Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

E Djathta dhe Shërbimet Publike

Nga Eduard Zaloshnja

Të qënit punonjës i Qendrës Studimore për Shërbimet Publike në
"Pacific Institute for Research and Evaluation" më ka bërë që
t'i lexoj më me vëmëndje artikujt që trajtojnë të metat e
shërbimeve publike në Shqipëri. Nga katalogimi i ketyre artikujve
dhe nga biseda me miq e të afërm, kam hartuar një listë të këtyre të
metave, si dhe ideve rreth eleminimit të tyre. Në fushën e shëndetsisë,
listën e të metave e kryeson cilësia e dobët e përkujdesjes në klinikat
dhe spitalet publike per njerezit qe nuk jane ne gjendje të paguajnë
para nën dorë. Lista vazhdon me amortizimin dhe cilesinë e dobët të
aparaturave dhe pajisjeve të tjera në këto klinika dhe spitale, abuzimet
me fondet e investimeve ne to, abuzimet me fondet e Institutit të
Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor, etj. Në fushën e arsimit, listën e të
metave e kryeson mungesa e interesit të mësuesve të shkollave publike
për rezultatet e nxënësve të tyre, e cila pasohet me nivelin e ulët
te civilizimit në ambjentet shkollore, me presionet që iu bëjnë mësuesit
prindërve për t'iu bërë konsultime private nxënësve të tyre, etj. Në
fushën e sigurimeve shoqërore, listën e te metave e kryeson niveli i
ulët i pensioneve, i cili pasohet nga cilesia e dobët e shërbimit,
abuzimet me fondet e sigurimeve shoqerore, etj.

Në debatin publik shqiptar rreth këtyre shërbimeve, vihet re një
tendencë për të theksuar rolin e shtetit në përmirsimin e tyre. Në
skenën botërore politike, kjo përqasje është karakteristike e të
majtës. E djathta, në të kundërtën, e vë theksin tek privatizimi.
Duke patur parasysh shijen e keqe që ka lënë në kujtesën e shqiptarëve
koha kur gjithçka kontrollohej nga shteti, është e natyrshme që përqasja
e djathtë të merret në konsideratë në debatin për përmirësimin e
shërbimeve publike. Është gjithashtu e natyrshme që inisiativën e
diskutimit publik të kësaj përqasje ta marrin partitë e djathta, te
cilat pak kanë demonstruar deri më sot një dallim të qartë nga partitë e
majta në filozofinë e tyre politike.

Në fushën e shëndetsisë, e djathta shqiptare mund të marrë ide nga
sistemi shëndetsor amerikan si dhe nga inisiativa e fundit e presidentit
Bush për të privatizuar Medicare. (Medicare është sistemi që garanton
siguracione shëndetsore falas për të gjithë pensionistët amerikanë.)
Kështu, e djathta shqiptare mund të propozojë që të gjitha klinikat
dhe spitalet shtetërore të privatizohen nëpërmjet dhënjes me qera
personelit që sot punon në to. Paralelisht me privatizimin e spitaleve
dhe klinikave, është e natyrshme që të privatizohet edhe Institutiti i
Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor dhe të hapet tregu për kompani të
tjera private të sigurimeve te kujdesit shëndetsor.

Një skemë e tillë padyshim që do të penalizonte pensionistët, te cilët
përbëjnë shtresën më të varfër të popullsisë. Për këtë shtresë, për
punonjësit buxhetorë, si dhe për shtresat e tjera me të ardhura të
vogla, do t'i duhej shtetit që të krijojë një fond për blerjen e
siguracioneve shëndetsore nga kompanitë private te sigurimeve. Për
financimin e ketij fondi do të shërbenin paratë që sot harxhohen për të
mbajtur në këmbë sistemin publik të shëndetsise dhe Institutin e
Sigurimeve të Kujdesit Shëndetsor, si dhe paratë që do të mblidhen nga
qeratë e spitaleve dhe klinikave të privatizuara. Për punonjësit jo
shtetërorë, punëdhënësit mund të detyrohen me ligj që t'i pajisin
punonjësit e tyre me siguracione shëndetsore. Me pak fjalë, kjo skemë
financimi iu siguron kujdes shëndetsor falas atyre që nuk kanë mundësi të
paguajnë nga xhepi i tyre, ndërkohë që ia le barrën e vetëkujdesjes
shtresave te pasura.

Duke u nisur edhe nga eksperienca personale, mendoj që një sistem i
privatizuar shëndetsor do të realizonte tre objektiva. Së pari, si
rezultat i konkurencës, ai do të ofronte një shërbim më cilësor. Së
dyti, duke punuar për veten e tyre dhe jo për shtetin, mjekët nuk do të
kërkonin më para nën dorë. Se treti, duke qënë se pagesat për shërbimet
mjeksore dhe medikamentet e marra me recetë do të bëheshin nga kompanitë
private të sigurimeve, abuzimet financiare do të reduktoheshin në mënyrë
të ndjeshme. Në ndihmë të realizimit të objektivit të fundit, është edhe
pajisja që planifikohet t'iu bëhet të gjithë shqiptarëve me kartë
identiteti vështirësisht të fallsifikueshme. Një kartë e tillë do
t'iu jepte mundësinë kompanive private të sigurimit shëndetsor të
kontrollonin faturat e klinikave, spitaleve, dhe farmacive nëpërmjet
numrit identifikues të kartave.

