Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

 

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Si mund të bëhet realitet ëndërra BE...

Nga EDUARD ZALOSHNJA

Botuar ne gazeten Panorama

Njoftimi i stjuardesës se avioni po i afrohej Tiranës, e bëri ta
ndërpresë leximin e shënimeve që kishte mbajtur gjatë vizitës së tij
të fundit në Shqipëri. Kishin kaluar më se 6 vjet e gjysëm që atëhere,
dhe shumë pak i kishte qëlluar të dëgjonte për të gjatë këtyre viteve.
Sepse Shqipëria është nga ato vende të vogla, emri i të cilëve shfaqet
ndër titujt kryesorë të lajmeve amerikane vetëm kur iu ndodh ndonjë
katrahurë. Por së afërmi, emri i saj do të ketë shansin ta bëjë këtë gjë
për diçka të mirë që pritet t'i ndodhë - pas një muaji, në 14 dhjetor
2010, Shqipëria do të pranohet zyrtarisht në Bashkimin Europian.

Nga shënimet që kishte lexuar deri në momentin që e ndërpreu zëri i
stjuardesës, i kishte bërë përshtypje një koment i kryeministrit të asaj
kohe, i cili ishte tallur rëndë me premtimin e udhëheqësit të opozitës së
atëherëshme për antarësimin në BE brenda 2010-ës. Meqë kishte edhe disa
minuta kohë deri sa avioni të ulej në tokë, filloi të kërkonte për
komente që njerëz të tjerë kishin bërë rreth atij premtimi. Ndonëse jo
aq therës sa të Nanos (kështu quhej kryeministri i atëhershëm) edhe
komentet e tjera linin të kuptohej se premtimi ishte praktikisht i
parealizueshëm. Bënte përjashtim vetëm ai i sekretarit të mardhënieve
publike të partisë opozitare të asaj kohe, i cili, me fraza të
spërdredhura, ishte munduar të provonte se ajo që kishte premtuar
bosi i tij i kishte të gjitha gjasat të bëhej realitet.

***
Kishin kaluar 3 ditë nga mbërritja në Tiranë, dhe më së fundi, arriti të
takohej me njeriun që i kishte lënë më tepër mbresa në vizitën e fundit
- një gazetar vendas që atëhere i kishte pas thënë këto fjalë: "Le të
flasin sa të duan politikanët për integrim në Europë, por për shumë
shqiptarë, thelbi i vërtetë i Shqipërisë do të jetë diktatura e dikujt.
Janë të paktë ata që e shohin Shqipërinë nën qeverisjen e institucioneve
dhe jo nën zotërimin e një individi."

Pasi shkëmbyen kortezitë e rastit me kolegun shqiptar, i bëri pyetjen që
përbënte thelbin e artikullit për të cilin kishte ardhur në Shqipëri:
"Si shpiegohej ky fat i Hirushes ballkanike?" Kolegu shqiptar, pasi u
mendua ca çaste, ngriti gishtin nga qielli dhe tha: " Përgjigjen e kësaj
pyetje mund ta japë vetëm Zoti." Më tej, ai shpiegoi se në prillin e
2004-ës, kur Berisha (kështu quhej udhëheqësi i opozitës së atëhershme)
premtoi se partia e tij do të realizonte anëtarsimin e Shqipërisë në BE
brenda 6 vjet e gjysëm, asnjeri nuk mund ta imagjinonte dot se ai do të
pranonte të viheshin në krye të qeverisjes njerëz që i kishte pas
anatemuar më parë - vetë historia 14 vjeçare e partisë që ai drejtonte
nuk të linte asnjë shpresë për një gjë të tillë. Prandaj dhe ai i ishte
referuar Zotit në përgjigjen e tij.

Tek po thoshte këto fjalë, kolegun shqiptar e ndërpreu një lypës i
vogël, i cili i zgjati dorën dhe, duke e kujtuar për të huaj, i tha në
anglisht: " Money, please!" I bezdisur nga ndërpreja, gazetari vendas
tha me një ton gjysëm serioz e gjysëm shakatar se lypës të tillë ka me
shumicë edhe në Uashington. Dhe duke u kthyer përsëri atje ku e kishin
lënë bisedën, filloi të numëronte gjërat që kishin ndodhur në
Shqipëri gjatë periudhës 6 e gjysëm vjeçare, të cilat në prillin e
2004-ës as që mund të imagjinoheshin.

