Precedenti
Edi Rama
Nga Eduard
Zaloshnja
(Botuar tek "SHEKULLI")
Në mëndjen e mijra banorëve
të Tiranës, pyetja "ç'do të bëhet me
Edi Ramën?" po bëhet gjithnjë dhe më e pranishme.
Njoftimi i prokurorisë se në disa nga projektet e ministrisë
së kulturës të kohës së Edi Ramës janë
konstatuar mungesa dokumentacioni për shpenzimet e kryera, sugjerimi
i Gramoz Ruçit për të pajtuar një kompani të
huaj që të kontrollojë aktivitetin e bashkisë së
Tiranës, dhe kërcënimi i Sali Berishës për
bllokimin e punimeve të Kuvendit në rast se nuk hetohet publikisht
Edi Rama, kanë mbjellë në opinionin tiranas idenë
se ekziston një probabilitet që kryebashkiaku i tyre të
zëvendësohet nga dikush tjetër vitin e ardhshëm.
Ndërkohë që vëmendja e banorëve të Tiranës
me të drejtë është përqëndruar tek përfundimi
i betejës së Edi Ramës për mbijetesë politike,
është mirë që të gjithë ata që kanë
në kokë projekte për të zënë vendin e
tij në të ardhmen ta analizojnë me kujdes precedentin
e krijuar nga kryebashkiaku aktual. Rreshtat e mëposhtëm përpiqen
të ndihmojnë një analizë të tillë.
Karriera e Edi Ramës si kryebashkiak
i Tiranës ka krijuar një precedent që përbëhet
nga dy komponentë. Komponenti i parë ka të bëjë
me rezultatet e punës së tij, ndërsa i dyti, me përfoljet
për korrupsionin.Duke filluar me komponentin e parë, mund
të thuhet pa pasur frikën e ekzagjerimit se shumica e tiranasve
mendojnë që energjia, kreativiteti, dhe efikasiteti i demonstruar
nga Edi Rama në projektet për ndryshimin e Tiranës nuk
është parë deri më sot tek ndonjë kryebashkiak
tjetër i qytetit të tyre. Mbizotërimi i këtij opinioni
ka krijuar një precedent për standardin me të cilin do
të maten kryebashkiakët e ardhshëm të Tiranës.
Tani e tutje, kryebashkiakët kryeqytetas nuk do të shihen
më si figura politike të dorës së dytë, të
cilët thjesht administrojnë buxhetin e bashkisë nën
hijet e partive që i kanë kandiduar. Ata do të shihen
si politikanë energjikë dhe me peshë, të cilët
kanë aftësinë të iniciojnë projekte, kanë
fuqinë politike të tërheqin fonde për financimin
e projekteve, dhe kanë autoritetin e aftësitë drejtuese
për t'i ekzekutuar ato shpejt dhe saktë. Për aq kohë
sa kryebashkiakët e ardhshëm do t'iu përmbahen këtyre
standardeve, ata do të kenë shans të
rizgjidhen, dhe ashtu siç ka ndodhur me shumë kryebashkiakë
të
kryeqyteteve të tjera evropiane, ndoshta edhe të ngjiten një
shkallë më lart në qeverisje.
Sensi probabilitar i përdorur
në fjalinë e mësipërme ka lidhje me
faktin se patja e rezultateve të ngjashme me të Edi Ramës
mund të jetë një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm,
për vazhdimin me sukses të karrierës politike të
kryebashkiakeve të ardhshëm tiranas. Probabiliteti për
vazhdimin e karriers politike mund t'iu ulet në qoftë se,
ashtu si në rastin e Edi Ramës, aktiviteti i tyre do të
rrethohet nga përfolje për korrupsion.
Për të hetuar rreth
kësaj hipoteze, mjafton të hidhet një vështrim i
shkurtër në karrierën e Edi Ramës si kryebashkiak.
Megjithëse shumë i sukseshëm në fitimin e zemrave
të bashkëqytetarëve të tij nëpërmjet rezultateve
të arritura, ai ka qënë nën sulm të vazhdueshëm
për shkak të dyshimeve që mbizotrojnë në opinionin
publik rreth abuzimeve që mund të ketë bërë
me fondet publike. Sulmet i kanë ardhur nga të gjitha drejtimet:
nga partia që e kandidoi (kujtoni sulmet e Fatos Nanos rreth abuzimeve
me paratë e koncertit "Scorpions" dhe paratë e fasadave
të ministrive); nga shtypi (kujtoni sulmet e Gazetës Shqiptare
kur kryebashkiaku preku në kallo interesat ekonomike të gazetës);
nga shoqeria civile (kujtoni sulmet e ashpra të Fatos Lubonjës);
dhe natyrisht nga opozita, e cila cdo përfolje për korrupsion
të politikanëve të pozitës e sheh si një oportunitet
për fitimin e më shumë votave në zgjedhjet e ardhshme.
Për shkaktë të efektit "ku ka zë nuk është
pa gjë", të gjitha këto sulme mund të kenë
si rezultante uljen e probabilitetit të rizgjedhjes së Edi
Ramës në postin e kryetarit të bashkisë së
Tiranës.
Që analiza e precedentit
Edi Rama të jetë sa më realiste, është e
nevojshme të evidentohet se, në kushtet e mbizotërimit
të kulturës së thashethemeve në kafenetë shqiptare,
është e vështirë që një politikan të
krijojë imazhin e të pakorruptuarit. Por gjithashtu vlen të
evidentohet se disa politikanë shqiptarë, pavarsisht se mund
të jenë atakuar për arësye të tjera, nuk janë
sulmuar ndonjëherë për korrupsion. Kështu p.sh.,
Sali Berisha mund të jetë etiketuar si i çmendur, por
asnjëherë si hajdut; Pandeli Majko mund të jetë
etiketuar si i papjekur, por asnjëherë si abuzues i fondeve
publike; Eduard Selami mund të jetë etiketuar si politikan
që nuk sakrifikon shumë për vendin e tij, por asnjëherë
si i korruptuar.
Në mënyrë të
përmbledhur, paragrafët e mësipërm analizuan se
ç'vlerë mund të ketë precedenti Edi Rama për
kryebashkiakët e ardhshëm tiranas.Në se do ta bëjnë
ata një analizë të ngjashme me të mësipërmen,
I ngelet të ardhmes ta vërtetojë. Por sidoqoftë,
një gjë mund të thuhet që sot: shanset e tiranasve
për të patur më shumë rrugë të shtruara
e të ndriçuara, më shumë parqe të gjelbëruara
e të pastruara, dhe më shumë lagje të evropianizuara
do të rriteshin ndjeshëm në qoftë se kryebashkiakët
e ardhshëm do ta bënin një analizë të tillë.
Eduard Zaloshnja, Ph.D.
Associate Research Scientist
Public Services Research Center
Pacific Institute for Research and Evaluation (PIRE)
11710 Beltsville Dr., Suite 300
Calverton, MD 20705
Phone: 301.755.2734
Fax: 301.755.2799