Konflikti në
Irak dhe gjysmë diplomacia evropiane
Nga Arben Çokaj
Para se publiku i gjërë
të njihej me planin amerikan për luftë kundër Irakut
dhe ndryshimin e sistemit diktatorial iraken, sinjale të qarta
u dhanë nga kancelari gjerman Gerhard Shrëder, në fushatën
elektorale të shtatorit të kaluar. Do mbahet mend për
shumë kohë thënia e tij elektorale: Asnjë
ndërhyrje në Irak!. Dhe kur Shrëder e pa se kjo
gjë e frigonte popullin gjerman, e ai kështu po fitonte pikë,
ai e theksoi edhe më shumë iniciativën e tij paqësore
për konfliktin në Irak, saqë tashmë e ka kthyer
atë në një iniciativë të hapur politike, e
cila nuk duket se do kalojë pa probleme të mëdha.
Është bërë
tashmë e qartë për këdo, se Shrëder e fitoi
edhe një herë pushtetin në Gjermani, në zjedhjet
e 22 shtatorit 2002, duke përdorur pikërisht fatkeqësinë
e përmbytjeve të ndodhura në Gjermani, në atë
fund-vere nga lumi Elba, dhe kërcënimin e luftës në
Irak.
Sa i përket fryrjes së
lumejvë që vinin nga Rusia, si rezultat i reshjeve të
shumta në atë kohë vere, askujt nuk i shkoi ndërment
të krijojë lidhjen e kësaj ngjarjeje të natyrës,
me rreth 500 milion Euro, që kancelari Shrëder i dha kolegut
të tij rus Putin, disa javë para se këto përmbytje
të ndodhnin. Fill pas zgjedhjeve të përgjithëshme
të shtatorit 2002 në Gjermani, u bë e qartë publikisht
se, shteti gjerman i drejtuar nga kancelari Shrëder, ishte në
një krizë të thellë ekonomike, me një borxh
të brendshëm prej 36 miliardë Eurosh.
Sidoqoftë, Shrëder e
përdori shumë bukur faktin e përmbytjeve në Gjermani,
për të dalë vetë mbi ujë, dhe panikun për
një luftë të mundshme në Irak, që gjermanët
të harronin numrin e lartë të papunësisë. Por
kjo gjë nuk vazhdoi gjatë, se një pasiguri e madhe i
ka kapur zgjedhësit gjermanë, pas gënjeshtrave elektorale
të kancelarit të tyre, i cili synoi më pas të rrisë
kursimet inteligjente, siç do i quante ai tatimet,
dhe rritja e çmimeve në Gjermani, po e bën natyrshëm
më të vështirë jetën e qytetarëve gjermanë.
Gjatë fushatës elektorale
të shtatorit të kaluar në Gjermani, amerikanët reaguan
përmes Kondelenza Rais, e cila pohoi se marrëdhëniet
Uashington-Berlin janë helmuar. Më pas Shrëder
dhe partia e tij socialdemokrate do pësonin një humbje të
thellë në zgjedhjet lokale për dy lande në fillim
të shkurtit, ku Shrëder u detyrua publikisht ta mbajë
përgjegjësinë mbi vete, për këtë humbje.
Në lidhje me Irakun, diplomacia
gjermane, me në krye taksistin më të famshëm në
botë, të gjelbërin Joshka Fisher, vazhdoi në të
njëjtën linjë, për të treguar edhe një
herë, se kur gjermani thotë një gjë e ka thënë
gjermani. Zoti i ruajtë të mos ndeshin në ndonjë
hundëlesh...
Në një intervistë
televizive, ministri i mbojtjes amerikane, Ramsfeld, sqaroi para disa
ditëve se ky problem që paraqet qeveria gjermane këto
ditë, e cila në të vërtetë është
rreshtuar me Kubën dhe Libinë, është një problem
evropian; evropianët nuk kanë një mendim të
përbashkët. Në një konferencë shtypi,
Ramsfeld përmendi një fjalë të urtë amerikane:
Nëse ndodhesh në një vrimë, mos gërmo
më thellë!. Nuk ka dyshim, që këtu, ai e kishte
fjalën për qeverinë gjermane, të drejtuar nga kancelari
Shrëder.
Por Shrëder po i tregon atij,
se qeveria gjermane nuk ka ndërmend ti ndalojë gërmimet,
pasi Shrëder po mundohet me të gjitha mënyrat, të
krijojë një bosht të ri anti-amerikan për luftën
në Irak, dhe po mbështetet edhe nga Franca, Rusia dhe Kina.
Shrëder po krijon kështu aleatë të rinj, në
përpjekje për të izoluar SHBA-të...
Nisur si një rastësi
në një fushatë elekrorale, konflikti në Irak, ose
lufta për arin e zi, po bëhet temë e gjërë
diskutimesh dhe mosmarrëveshje të reja po dalin në dritë.
Kancelari Shrëder vepron si në panik, kjo falë karakterit
e njohjes së tij, dhe paraqet në vetvete një person që
vepron nga dëshpërimi. Ai ka filluar të kritikohet edhe
nga shtypi gjerman, se po kryen veprime të pa matura, dhe pa u
konsultuar mirë diplomatikisht, gjë që u pa edhe nga
udhëtimi i tij në Spanjë, nga ku u kthye me duar bosh.
