Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

PËRGJIGJE NJË " DOAJENI TË PATRIOTIZMIT SHQIPTAR "

Reagim ndaj shrimeve të Shefqet Cakiqit të botuara në gazetën " Epoka e re "

Nga Sefedin Krasniqi

 

Para dy viteve, përkatësisht më 21 qershor 2001, një biçim gazetar, që

 

Lidhur me shkrimin

ia paska ngarkuar veti barrën të merret me analizat e shkrimeve të mia dhe me veprimtarinë time politike, më pati sulmuar duke shpifur kundër meje në gazetën " Epoka e re ". Me cilësinë prej shpifaraku, në shkrimin e tij, më kishte rezervuar profesione denigruese që kurrë në jetë s'i kam ushtruar. Atëherë pata vendosur mos t'i përgjigjem me bindjen se është informuar keq nga ndonjë smirëzi që fshihet pas tij, e vetë nuk guxon ta qesë kokën mbi sipërfaqe. Pastaj, si t'i përgjigjem dikujt që nuk e njoh as nuk më njeh, që nuk e kam parë kurrë as nuk më ka parë. Duke mos dashur të spekuloj, shpifjet e tij vendosa t'i konsideroj si tentim për goditje të ultë, të një personi që lufta mund t'i ketë shkaktuar plasaritje në tru dhe nuk dallon punëtorin e arsimit nga " pjesëtari i sigurimit ". Megjithatë, isha disi i bindur se edhe ky duhet të jetë anëtar i ndonjë tufe, që ndonjë pjestar i saj kur është nisur për Zvicër e ka harruar fyellin nën mriz, apo ndonjë bari që në vend të numrave themelor, loptë i ka numëruar me emrat : Laruka, Bala, Bardhana etj… Përveç këtij biçim gazetari, ka pasur edhe ndonjë kalemxhi, pakalem, që është marrë me shpifje të këtilla, por kurrë deri tash në ndonjë medium publik serioz. As këta kalemxhinjë nuk i kam përfillur, sepse po të kishin zbritur gabimisht nga treni Akropolis në Lugmirë (ish-Dobërlluka) të Vushtrisë do të argatshtonin, tre muaj, në qepë dhe speca duke pritur të paguhen në franga të bindur se janë duke punuar në Zvicër.
Pas një interviste të gjatë që e përgadita për gazetën " Bota sot " me Saim Tahirajn, bashkëluftëtar i heroit të kombit Salih Çekajt, për çudi, prap ky biçim gazetari, më 05 maj 2003, në gazetën " Epoka e re " i kishte përseritur pothuajse të njëjtat shpifje, sikur dy vite më parë. Ky është Shefqet Cakiqi-LLAPASHTICA, që i thënka veti ish i burgosur politik dhe hiqet për "kujdestar dhe analist lucid " i shkrimeve që botohen në gezetën " Bota sot " dhe kujton se është "doajen i patriotizmit shqiptar ". Çka është edhe më keq, ky e " mpreh shpatën për situatën " sa herë që dikush guxon të shkruajë apo flasë pa izën e tij për dëshmorët e kombit, për luftën apo për Kosovën. Me këtë farë " rojtari të shqiptarizmës" të cilin, e përseris, nuk e njoh fare, edhe kësaj radhe nuk do të merrem siç e meriton. Madje e injoroj me indiferencën më të madhe. Do të reagoj me të njëjten masë vatëm atëherë kur ata që fshihen pas tij do ta kenë guximin të shkruajnë me emër e mbiemër të vet. Me qyqarët dhe telallët e tyre s'kam punë !
Megjithatë, për opinion do t'i them dy-tri fjalë, jo për t'u rrëfyer, sepse s'i kam borxh askujt, sa për të respektuar maksimën " kur të shajnë mos hesht ". Pasi ky farë biçim gazetari spekulon vazhdimisht me qendrimet e mia në Francë, duke u kërkuar falje lexuesëve, padeshirë, po jap një rrugëtim të shkurtër të veprimtarisë sime :
Është e vërtetë se unë kam qëndruar disa herë në Francë. Herën e parë kam shkuar ende pa i " rënë fytyrës brisk ", si thotë populli. Në atë kohë kam qenë student në Universitetin e Prishtinës dhe vetëm sa i kisha mbushur 20 vjet. Po atë vit, veç studimeve të gjuhës frënge, në Paris (St. Cheron) pata mbaruar një kurs për edukator, i cili më ka mundësuar të punoj në Francë në cilësinë e edukatorit nëpër pushimore fëmijësh (colonies de vacances). Puna dhe qëndrimet në Francë më kanë mundësuar ta perfeksionoj gjuhën frënge. Kjo më ka ndihmuar shumë t'i mbaroj studimet në afat rekord duke fituar titullin profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge.
