Që "modeli
gjeorgjian" të ketë sukses
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga cilësimi "qytetare" që i ka bërë
Berisha lëvizjes së fundit të
iniciuar prej tij, kuptohet që do të ketë patur në
mendje të
ashtuquajturin "model gjeorgjian" kur e planifikoi atë.
Thënë ndryshe,
ai synon të emulojë atë që opozita gjeorgjiane realizoi
nëpërmjet
protestave masive - marrjen në dorë të qeverisjes së
vendit. Por duket
se Berisha nuk ka llogaritur se, ndërsa ka elementë të
ngjashëm midis
situatave në Gjeorgji dhe Shqipëri, ka edhe elementë
të tjerë që i
dallojnë ato.
Ndër elementët e ngjashëm, bie në sy se, ashtu
si në Gjeorgjinë e
Shevernadzes, edhe në Shqipëri, korrupsioni ka arritur përmasa
asfiksuese për funksionimin normal të shtetit; përqëndrimi
i aktivitetit
ekonomik në duart e një pakice të lidhur ngushtë
me partinë në pushtet ka shkaktuar një rritje rekord
të varfërisë; dhe mbizotërimi i ekonomisë informale
e ka kthyer vendin në një parajsë për organizatat
kriminale dhe/ose terroriste që duan të investojnë paratë
e tyre të pista. Dhe po t'i referohesh raporteve të ndryshme
të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që
i monitorojnë këto fenomene, Gjeorgjia dhe Shqipëria
vazhdimish janë renditur pakashumë në të njëjtin
vend në klasifikimet e tyre.
Nisur nga këto ngjashmëri, është e natyrshme të
abstragosh se ashtu si në Gjeorgjinë e Shevernadzes, edhe
në Shqipëri, egziston një pakënaqsi masive ndaj
qeverisë. Dhe, në fakt, nuk do të ishte çudi që
nga një sondazh opinioni të zhvilluar në Georgji në
dhjetor dhe në Shqipëri sot, të rezultonte e njëjta
shkallë pakënaqsie. Rrjedhimisht, është e natyrshme
të abstragohet se ajo që ndodhi në Gjeorgji mund të
ndodhë edhe në Shqipëri.
Siç kuptohet lehtë nga konstrukti i fjalisë së
mësipërme, fjala kyç në
të është fjala "mund", e cila nënkupton
se egzistenca e pakënaqsisë
masive është kusht i domosdoshëm por jo i mjaftueshëm
për suksesin e modelit gjeorgjian. Që ai model të ketë
sukses edhe në Shqipëri duhet të plotësohen edhe
dy kushte të tjera që në Gjeorgji ishin plotësuar
kur filluan protestat masive ndaj qeverisë së korruptuar të
Shevernadzes.
Së pari, iniciator i lëvizjes duhet të jetë një
udhëheqës ose grup
udhëheqësish që ngjall shpresë në popull për
një përmirsim të
ndjeshëm të qeverisjes, dhe se dyti, fuqitë perëndimore,
të cilat
akoma luajnë rolin e garantit të zgjedhjeve të lira dhe
të drejta në
vënde si Shqipëria, të binden se udhëheqësi
apo grupi i ri i
udhëheqësve do të jenë aleatë të besueshëm
në të ardhmen. Por nga
analiza e figurës së Berishës dhe figurave të afruara
së fundi rreth
tij, rezulton se këto kushte nuk plotësohen.
Duke filluar me kushtin e parë, duket qartë se Berisha nuk
është
Shakasvili. Ky i fundit, pasi kishte studiuar dhe punuar disa vite në
France e Sh.B.A., krijoi një parti të re në vitin 2001,
e cila mblodhi
rreth saj të gjithë gjeorgjianët e dekurajuar nga paaftësia
e opozitës së atëhershme për të ofruar një
alternativë të besueshme. Ndërkohë, në biografinë
e tij politike, ai kishte vetëm të qënit disa muaj ministër
drejtësie dhe një dorëheqje nga ai post në shenjë
proteste ndaj
korrupsionit në kupolën më të lartë të
shtetit. Ndërsa Berisha ka në
biografinë e tij një qeverisje pesë-vjecare të vendit,
e cila u
karakterizua nga autoritarizmi, manipulimi flagrant i zgjedhjeve,
lulzimi i trafiqeve, dhe mirqënia fallco e skemave piramidale
mashtruese.
Dhe ndërsa vetë Berisha nuk gjeneron shumë shpresë
për një qeverisje më të mirë, edhe figurat
që i janë afruar atij kohët e fundit nuk ofrojnë
garanci se do t'i japin tonin një qeverisje të ardhëshme
të PD-së. Kjo
sepse janë po ata njerëz që ishin figura qëndrore
në lëvizjen që çoi
dikur në përmbysjen e Berishës, dhe pastaj u lanë
në hije nga Nano kur ai mori pushtetin.
Duke e kthyer vështrimin nga fronti perëndimor, bie në
sy se
Sh.B.A.-ja, fuqia më e madhe perëndimore, nuk sheh tek Berisha
atë që pa tek Shakasvili.
Nuk duhet harruar se para se të zhvilloheshin zgjedhjet
në Gjeorgji, Xhejms Bejkeri, i dërguari i posaçëm
i presidentit Bush, e
detyroi aleatin e vjetër Shevernadze të lejonte numërimin
e votave
drejtpërdrejt nga vëzhguesit ndërkombëtarë,
duke dhënë kështu mandatin e vdekjes politike për
të, dhe çertifikatën e lindjes për qeverinë
e udhëhequr nga aleati i ri Shakasvili. Fatkeqsisht për Berishën,
një gjë e ngjashme nuk ka gjasa të ndodhë hëpërhë
edhe në Shqipëri. Sepse mënyra se si u soll ai me zyrtarët
amerikanë pas asaj mbështetje të pakufishme që i
dha fillimisht Sh.B.A.-ja nuk mund të shlyhet lehtë nga kujtesa
institucionale e Departamentit të Shtetit. Ndërsa fuqitë
europiane, ndërkohë që janë të pakënaqura
nga qeverisja e Nanos, nuk shohin akoma tek Berisha një alternativë
për të cilën të shpenzojnë aq kapital politik
sa të marrin në kontroll të drejtpërdrejt numërimin
e votave në Shqipëri.
Ç'i ngelet pra Berishës të bëjë në
këto kushte? Një përgjigje
racionale e kësaj pyetje do të ishte se ai duhet të harrojë
dashurinë e
tij të madhe për revolucion dhe t'i hedhë sytë nga
evolucioni. Është
fjala për evolucionin brenda vehtes së tij dhe partisë
që drejton.
Sepse vetëm kur PD-ja të transformohet në një parti
të aftë për të sjellë shqiptarët në
kutitë e votimit pak a shumë si në marsin e '92-shit,
ajo do të mund të marrë pushtetin. Përndryshe, me
elektoratin që ka sot dhe në kushtet kur votat numërohen
nga vetë shqiptarët, rezultati i zgjedhjeve (qofshin të
parakohëshme apo të kohëshme) ngelet po ai - ata që
janë në fuqi mbeten në fuqi, ndërkohë që
vëzhguesit ndërkombëtarë bëjnë kritika
për përmirsimin e zgjedhjeve të ardhëshme.