Shtajneri, politikanët
kosovarë dhe statusi
Nga Arben Çokaj
Ky artikull është botuar
në gazetën "Shekulli"
Në fjalimin e tij përpara
Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeadministratori
i Kosovës Mikael Shtajner përqendrohet në pesë pika
kryesore, ndonëse ai mundohet të japë një imazh,
se populli i Kosovës kërkon gjëra të tjera, që
kanë të bëjnë me vendet e punës, sigurinë
dhe shumëetnicitetin, ndërsa politikanët kosovarë
kërkojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës sa më
parë.
Sipas Shtajnerit, kërkesat që bën popullsia e Kosovës
para tij dhe bashkësisë ndërkombëtare, janë
në përputhje të plotë me kërkesat e vetë
komunitetit ndërkombëtar. Pra, Shtajner e merr popullin me
vete, por nuk përton të kritikojë politikanët kosovarë
- si pjesë e popullit, të cilët interesohen më tepër
për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës
(që është pavarësia), duke i quajtur nganjëherë
organet e zgjedhura nga vota e lirë e popullit, si institucione
të përkohshme, sidomos në lidhje me kalimin e kompetencave.
Nga ana tjetër, Shtajner përmend edhe politikanët e Beogradit
dhe pika e katërt e fjalimit të tij përqendrohet pikërisht
në fillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë
Prishtinë-Beograd. Këtu fillon edhe privilegji, që bashkësia
ndërkombëtare i bën serbëve në lidhje me Kosovën.
Zgjedhja e terminologjisë në fjalimin e Shtajnerit mundohet
të paraqesë situatën në Kosovë, pa i rënë
në qafë askujt, e sidomos duke u munduar të mos
acarojë marrëdhëniet me politikanët serbë,
të cilët megjithatë janë shprehur herë pas
here kundër rolit të UNMIK-ut në Kosovë. Duhet të
kemi parasysh një fakt: Kosova vërtet duhet të ketë
standarde, që të mund të qëndrojë në këmbë
e pavarur. Për presidentin Rugova këto standarde plotësohen
më mirë, në rastin e njohjes së një pavarësie
sa më parë, ndërkohë që për kryeadministratorin
Shtajner, standardet duhet ti paraprijnë statusit. Duket
se kemi të bëjmë me një lojë fjalësh.
Ajo që është e qartë për ne, është
fakti se, çdo qytetar shqiptar i Kosovës dhe disa pakicave
në Kosovë, e sheh të ardhmen e tij në një Kosovë
të pavarur dhe si kusht kryesor e të vetëm për të
jetuar në siguri e qetësi dhe për të mundësuar
investimet e huaja në Kosovë. Këtë gjë e kërkojnë
të gjithë politikanët kosovarë gjë që
fatkeqësisht nuk përmendet qartë nga Shtajneri, në
fjalimin e tij para KS të OKB-së. Pavarësia e Kosovës
kundërshtohet nga Beogradi, dhe nga pakica serbe në Kosovë.
Kjo është e natyrshme. Për Beogradin dhe serbët
në përgjithësi, edhe sot do të vazhdonte shpërngulja
e shqiptarëve nga vatrat e tyre në Kosovë. Por kjo u
ndal një herë e përgjithmonë, dhe realiteti ndryshe
në Kosovë, nuk duhet të lejohet të precipitojë
në një konflikt të ardhshëm, siç mund të
ndodhte në rastin se vullneti i shumicës në Kosovë
nuk do respektohej. Duhet të bëhet edhe diplomatikisht e qartë
për serbët vetë, se Kosova nuk është më
pronë e Beogradit, dhe se Beogradi nuk ka pse të pretendojë
të bëjë rendin e ditës në Kosovë. Kush
janë serbët në këtë rast, që duhet të
respektohen kaq shumë?... Pakica serbe në Kosovë, bën
që Beogradi ti lejojë vetes të drejtën mbi
Kosovën është njëlloj, sikur Turqia të
kërkonte të diktonte politikën e Berlinit, sepse ka mbi
3 milionë turq në Gjermani. A nuk duket paradoksale edhe për
zotin Shajner, të këmbëngulë në prioritetin
e tij për një shoqëri multietnike në Kosovë,
vetëm për hir të 3-5 % serbëve, që përbëjnë
popullsinë e Kosovës? Asnjë shtet evropian, nuk konsiderohet
multietnik me një sasi kaq të vogël minoriteti brenda
një shteti nacional. Në Maqedoni kemi rreth 40 % shqiptarë,
dhe maqedonët përpiqen me të gjitha mënyrat për
të mos i njohur të drejtat e shqiptarëve si shtetformues.