Pas diplomimit kam punuar në shkollën teknike, që atëherë quhej " 19 Nëntori " dhe shkollën e mesme " Shtjefën Gjeqovi " në Prishtinë. Kah fundi i vitit 1980, Komiteti Krahinor për Kulturë dhe Arsim në bashkëpunim me Bashkësinë Krahinore për Kulturë dhe Arsim patën shpallur konkurs për një mësues, i cili do të vazhdonte të organizojë mësimin plotësues për fëmijët e punëtorëve shqiparë përkohësisht të punësuar në Francë (Valentigney, Héricourt, Lure, Mulhouse).
Aplikova në këtë konkurs dhe veç kushteve që i plotësoja, një personalitet i rëndësishëm dhe me autoritet i asaj kohe më ka ndimuar te komisioni që të zgjidhem për këtë vend pune. Ai person edhe sot gëzon autoritet në Kosovë, por pasi konsiderohet i zhdukur nga regjimi i Milosheviqit dhe nuk dihet a është i gjallë apo i vdekur, kam vendosur të mos ia përmend emrin. Takimin me këtë person ma ka mundësuar profesori im i fakultetit Halit Halimi, i cili fatmirësisht kam dëgjuar që iu ka shpëtuar flakëve të luftës. Pasi kam udhëtuar me familje në Francë, katër vjet me radhë fëmijëve të shqiptarëve atje ua kam mësuar alfabetin e gjuhës shqipe në qytetet që i përmenda më lartë. Pas katër viteve jam kthyer në Kosovë dhe kam rifilluar punën, profesori i gjuhës frënge, në shkollat e lartëcekura.
Në vitin 1987, kam ardhë në Zvicër ku punoj edhe sot. Punën që bëj është mjaft me përgjegjësi dhe e dua shumë. Krahas kësaj pune, edhe në Zvicër, shtatë vjet me radhë, e kam organizuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe në kuadër të LAPSH-it. Një vit kam punuar në kuadër të shkollës zvicërane me fëmijët e ikur nga lufta e Kosovës. Ky vit, për mua, ka qenë shumë i vështir dhe emocional, sidomos kur fëmijët e ikur nga lufta rrëfenin për atrocitetet e përjetuara në Kosovë. Jam i bindur se ushtrimi i profesionit të punëtorit të arsimit, si në Kosovë, në Francë dhe në Zvicër, ka qenë puna më patriotike e jetës sime për të cilën jam krenar dhe do të jem gjithë jetën. A ka gjë më nobël sesa t'ua mësosh fëmijëve shqiptarë alfabetin e gjuhës amtare dhe t'i bësh të ndihen krenarë që janë shqiptarë? Çka ka më sublime sesa me fjalë t'ua sherosh plagët fëmijëve të ikur nga lufta ? Mu për këtë, profesionin e mësuesisë që e kam ushtruar gati njëzet vjet, të cilin e kam braktisur para tri viteve, do ta rinisë në fillim të vitit shkollor 2003/2004.
Gjatë luftës kam dhënë kontributin e duhur që është kërkuar prej meje, për të cilin nuk dua të flas, sepse është shumë i vogël në krahasim me kontributin e atyre që për çlirimin e Kosovës e kanë dhanë jetën apo ndonjë pjesë të trupit.
Meqenëse, një kohë relativisht të gjatë kam qenë afër shumë burimeve dhe informacioneve që tregojnë se ç'hile, kurthe e maska kanë ndodhur mes shqiptarëve gjatë luftës, tash tri vjet, përveç punës me të cilën e mbaj familjen, kam dhënë kontributin tim në zbardhjen e shumë ngjarjeve që lidhen me luftën çlirimtare të Kosovës. Nga kjo punë, përveç disa artikujve dhe intervistave, kanë parë dritën tri libra me motive nga lufta për të cilat kam dhënë kontribut të çmuar.
Në të ardhmen, edhe këtë veprimtari do të mundohem ta ushtroj me pasion pa u frikësuar nga kërcënimet që më kanë përcjellur, apo nga sharjet e pista të një tufe shpifarakësh, që vazhdojnë t'u rrinë shqiptarëve në qafë "për do merita të së kaluarës". Të njëjtit po mendojnë që e kanë nën jastak tapinë e Kosovës, të asaj Kosove, që për "meritat e tyre" sot ka mbetur as në tokë as në qiell. Mandej të njëjtit janë në gjendje të bëjnë pazar me Kosovën vetëm për ta shpëtuar kokën nga burgjet për krimet e bëra ndaj shqiptarëve.
Ky është reagimi im i parë dhe i fundit për gazetë apo për çfarëdo mjeti të informimit. Çdo vazhdim i çfarëdo lloji qoftë, punët do t'i çojë në gjyq Në Zvicër ka ligje dhe gjyqe që funksionojnë edhe kundër shpifarakëve.

(*Ky reagim iu ka dërguar gazetës " Bota sot" e cila nuk e ka botuar)

 



Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003