Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

 

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Tragjedia dhe ëndrra evropiane

Nga Gjergji Gambeta
Kryeredaktor i revistës PRESTIGE

Tragjedia e janarit ishte një ngjarje padyshim e rëndë. Ajo nuk ishte as e para, mbase nuk do të jetë dhe e fundit. Në vitet e demokracisë që pasuan, ëndrra e shqiptarit për t'u larguar duket se është akoma një ëndërr e keqe e vrastare. Ata njerëz që u larguan mbase e dinin se po shkonin drejt vdekjes megjithatë nuk morrën parasysh asgjë, sepse thjesht sfiduan vdekjen. Ata janë heronjtë e rinj. Nuk dua të bëj edhe një analizë tjetër, boll të tilla u bënë e u thanë dhe në Parlament. Secila nga forcat politike u mundua që, me njërën apo tjetrën mënyrë, të përfitojë apo abuzojë me tragjedinë e rradhës, pa dhënë asnjë argument pasi as njëra dhe as tjetra nuk mundën të ndalnin ikjen masive të njerëzve gjatë historisë më të re të Shqipërisë. Në fund të fundit sado të gjata e të hollësishme qofshin këto analiza, njerëzit nuk mund të kthehen, nënave dhe fëmijëve nuk do t'u kthehen bijtë, as prindërit… Endrra evropiane e shqiptarit endet e fërteloset për më shumë se 10 vjet brigjeve të Adriatikut, midis Shqipërisë e Italisë, midis kufijve baltorë të Shqipërisë e Greqisë. Në këto 13 vjet askush nuk mundi ta realizojë këtë ëndërr, sepse thjesht e katandisi në tragjedi.
Nuk dua të bëhem sentimental i rradhës, por kërkoj rrugëzgjidhjen dhe vetëpyetem deri kur do të vazhdojë kjo gjendje. A nuk janë shumë 250 shqiptarë të mbytur për një popull kaq të vogël, që po jeton tragjedi të pafundme?
Ka ardhur koha që këtij populli mos i serviret pjata e mbushur me premtime, por me rrugëzgjidhje, jo fjalë, por vepra, jo demagogji e zënka parlamentare, por punë dhe shpresë. Populli ëshë ngopur me politika boshe, kërkon liberalizim të vizave, eleminim të fenomenit. Shqiptarët dhe emigracioni duan ndihmë reale. Fenomeni dhe tragjedia nuk luftohen me konstatime shterpe, por duke eleminuar shkaqet që shtynë njerëzit drej aventurës. Pyetja është se kush do t'i rikthejë shpresën këtij populli?
"Rrjeta e Hekurt", apo më mirë i ashtuquajturi operacioni i fundit i policisë, sigurisht që do të ketë disa rezultate positive, sigurisht që do të eleminojë shumë gomone, mbase do të izolojë dhe ata njerëz që "ushqehen" me viktimat e pafata, por nuk do të jetë në gjendje të eleminojë shkaqet dhe rrënjët e fenomenit. Në fakt ato rrënjë e shkaqe kanë një përgjigje të thjeshtë të cilën e di çdo shtetas e qytetar shqiptar!
Nuk dua t'i besoj një thënieje të një miku, i cili më pat thënë "Shqipëria do të bëhet vetëm atëherë kur të ikin të gjithë e mbase do të sjellin një popull të ri"…



 


Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003