet e përdorimit praktik. Edhe duke e shikuar
këtë çështje nga ana e historisë së
vendit, me një vështrim të gjithanshëm të gjendjes
kulturore në Shqipërinë mesjetare, - shton Çabej,
- teza e Petrottës do të dilte më fort e përforcuar
sesa e kundërshtuar, sepse shkalla e kulturës së popullit
shqiptar në atë kohë nuk ka qenë ndryshe nga ajo
e vendeve përreth, sidomos e atyre të brigjeve të Adriatikut.
Historiani Injac Zamputi, një nga studiuesit më të rysur
mesjetës së vonë shqiptare, duke hulumtuar posaçërisht
kohën dhe rrethanat kur u botua "Meshari", arrin në
përfundimin se Buzuku "nuk mund ta kishte marrë në
dorë gjithë atë punë kolosale për kohën
dhe për gjendjen e gjuhës shqipe, sikur të mos kishte
qenë aktive në mjedisin e tij shoqëror, praktika e të
shkruarit shqip." (Studime filologjike, 1986, 3). Megjithatë,
rrethana që nga ai prodhim letrar i hamendësuar nuk ka arritur
asgjë deri në ditët tona, ngre mjaft pikëpyetje
e dyshime.
Nga ishte Gjon
Buzuku dhe ku u shtyp "Meshari"?
U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut
- kaq na thotë autori ynë
më i vjetër për veten e vet, duke na lënë në
fushën e hipotezave për të zgjidhur pyetjet që shtruam
më lart. S'ka asnjë dyshim se gjuha e Gjon Buzukut është
një gegërishte veriore, por për të shkuar më
tej nuk është aspak lehtë. Mendja të shkon sigurisht
te Shkodra me rrethina, si qytet me traditë kulturore e kishtare,
po N. Jokli me të drejtë e ka përjashtuar këtë
mundësi duke u nisur nga fakti se Buzuku përdor grupet bashkëtingëllore
gl, kl (gluha, kloftë), kur sipas dëshmive të toponimisë
këto grupe në Gropën e Shkodrës ishin ndërruar
në g-j, kj, përkatësisht në gj e q. Por gjuha e
Shkodrës, si qendra më e madhe kulturore për gjithë
Veriun, gjithsesi ka luajtur rol nivelues për varietetet dialektore
të shkrimtarëve. (E. Çabej). Këtë e thotë
shkoqur Pjetër Bogdani për veprën e vet "Çeta
e profetëve" (1685):
përse tue kjanë unë
prej Guri ndë Hast
m'anshtë dashunë me djersë
të mëdha shumë fjalë me ndërequnë ndë
dhe të Shkodërsë. Për sa i takon Buzukut, fjala
zgiedh me kuptimin "lexoj", është vështruar
si përdorim i vetëdijshëm i një forme shkodrane,
sepse pritej që ai të shkruante zgledh.
Gjuha e Gjon Buzukut nuk ka një bazë dialektore të vetme
e të pangatërrueshme që të na çonte në
njëjtësimin e prejardhjes së tij krahinore. Madje është
theksuar se përkatësia dialektore e "Mesharit" dhe
prejardhja krahinore e Buzukut nuk janë medoemos e njëjta
gjë. Justin Rrota pati vënë re me kohë një
tok përkimesh të gjuhës së "Mesharit"
me të folmen e malësisë së Krajës dhe të
fshatit Arbënesh (pranë Zarës në Dalmaci) të
themeluar ndërmjet 1726-1733 prej shqiptarësh të ikur
nga Brisku, Ljarja e Shestani në anën perëndimore të
liqenit të Shkodrës. Ajo që tërheq më shumë
vëmendjen është përzierja e formave dialektore të
gegërishtes veriperëndimore me format e gegërishtes verilindore.
Mjafton të përmendim fjalën e parë të Pasthënies:
U Doni Gjoni
- ky përemër vetor gjendet sot në të
folme të ndryshme të Kosovës, si në Malësinë
e Gjakovës etj., po ashtu forma si (ai) të ban, të del
në vend të të banjë, të dalë etj. Një
pjesë e formave dialektore verilindore ndeshen edhe në të
folmen e Arbëneshit të Dalmacisë, dhe kjo ka çuar
në hipotezën se dukuri të tilla lidhen me ndonjë
shpërngulje popullsish nga trevat verilindore drejt viseve bregdetare.