Këtë po e shohim çdo ditë me zhvillimet në
Maqedoni.
Duke përfituar nga tradita mikpritëse shqiptare, dhe respekti
tradicional shqiptar për të huajin (që ka ardhur me siguri
edhe nga një ndjenjë inferioriteti e imponuar nga pushtimi
shekullor osman), ndërkombëtarët në Kosovë
dhe serbët vetë, mundohen të përfitojnë mbi
kurrizin e shqiptarëve, duke mos u njohur atyre atributet, që
shqiptarët duhet të kenë. Kjo gjë është
më e theksuar në Maqedoni, dhe nuk përjashtohet tendenca
e paraqitjes së shqiptarëve si racë inferiore
gjë që nuk ka pse të jetë e vërtetë. Kosovarët
duhet të këmbëngulin deri në egoizëm për
të drejtat e veta, siç bëjnë fqinjët tanë
grekë e sllavë. Vetëm në këtë rast, ata
do mund të kuptohen edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Kemi të bëjmë këtu edhe me një lloj psikologjie
sunduese, e cila synon të favorizojë vazhdimësinë
e privilegjeve, që i duhet dhënë racës serbe, edhe
pse struktura e popullsisë në Kosovë flet me parametra
të tjerë. Edhe në rastin e një Kosove të pavarur,
gjë që është plotësisht e mundur, serbët
vetë mundohen të paraqesin një precedent ndarjeje të
Mitrovicës kjo u duk në përpjekjen e tyre të
fundit, pas takimit në Beograd, që të formonin unionin
e komunave serbe në Kosovë. Kjo për analogji, do ishte
njëlloj sikur turqit e Gjermanisë, të kërkonin krijimin
e unionit të komunave turke në Gjermani... (!?)
Pra, janë serbët ata që nuk duan të kuptojnë
lojën e shetit ligjor e demokratik në një vend, dhe i
frigohen pavarësisë së Kosovës, e cila vjen natyrshëm
përmes kalimit të kompetencave drejtuese të UNMIK-ut
tek institucionet e përhershme vendore. Theksoj të përhershme.
Serbët duan në këtë rast, si gjithmonë, të
kapin "kofshën e luanit" në Kosovë dhe interesat
e tyre atje, të jenë sa më të forta. Kaq e paturpshme
mund të jetë qënia njerëzore. Serbëve nuk iu
vjen aspak keq për tragjedinë e krijuar ndaj popullit shqiptar
të Kosovës dhe akoma nuk kanë kërkuar falje. Në
vend që serbët të heshtin e të kujtohen për
dëmshpërblimin që shteti serb ia ka borxh Kosovës,
të mbajtur për vite me radhë si koloni me dhunë,
ata i lejonë vetes edhe të kërkojnë pjesë.
Por përderisa në politikë nuk thotë kush se duhet
të kesh fytyrë e ndjenja, atëherë pse shqiptarët
duhet ti kenë këto?
Serbët e Kosovës, të cilët nuk i kanë përlyer
duart me gjak shqiptar, nuk kanë pse të kenë frikë
nga shqiptarët, e aq më tepër nga pavarësia e Kosovës.
