Ç'po
bëhet me MJAFT-in?
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Jo të paktë janë
shqiptarët që pyesin vehten këto ditët e fundit
se pse
nuk po vazhdon MJAFT-i të protestojë për rritjen e çmimeve
nga
monopolistët shtetërorë dhe privatë. Dhe ky fakt
ka një domethënie të
madhe. Sepse tregon që MJAFT-i nuk perceptohet më thjesht
si një grup të
rinjsh që bën ca protesta interesante, por si një forcë
nga e cila
pritet të adresojë probleme jetike të shoqërisë.
Thënë ndryshe, ky fakt
tregon se MJAFT-i është shndërruar tani nga një
grup aktivistësh që
synonte shkundjen e apatisë së shqiptarëve të thjeshtë,
në një forcë që,
edhe pse jo ligjërisht, përfaqson moralisht interesat e tyre.
Dhe ky shndërrim e pati fillimin
në mbrëmjen e 16 janarit. Duke
filluar nga ajo mbrëmje, MJAFT-in e shohin tani si zëdhënësin
e tyre të
gjithë ata tiranas që iu përgjigjën thirrjes së
tij për të protestuar
qytetarisht përpara Kryeministrisë. (Kuptohet që në
këtë bashkësi nuk
përfshihen 200 mitingashët e zhurmshëm të rreshtave
të para).
Gjithashtu, MJAFT-in e shohin si zëdhënësin e tyre që
prej asaj mbrëmje
edhe të gjithë ata shqiptarë që fizikisht nuk ishin
në atë protestë, por
që me zemër ishin 100%.
Kush janë këta shqiptarë?
Janë të gjithë ata që deri më sot nuk kanë
parë tek partitë, sindikatat, dhe organizatat e tjera mbrojtësit
realë të
interesave të tyre jetike, e që si rrjedhim, kanë vite
që nuk marrin
pjesë në jetën politiko-shoqërore të vendit.
Këta shqiptarë panë në 16
janar se egzistoka një grup të rinjsh e të rejash që
dilka të protestoka
jo për përfitime politike, por thjesht se iu dhemb shpirti
kur shohin që
bashkëatdhetarët e tyre, për t'i shpëtuar varfërisë
së tejskajshme,
përpiqen të kapërcejnë në mes të dimrit
një det që ka bërë shumë
kurbanë deri më sot.
Dhe kuptohet se shqiptarët
që shohin tek MJAFT-i zëdhënësin e tyre kanë
më se të drejtë ta bëjnë pyetjen e cituar në
fillim. Sepse kur flet
Ilir Meta për varfërimin që sjellin monopolet, ndërkohë
që është një nga
arkitektët e tyre, nuk ka si të heshtë MJAFT-i, i cili,
pas premtimit
publik të Nanos për reduktimin e varfërisë, ka detyrën
dhe të drejtën
morale ta ngrejë zërin fuqishëm sa herë ndodh diçka
që shkakton rritje
te saj ose që është pasojë e saj. Por a po hesht
me të vërtetë
MJAFT-i?
Po të studiohen me vemendje
veprimet, ose më mirë mosveprimet e
MJAFT-it, në fakt, rezulton se ai nuk po hesht. Kështu, duke
mos iu
përgjigjur thirrjes së Berishës për t'iu bashkuar
protestës "Nano
ik!", MJAFT-i nuk heshti. Përkundrazi, ai dha një mesazh
të fortë dhe të
qartë. Djemtë dhe vajzat e MJAFT-it, me mospjesmarrjen në
protestën e
Berishës treguan që, pavarësisht se udhëheqësi
demokrat vuri në qendër të
saj kërkesat karakteristike të MJAFT-it, nuk ndajnë të
njëjtat objektiva
me të -- ndërsa Berisha synon ardhjen në pushtet me çdo
mjet, MJAFT-i ka
si objektiv t'i bëjë presion të vazhdueshëm qeveritarëve
(kushdo qofshin
ata) që të punojnë seriozisht për përmirsimin
e jetesës së shqiptarëve të
thjeshtë.
Të njëjtin mesazh dha
MJAFT-i edhe kur nuk iu pergjigj thirrjes së
Metës për fillimin e "revolucionit të trëndafiltë
për rrëzimin e
klikës së Nanos". Dhe të njëjtin mesazh dha
edhe kur nuk doli në
televizion të bënte po ato denoncime për monopolet që
Berisha dhe Meta i
bënë me shumicë gjatë javëve të fundit.
Por për simpatizantët
e MJAFT-it, pra për ata që nuk shohin shumë
shpresë tek zëvëndësimi i Nanos me Berishën
apo Metën, prapë ngelet pa
përgjigje pyetja "Dakord me mosveprimet, po me veprimet ç'do
të
bëhet?". Që këta simpatizantë të qetësohen,
ndoshta vlen të mësojnë
se, Erion Veliaj, drejtuesi i MJAFT-it, para se të vendoste çfarë
mesazhi të printonte në bluzën që do të vishte
në takimin me Nanon,
kishte dy kandidatura të mundëshme në mendjen e tij:
atë që faktikisht
printoi ("Zt. Nano, akoma nuk ke kërkuar falje!") dhe
mesazhin: "Zt.
Nano, ne nuk harrojmë!". Dhe simpatizantët e MJAFT-it
duhet të kuptojnë
se ky mesazhi i dytë u bë 100 herë më domethënës
pikërisht pas atij
takimi. Sepse Nano, duke dashur që me premtimin publik për
reduktimin e
varfërisë t'ia mbyllte djemve dhe vajzave të MJAFT-it
dritaren nga
thërrisnin "Kërko falje!", hapi padashur një
dritare tjetër shumë më
të madhe. Një dritare nga e cila ata mund të thërrasin
tani pa pushim
"Ne nuk harrojmë!"