Pra, Gjon Buzuku mund të jetë rritur në një mjedis
me përzierje të tillë popullsish dhe rrjedhimisht edhe
formash dialektore.
Gjurmë të mbiemrit Buzuku dëshmohen në sh. XV në
zonat nga mendohet se mund ta ketë origjinën shkrimtari ynë,
por më tej humbasin dhe sot nuk ka mbetur familje me këtë
mbiemër në ato anë, as në Shqipërinë Veriperëndimore.
Krejt rastësisht kam mësuar se familje me mbiemrin Buzuku
gjenden sot në rrethinat e Gjilanit dhe kështu fiton mbështetje
hipoteza e shpërnguljes së një popullsie, që u përmend
më lart.
Mjaft diskutime janë bërë për vendin ku u shtyp
"Meshari". Një palë mendojnë se shtypshkronja
do të ketë qenë diku në Shqipërinë Veriperëndimore
(Shkodër, Ulqin, Tivar a në rrethina të tyre. Një
palë tjetër mendojnë se në qytetet e bredgetit shqiptar
nuk mund të ketë pasur ndonjë shtypshkronjë të
përshatshme për të shtypur një libër të
tillë dhe veç kësaj aso kohe në Perandorinë
Osmane shtypja e librave ishte e ndaluar me dënim me vdekje. Gjurmuesi
frëng i teksteve të vjetra shqipe Mario Rok pati vënë
re se letra e librit është italiane dhe shkronjat janë
të tipit që përdorej në shtypshkronjat e Venedikut.
Në këtë qytet mendohet përgjithësisht se ka
qenë shtypshkronja ku u shtyp "Meshari". Zgjidhja e enigmës
së botimit ka qenë sigurisht në ballinën e zhdukur
përgjithmonë të librit. Por gjithsesi për një
gjë jemi të sigurt: tipografët nuk dinin shqip (nuk ishin
shqiptarë) dhe shtypshkronja nuk ka qenë larg nga vendi ku
shërbente Buzuku. Në Pasthënie ai thotë se ata që
shtypnin, mundoheshin shumë me librin e tij dhe ai nuk mund t'u
rrinte pranë përherë, pasi duhej të mbante edhe
një kishë e kështu të shërbente më dy
anë (ata qi shtamponjinë kishnë të madhe fëdigë,
e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të
mos banjinë, përse përherë ndaj ta nukë mundë
jeshë; u tue mbajtunë një klishë,
mbë të dy anët më duhe me shërbyem).
Kush ishte Buzuku
dhe kush e nxiti për veprën e tij?
Nga citimi i mësipërm prej Pasthënies së librit
merret vesh qartë që Gjon Buzuku ishte një famullitar
i thjeshtë dhe jo një klerik me shkallë të lartë
në hierarkinë kishtare katolike. Mund të mendohet se
në kohën kur i hyri përkthimit të "Mesharit",
ai shërbente në ndonjë nga bashkësitë shqiptare
të mërguara në Republikën e Venedikut, që dëshmohen
nga burimet e kohës. Pra autori ynë i parë ka qenë
një bir i thjeshtë i popullit të vet, me një kulturë
jo aq të plotë, siç del edhe nga vendet ku nuk ka arritur
ta kuptojë drejt tekstin latin dhe e ka shtrembëruar a gjymtuar
kuptimin e origjinalit. Por Gjon Buzuku kishte përbrenda zjarrin
e dashurisë për popullin dhe atdheun e vet, prandaj iu vu
punës, siç shkruan vetë, "tue u kujtuom shumë
herë se gluha jonë nukë kish gja të ndigluom (të
kuptueshme) en së Shkruomit shenjtë, en së dashunit së
botës sanë desha me u fëdigunë për sa mujta
me ditunë, me zdritunë pak mendetë e atyne që të
ndiglonjinë
".
Vetëkuptohet se një ndërmarrje e tillë nuk mund
të bëhej pa mbështetjen edhe financiare eprorëve
të kishës dhe pa lejen e tyre për ta botuar. Këtë
mbështetje dhe leje e patën më vonë Pjetër
Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani e të tjerë, po për
Buzukun nuk mund të thuhet gjë, nga shkaku i mungesës
së ballinës dhe të fletëve të parathënies
së librit. Po në ç'rrethana mund ta ketë fituar
Buzuku këtë mbështetje?
