Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

 

Lufta në Irak : Pro apo kundër, me Amerikën apo kundër saj

Nga Ajet Nuro

Një fjalë e urtë shqiptare thotë "Të më rrojnë ata që më duan në të keq se në ditë të mira s'kam nevojë"

Para disa kohësh duke biseduar me një mikun tim nga Kosova rreth pavarësisë së Kosovës dhe se dy senator amerikanë i kanë sugjeruar Kongresit njohjen e pavarësisë, miku im mu kthye : Po, por amerikanët me Irakun….Nuk e di se çfarë donte të thoshte saktësisht por unë iu ktheva dhe i thash se ne jemi një komb i vogël dhe duhet të ruajmë të ndenjurat tona sepse tek e fundit njeri nuk na pyet në çështje të mëdha. Shkurt të shikojmë interesat tona. Miku im më dha dorën dhe më tha: Ashtu është, s'ka si të jetë ndryshe.

Por çështja Irak nuk është mbyllur dhe jo vetëm të gjithë e ndjekin me vëmendje por pak a shumë të gjithë po bëhen ekspert në çështjet e luftës apo paqes. Pra nga të gjitha anët po diskutohet se si të zgjidhet çështja " IRAK ". Manifestimet kundër Luftës nga e gjithë bota të japin pështypjen se Amerika dhe administrata Bush është shkaktarja e luftës dhe se irakenët po bëhen viktima. Pra Amerika nuk është për paqe? Amerika nga kampion i demokracisë na qenka kthyer në shkelësin më të rëndë të atyre principeve që të gjithë do të donim të triumfonin në gjithë botën?! Gjithësesi Jo. Siç e tha dhe presidenti Bush, lufta është zgjedhja e fundit që Amerikës i ngelet. Por kush di të analizoj ngjarjet dhe di të ndjek logjikën e zhvillimeve e kupton shumë mire se ajo është e paevitueshme.

Lufta në Irak nuk drejtohet kundër irakenëve por është edhe për të mirën e tyre. Nëse ka argument që qarkullon këto ditë kundër luftës në Irak, më kryesori është populli iraken që vuan. Një luftë e mundëshme do ti shtonte vuajtjet. At'here populli iraken duhet të vazhdoj ende të vuaj sepse është i vuajtur?

Gjithë sa janë për zgjidhje paqësore janë anti-amerikanë ?

Gjithësesi jo. Ndër ata që janë për zgjidhje paqësore grupohen njerëz që nga natyra janë të lindur për luftë por që interesi i tyre nuk përputhet me opsionin amerikanë. Por nëse një pjesë e mire e klerit katolik, protestant etj etj përpiqet që të realizojnë paqen pse ky është një mission i shenjtë kjo nuk do të thotë se ata janë anti-amerikanë. Por nëse rusët janë kundër një ndërhyrje në Irak gjithsesi nuk mund të themi se kjo bëhet nga pozita pacifiste. Po ashtu gjithë levizjet e majta që i kanë patur amerikanët në shënjestër për kaq e kaq kohë s'kanë se si ta lënë rastin tu shpëtoj.

Po ne shqiptarët ?

Është stërthënë që ne shqiptarët për njëmijë e një arsye kemi raporte të privilegjuara me Shtetet e Bashkuara. Por në këtë rast çfarë qëndrimi duhet të mbajmë?
Një gjë duhet të bëhet e qartë që shqiptarët gjithsesi nuk tregojnë servilizëm nëse rreshtohen në krah të Amerikës. Por dhe të themi të drejtën zëri ynë mbase nuk ngre dhe aq peshë por sidoqë edhe sikur thjesht për të kënaqur veshët tanë ne duhet ta themi atë që ndjejmë : Jemi me amerikanët si miku në ditë të vështirë. Jemi përkrah amerikanëve qoftë edhe në luftë, luftë që bëhet për të siguruar paqen.

Ajet Nuro

Montreal, Kanada
19 shkurt 2003

 
© albemigrant.com 2003