Së pari, ai tha se askujt nuk i kishte shkuar ndërmend atëhere që
Berisha do të deklaronte se nuk do të synonte për vete një post
qeverisës në rastin e fitimit të zgjedhjeve nga partia e tij, dhe se
do të mbetej vetëm në rolin e një kryetari partie që mështet politikisht
qeverinë. Më tej, ai tha se asnjeri nuk mund ta çonte qoftë dhe kalimthi
nëpër mend që Berisha do të bënte atëhere një pakt me Eduard Selamin,
kryeministrin aktual, pakt i cili hapi rrugën për rikthimin në parti të
të gjithë atyre që ishin larguar prej saj gjatë 14 vjetëve të sundimit
berishian, dhe për afrimin e shumë intelektualëve të pavarur. "E kuj
t i
shkonte ndërmend atëhere se Berisha do të sugjeronte që një Dashamir
Shehi të bëhej zv. kryeministër, një Genc Pollo ministër i jashtëm, një
Ferdinand Xhaferri ministër i brendshëm, e një Genc Ruli ministër i
financave?" - pyeti në mënyrë retorike kolegu shqiptar. Dhe pasi bëri një
pauzë të vogël, vazhdoi: "Të kuptohemi mirë këtu, unë nuk po them se ky
ekip qeverisës është ideal. Por është një ekip që brenda 6 vjetësh
arriti atë që shumica e shqiptarëve nuk mund ta imagjinon dot në vitin
2004 - antarësimin në BE."

Po në lidhje me atë komentin e tij të atëhershëm rreth faktit që shumë
shqiptarë e shihnin vendin më tepër nën zotërimin e një individi se sa të
institucioneve, ç'mund të thoshte tani? "Që të jem i sinqertë," - u
përgjigj kolegu shqiptar - "atëhere e quaja të pamundur që Berisha,
njeriu që kishte kontribuar më shumë për mbajtjen gjallë të kultit të
prijësit, të kryente aktin emancipues të heqjes dorë nga synimi për të
kontrolluar të gjitha pushtetet. Gjithashtu e nënvleftësoja
probabilitetin e ardhjes në fuqi të një ekipi qeverisës që do të kishte
si prioritet forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor. Një ekipi
qeverisës që do të respektonte shtypin e lirë, shoqërinë civile, dhe të
drejtat e njeriut e të pronës."

Po në lidhje me zgjedhjet, zhvillimi normal i të cilave kishte pas qënë
problem që nga rrëzimi i diktaturës komuniste, ç'mund të thoshte? "Pas
paktit me zt. Selami dhe reformimit rrënjësor të opozitës," - sqaroi
kolegu shqiptar - "opinioni publik i brendshëm pësoi një shkundje të
thellë tektonike. Gjithashtu, qëndrimi i BE-së dhe ShBA-së ndaj opozitës
ndryshoi rrënjësisht. I ndodhur para një trysnie të fortë si nga brenda
dhe nga jashtë, zt. Nano, kryeministri i atëhershëm, u detyrua të japë
dorëheqjen, dhe një qeveri e përkohëshme e çoi vendin drejt zgjedhjeve të
para të pastra. Që prej asaj kohe, zgjedhjet në Shqipëri, si ato lokale
edhe ato paralmentare, administrohen nga një komision zgjedhor i
depolitizuar, i cili deri më sot ka demonstruar një profesionalitet të
admirueshëm për kushtet tona."

****
Biseda e tyre vazhdoi gjatë. Gazetari shqiptar i tregoi hollësisht për
reformat në polici, prokurori, gjykata, dogana, tatime, etj. I tregoi
për "Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve", për lëvizjen "MJAFT", e për
organizata të tjera jo-qeveritare, të cilat në vitin 2004 kishin qënë në
embrionin e tyre, dhe që tani ishin kthyer në zëra të fuqishëm të jetës
shoqërore të vendit. I foli gjithashtu edhe për hopin cilësor që kishin
bërë mediat shqiptare dhe rolin që ato kishin luajtur në ndryshimet
kulturore të psikologjisë së kombit. Ndërkohë që nuk harroi të
përmendëte edhe sfidat që e prisnin Shqipërinë tani që po bëhej
anëtare e BE-së. Dhe bisedën e mbylli me komentin: "Për shekuj,
Shqipëria është trajtuar nga fqinjët siç u trajtua Hirushja nga
njerka dhe gjysëm-motrat e saj. Por ai kapitull do të mbyllet njëherë e
përgjithmonë në 14 dhjetor, kur ajo do të ketë vendin e saj në Pallatin
e Xhamtë në Bruksel."




Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003