Kundërshtia gjermane për
administratën amerikane, në lidhje me konfliktin në Irak,
është bërë sot një temë e ditës.
Në qendër të vëmendjes është përsëri
kancelari gjerman Shrëder, i cili provoi dje dështimin e tij
të parë personal, në këtë fushatë kundër
luftës në Irak, kur kryeministri spanjoll Oznar, i deklaroi
atij, se Spanja nuk do të luajë asnjë milimetër
nga deklaratat e mëparshme në mbështetje të SHBA-ve.
Është tipar i strukturave
të sotme gjermane, fenomeni psikologjik të gjithë
bashkë. Institucione të ndryshme gjermane, në dukje
të pavarura, bëhen bashkë në të njëjtin
mendim, për probleme të ndryshme në vend, dhe këtë
gjë e synon kancelari Shrëder, ta shtrijë edhe më
gjërë në Evropë.
Por dalja hapur kundër planeve
amerikane, lidhur me konfliktin në Irak, duke mbrojtur një
diktator si Sadam Huseini, është një kafshatë që
nuk mund të kapërdihet nga të gjithë evropianët.
Edhe shteti shqiptar, psh. është rreshtuar përkrah amerikanëve,
në luftën kundër terrorizmit.
Në planin makro-politik,
kemi të bëjmë këtu me një dyzim mendimi evropian,
që për amerikanët është vështirë
të kupohet. Kjo vjen edhe nga fakti se, Evropa përbëhet
nga shtete nacionale, me një traditë nacionale, dhe bashkimi
për ta është pikërisht përfitimi nacional,
që ata mund të kenë përmes bashkimit. Por ndonëse
punohet, që Bashkimi Evropian të ketë një politikë
të përbashkët, përsa i përket sigurisë
dhe mbrojtjes, e që përfaqësohet nga Solana, akoma nuk
është arritur që të ndërtohet struktura e nevojshme,
e cila të japë një mendim unik, në emër të
të gjithë evropianëve, për një problem të
caktuar, siç është ky me konfliktin në Irak.
Gjithashtu, liderë të
shteteve të ndryshme evropiane, mund të thonë një
mendim të tyre sporadik, të hedhin një ide, në bazë
të disa interesave të caktuara, siç bëri edhe
Shrëder me kofliktin në Irak, dhe mendimi evropian, ose duhet
të mbështesë kancelarin Shrëder, ose ta kundërshtojë
atë. Pra përsëri, do kemi një gjysmë diplomacie
evropiane, e cila për probleme të mëdha, e ka vështirë
të jetë unike.
Konflikti në Irak, po ravijëzon
gradualisht krijimin e dy blloqeve politikë. Brenda NATO-s kanë
lindur të çara të mëdha, të cilat hedhin
pikëpyetje mbi ekzistencën e aleancës veriatlantike.
Franca dhe Belgjika i bashkohen Gjermanisë në veton që
duan të vënë në NATO, për të mos e ndihmuar
Turqinë, nëse ajo sulmohet nga Iraku në rastin e një
konflikti. Me këtë gjë ata synojnë që të
parandalojnë konfliktin, duke mos menduar mirë për mënyrën
dhe kohën kur deklarojnë për gjëra të tilla.
Boshtet tradicionalë politikë,
në politikën globale, të cilat njihen si boshti anglo-sakson
dhe ai franko-rus, po ndeshen këto ditë me një fenomen
të ri: daljen në dritë të diplomacisë gjermane,
dhe radhitjen e saj përkrah këtij boshtit të fundit.
Veprimet e kancelarit Shrëder
u kritikuan ashpër dje nga opozita gjermane, dhe kryetarja e unionit
demokristian, Merkel, theksoi se, veprimet e kancelarit po krijojnë
gradualisht një situatë të rrezikshme për Gjermaninë,
ndërkohë që kryetari i unionit kristian-social, Shtoiber,
kërkoi që ideja e vetos për të mos ndihmuar Turqinë,
në rastin e një konflikti të mundshëm, duhet të
tërhiqet menjëherë.
Kancelari Shrëder, i cili
mundohet të maskojë difektet e politikës së tij
të brendëshme ekonomike dhe punësimit, përmes hapjes
së temave të reja të diskutimit, si ky me konfliktin
në Irak, e ka vënë sot më shumë se kurrë
në pikëpyetje, vazhdimësinë e qeverisjes së
tij, në krye të këtij vendi evropian, një nga vendet
më të industralizuara të botës.
Ka shumë mundësi, që
koalicioni i kuq-gjelbër, që drejton sot Gjermaninë,
të mos i rezistojë gjatë krizave të mëdha ekonomike,
me të cilat ndeshet në politikën e brendshme, dhe dalja
hapur e kancelarit Shrëder kundër interesave amerikane në
Irak, ndonëse rrit një patetizëm nacional për disa
gjermanë, mund edhe të përbëjë një precedent
më shumë, për izolimin e Gjermanisë, dhe kursin
e saj kundër aleancave të deri-tanishme, të cilat çuan
në bashkimin e saj.
Arben Çokaj
12 shkurt 2003