Në fushën e arsimit, ideja e kuponizimit te arsimit 12 vjecar, të cilën
shumë mendimtarë të djathtë amerikanë e kanë sugjeruar vitet e fundit,
mund të applikohet edhe në Shqipëri. Në thelb të kësaj ideje qëndron
maksima "konkurenca përmirson shërbimin". Propozuesit e kuponizimit
sugjerojnë që fondet mos t'iu jepen shkollave publike, por t'iu
jepen prindërve në formë kuponash personalë. Prindërit mund t'i
përdorin këto kupona për të paguar shkollën në të cilën ata pëlqejnë
të dërgojnë fëmijtë e tyre. Në një sistem të tillë, si kudo në ekonominë
e tregut, shkollat që thithin më pak nxënës eventualisht falimentojnë.


Në Shqipëri, sistemi i kuponave do të ishte mirë të aplikohej vetëm për
ato familje që aktualisht nuk e kanë mundësinë financiare t'i dërgojnë
fëmijët e tyre në shkollat private. Duke grumbulluar fondet që sot
harxhohen per arsimin publik 12 vjecar dhe të ardhurat nga qeraja që do
të paguanin shkollat e sapoprivatizuara, mund te krijohej një fond i
mjaftueshëm për të pajisur me kupona të gjithë ata që sot detyrohen
t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat publike. Në këtë mënyrë të
gjithë prindërve, si të pasurve ashtu edhe të varfërve, do t'iu
krijohej mundësia që të zgjedhnin shkollën më cilësore për fëmijët e
tyre.

Për privatizimin e sigurimeve shoqërore, Shqipëria mund të ndjekë
shëmbullin e Kilit, i cili fillimisht privatizoi pjesën e fondit që
mbulonte paftesine e perkohshme dhe te përhershme për punë, dhe pastaj
gradualisht privatizoi fondin e pensioneve. Mbulimi i paaftësisë për
punë në Shqipëri mund të përfshihet pa shumë vështirsi në siguracionet
shëndetsore sipas sistemit të përshkruar më lart. Ndërsa për pensionet,
do të duhej një proçes më i gjatë. Fillimisht, do të duhej të
privatizohej Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si dhe të lejohet futja e
bankave dhe kompanive të tjera financiare në tregun e pensioneve
private. Më pas, shtetit do t'i duhej të financonte një pjesë të mirë
të fondeve për mbulimin e llogarive të pensionistëve aktualë, deri sa të
arrijë momenti që të gjitha llogaritë e pensioneve të jenë të
vetëfinancuara. Kilit iu desh rreth 10 vjet që ta përfundonte
plotësisht privatizimin e fondit publik të pensioneve. Por në
përfundim të privatizimit, inefiçencës ia zuri vendin efiçenca.
Kilianët nuk i dërgojnë më taksat e sigurimeve shoqërore në një fond të
madh anonim, i cili nuk sjell asnjë fitim nga interesi. Ata kanë tani një
opsion më të mirë --i dërgojnë taksat në llogari private, të cilat me
kalimin e kohës akumulojnë fitimin nga interesi.

Nga parashtrimi qe i bëra skemave të mësipërme të privatizimit,
kuptohet qartë që unë besoj se dy skemat e para të privatizimit mund të
mos të kërkojnë ndonjë financim nga buxheti. Te njëjten gjë nuk mund ta
them për skemën e tretë. Ajo besoj se do të ketë nevojë për një patericë
buxhetore për nje periudhë ndoshta 10-15 vjecare. Një zgjidhje të
djathtë për rritjen e të ardhurave buxhetore që do të mbulonte
shpenzimet suplementare të privatizimit të pensioneve do të ishte ajo
që, ironikisht, e ka parashtruar për herë të parë një
ish-kryeministër i majtë. Është fjala për privatizimin e doganave,
sugjeruar vitin e kaluar nga Pandeli Majko. Ndërkohë që ideja e Majkos
nuk mund të gjejë përkrahje midis të majtëve, iu ngelet partive të
djathta që ta riaktivizojnë propozimin e Majkos për privatizimin e
doganave. Në të njëjtën kohë, në qoftë se ato me të vërtetë kanë
përqafuar filozofinë politike të djathtë, duhet të iniciojnë sa më
shpejt debatin rreth privatizimit te shërbimeve publike. Vetëm vullneti
I një blloku të fuqishëm politik për hapjen e këtij debati mund të
tërhiqte vëmendjen e ekspertëve dhe publikut per ta marrë seriozisht
në konsideratë privatizimin e shërbimeve publike. Ne mungesë të këtij
vullneti, artikuj si ky që sapo lexuat thjesht zhyten në thesin e
harresës.


Eduard Zaloshnja, Ph.D.
Associate Research Scientist
Public Services Research Center
Pacific Institute for Research and Evaluation (PIRE)
11710 Beltsville Dr., Suite 300
Calverton, MD 20705
Phone: 301.755.2734
Fax: 301.755.2799

 
© albemigrant.com 2003