Është koha kur në Europën katolike kishte marrë
hov lëvizja e Reformës e nisur nga Martin Luteri (1517), që
synonte ta përtërinte kishën, duke e kthyer në thjeshtësinë
burimore të doktrinës së krishterë. Ai përktheu
Biblën gjermanisht në mënyrë që populli analfabet
të kuptonte fjalën e Zotit dhe të mos qëndronte
i shtangur duke dëgjuar predikimet latinisht të priftërinjve.
Gjysma e popullsisë së Europës u shkëput nga autoriteti
i Papës dhe përqafoi protestantizmin. Selia e Shenjtë
ndërmori një kundërveprim të rreptë e të
gjithanshëm, që njihet me emrin Kundërreformë. Si
Reforma, ashtu edhe Kundërreforma patën si pasojë lëvrimin
e gjuhëve të popujve, shtimin e interesit për studimin
e tyre.
"Meshari" i Buzukut është vështruar si fryt
i Kundërreformës, d.m.th. si një lëshim që
qe e detyruar të bënte Selia e Shenjtë, duke lejuar shërbesat
fetare në gjuhën e gjallë të popullit dhe rrjedhimisht
përkthimin e "Mesharit" (librit të këtyre shërbesave).
Lidhur me këtë temë Justin Rrota ka shkruar se në
Shqipërinë katolike "nuk luftohet, si ndokun ngjeti nd'Europë,
kundra Papës dhe Perandorit; këtu lufta ishte krejt kundra
turkut
As nuk mund të thuhet se ndë Shqipni të ketë
pasë ndonjë rrymë herezie fetare. Këtu ndë
vendin tânë kemi ndryshime fetare, të thuesh ma shumë,
se kishte mbarë Europa: katolik (latin), ortodoks (grek e slav)
dhe mysliman. Prandej një rit i ri katolik shqiptar nuk e kishte
të pregatitun terrenin as fetarisht e ideologjikisht, as politikisht."
Edhe E. Çabej i mbahet kësaj pikëpamjeje dhe e lidh
punën e Buzukut me veprimtarinë që kishte ndërmarrë
aso kohe argjipeshkvi i Tivarit Gjon Bruni për të ruajtur
e zgjeruar besimin katolik në dioqezën e tij, ku antagonizmit
fetar ndërmjet besimit katolik dhe ortodoks (sllav), që ekzistonte
që moti, iu shtua edhe rreziku i islamizimit që po përparonte.
Por në vitin 1986 Injac Zamputi e rishikon kryekëput pikëpamjen
e mësipërme dhe përpiqet të bëjë një
përsaktësim të tezës së Dh. Shuteriqit se "puna
e Buzukut dhe e pasuesve të tij fetarë nuk i përket veprimtarisë
tipike humanistike, kur shkruajnë shqip. Nga kjo anë, puna
e tyre, edhe pse bën pjesë në qëndresën e përgjithshme
antiosmane të popullit shqiptar, nuk frymëzohet nga idetë
e mëdha që pushtuan kulturën europiane dhe iu kundërvunë
Mesjetës. Nuk duhet kërkuar pra çfarë nuk gjendet
te Buzuku e Budi." Duke u nisur nga një vërejtje e hollë
e Mario Rokut se "Gjon Buzuku, ndryshe nga autorët shqiptarë
të shekullit XVII, nuk qëndron nën ndikimin e drejtpërdrejtë
të Romës", historiani I. Zamputi me një analizë
të gjithanshme të gjendjes kishtare, politike e kulturore
të kohës përkatëse e zhvendos Buzukun nga kampi
i Kundërreformës në atë të Reformës ("Studime
filologjike", 1986, nr. 3). Autorët tanë të vjetër
pas Buzukut dihet se nuk përkthyen pjesë të liturgjisë
(pjesë të Biblës), po libra për mësimin dhe
shpjegimin e fesë. Në fushën e liturgjisë vazhdonte
të zotëronte latinishtja. Në këtë kuptim I.
Zamputi e vlerëson veprën e Buzukut si një "hap
i guximshëm kulturor, sepse bën pjesë në luftën
ideologjike të kohës së tij dhe, në këtë
luftë mban anën e kampit më të përparuar që
po përmbyste konceptet e rrënjosura të Mesjetës
për përbotshmërinë e kishës katolike."
Kështu mund të shpjegohet edhe fakti që ka mbetur një
kopje e vetme e "Mesharit", edhe ajo e gjymtuar, ndoshta me
qëllim, që të mos njihej dhe t'i shpëtonte asgjësimit
prej Inkuizicionit.