E vërteta është se shqiptarët përgjithësisht
janë më tolerantë dhe më njerëzorë se
vetë fqinjët e tyre, dhe për këtë kemi humbur
shumë. Kemi rastin e Shqipërisë, ku pakicat greke, malazese
e maqedonase atje, respektohen si qytetarët e tjerë, bile
edhe më shumë. Sa i përket minoritetit grek në Shqipëri,
ata kanë shkollat e tyre në gjuhën greke deri në
nivel universitar. Po çamët e arvanitët shqiptarë
në Greqi? Asnjë të drejtë, përveç të
drejtës për të jetuar atje (kush i ka shpëtuar gjenocidit
grek pas luftës së dytë botërore) si qytetar grekë
të asimiluar. Aq më tepër kur Greqia është
anëtare e Bashkimit Evropian...
Këto standarde duhet ti ketë parasysh edhe zoti Shtajner.
Ti referohet vendit të tij Gjermanisë dhe të shohë
objektivisht respektin që tregojnë institucionet gjermane
për të huajt në Gjermani. Ti referohet Greqisë
në lidhje me respektimin e minoriteteve dhe multietnicitetit. Me
të drejtë lind pyetja: Çfarë standardesh kërkon
zoti Shtajner në Kosovë? Apo mos kemi të bëjmë
këtu me një lojë fjalësh...
Kosovarët kanë sot një klasë politike e intelektuale
relativisht të përgatitur mirë, për të marrë
në dorë fatet e popullit të vet, në një shtet
të pavarur e në fqinjësi të mirë me vendet
rreth tyre. Ata nuk kanë pse të manifestojnë komplekse
psikologjike nga e kaluara e tyre, por duhet të tregohen profesionalisht
të aftë dhe të patundur, në të drejtën
e tyre historike për të ardhmen popullit të vet. Shqiptarët
e Kosovës e kanë traditë që të respektojnë
pakicat e kombësive të tjera, dhe për këtë
mund të marrim si shembull edhe respektimin e pakicave në
Shqipëri.
Zhvillimi ekonomik i Kosovës mund të bëhet më mirë,
kur investitorët e huaj e dinë se investojnë në
një tokë që nuk rrëshqet pra në një
Shtet të Pavarur të Kosovës, e jo në një njësi
administrative me status të papërcaktuar. Dhe këtë
zoti Shtajner e kupton mjaft mirë, nëse ka parasysh faktin
se edhe në Berlinin lindor, biznesmenët gjermanë ngurrojnë
të investojnë, e jo më në Kosovën e administruar
nga ndërkombëtarët e pa status të përcaktuar.
Zhvillimet ekonomike do varen kryesisht nga vetë kosovarët,
në radhë të parë, të cilët duan njëherë
pavarësinë, në mënyrë që paratë e
kursyera në perëndim, të vijnë e ti investojnë
pa frikë në Kosovë, dhe njëkohësisht do ftojnë
edhe biznesmenët e huaj.
Zoti Shtajner duhet ta kuptojë, se pavarësisht optimizmit
të tij dhe njohjes që ka për realitetin, shumica e kosovarëve
kanë një përvojë të hidhur historike, që
është praktikisht më e fuqishme në ndërgjegjen
e tyre, sesa argumentet e tij diplomatike në lidhje me të
ardhmen e Kosovës. Kosovarët duan ta materializojnë të
drejtën e tyre mbi Kosovën, atëherë edhe mund të
ndjehen të lirë sa dhe si duhet.
Askush nuk thotë se krimi nuk duhet luftuar por lënia
gradualisht e sigurisë dhe rendit në dorë të vendorëve,
që njohin më mirë terrenin e mentalitetin, dhe me ndihmën
e asistencën e nevojshme profesionale e teknike të ndërkombëtarëve,
mund të sillte padyshim edhe një përmirësim të
luftës kundër krimit në Kosovë.
Sa i përket shumëetnicitetit për të cilin flet Shtajner,
si mëkëmbës i OKB-së në Kosovë, kjo është
jo relevante të flitet për të sot, e jo më të
jetë një prioritet i ndërkombëtarëve në
Kosovë. Shtajner dhe askush tjetër nuk ka pse kërkon
qiqra në hell në një Kosovë të
pasluftës. Shtajner dhe të tjerët duhet të ndërtojnë
shtetin ligjor e demokratik në Kosovë, dhe kjo i zgjidh edhe
problemet e minoriteteve, sepse respektimi profesional i ligjit, nuk
njeh kombësi.