Ringjallja e Buzukut
Katërqindvjetori i botimit të "Mesharit" më
1955 u përkujtua me një sesion shkencor të organizuar
nga Instituti i Shkencave, pasardhëse e të cilit është
Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Me atë rast u vendos
që të përgatitej një botim kritik i kësaj më
të hershmes vepër në gjuhën shqipe dhe me këtë
detyrë u ngarkua Eqrem Çabej. Ndonëse ky botim kritik,
një punë e pashoqe tekstologjike, u përgatit më
1958, vepra, në dy vëllime dhe e pajisur me një studim
hyrës shembullor, u shtyp pas dhjetë vjetësh në
Rumani, falë bujarisë dhe dashamirësisë së
Akademisë së Shkencave të Rumanisë, që vlerësoi
rëndësinë e librit dhe punën e kolegut të çmuar
shqiptar. E. Çabej bëri transliterimin e teksit, d.m.th.
e rishkroi atë me alfabetin e sotëm, dhe transkriptimin e
tij, d.m.th. vendosi vlerat fonetike të shkronjave të përdoruara
nga Buzuku, rindërtoi si të thuash formën tingullore
të këtij teksti në kohën që u shkrua.
Ndërkaq edhe filologu Namik Resuli në Itali i kishte hyrë
punës së ribotimit të Buzukut dhe më 1958 libri
i tij, që përmban fotokopjen dhe trankriptimin, pa ndonjë
hyrje studimore, doli nga shtypi. Me një punë të stërmundimshme
mbi njërën nga kopjet që pati sjellë më 1929
në Shqipëri Justin Rrota, filologu shkodran Kolë Ashta
nxori fjalorin e plotë të veprës së Gjon Buzukut,
që u botua fillimisht pjesë-pjesë te "Buletini i
Institutit Pedagogjik të Shkodrës" dhe më 1996 në
një vëllim të veçantë. Studimit të gjuhës
së Gjon Buzukut iu kushtua për disa vjet edhe Selman Riza
duke e pasuruar këtë fushë të gjuhësisë
sonë me ide të reja. Por problematika dhe temat lidhur me
Buzukun dhe "Mesharin" e tij nuk janë shteruar, madje
janë ende larg cakut të dëshiruar.
Pandehet shpesh se vepra e Buzukut, si përkthim që është,
nuk ka ndonjë vlerë letrare. Kjo është një
pandehje e gabuar. Me gjithë luhatjet e shumta të formave
të fjalëve e të shkrimit të tyre, në libër
gjallon një frymëzim letrar, një aftësi e çuditshme
shprehëse dhe një ritëm i brendshëm që e bën
E. Çabejnë të përfundojë se ky autor "jo
vetëm nga pikëpamja e kohës, po përgjithësisht
dhe e nivelit, zë kryet e vendit në literaturën shqiptare
të vjetrën; në fushën e prozës poetike edhe
për më vonë është vështirë t'i vihet
ndonjë tjetër përkrah."
Gjon Buzuku është i pari autor që përmend fjalën
shqip si dhe emrin e lashtë Arbani si një përcaktim tërësor
të atdheut të atyre që flasin shqip. Libri i Buzukut
nuk është aspak për t'u kundruar si një objekt i
ftohtë muzeor. Ai flet me shqipen e kohës së vet, që
nuk është e vështirë për ta kuptuar edhe në
kohën tonë, sepse gjithmonë te shkrimtarët shqiptarë
regëtin ajo ndjenjë që Buzuku e ka skalitur i pari me
fjalët "en së dashunit të së botësë
sanë." Kjo ndjenjë që zë fill te shkrimtari
ynë më i hershëm, e bëri letërsinë shqiptare
pjesë të pandashme dhe shprehëse të vetëdijes
së popullit që e lindi. Prandaj themi me bindje se 20 MARSI
është një Ditë e Madhe në kulturën shqiptare,
dita e guximit për të shkruar në kartë fjalët
e gjuhës së zjarrtë, dita kur një shqiptar fitoi
betejën e parë të madhe me penë dhe nuk e shkëputi
nga dora derisa fitoi krejt luftën më 5 JANAR 1555. Në
nderim të atij burri që "na zbardhi faqen", siç
shprehet Selman Riza, le të jetë ky vit, që sot e deri
më 5 janarin e ardhshëm, VITI I GJON BUZUKUT, viti kur u hodhën
themelet e kulturës së shkruar në gjuhën shqipe.
Emil LAFE
