Bujqësia,
puna "e fshehtë" e shqiptarëve në Itali
Nga Rando Devole
Punëtorë në ndërtim? Sipërmarrës të
suksesshëm? Shifrat nxjerrin edhe një tjetër realitet:
se shqiptarët zënë vendet e para mes të huajve të
punësuar në një punë më pak "të fisme",
në bujqësi.
Për herë të parë
jepet tek "Bota shqiptare" një realitet thuajse i panjohur
i punësimit të shqiptarëve në Itali.
1.
Një nga sektorët e ekonomisë
italiane që ka më shumë nevojë për emigrantë
është bujqësia. Vitet e fundit prania e emigrantëve
në këtë sektor ka shënuar vazhdimisht rritje. Arsyet
që ndikojnë praninë e punëtorëve emigrantë
nëpër fushat italiane janë të ndryshme. Megjithatë
spikat më shumë fakti se italianët vetë nuk e parapëlqejnë
më punën në bujqësi. Edhe kontigjentet e dikurshme
të punës stinore
nuk
ekzistojnë më. Në vitet '60 e '70 shumë studentë
italianë punësoheshin përkohësisht në bujqësi,
kryesisht gjatë pushimeve të shkollës ose gjatë
fushatave bujqësore, në vartësi të kultivimeve të
ndryshme. Aktualisht numri i studentëve italianë që punojnë
në bujqësi për të rrumbullakosur të ardhurat
është i papërfillshëm. Si rrjedhim vjelja e rrushit,
e luleshtrydheve, e mollëve, e domateve, etj. por edhe punët
e zakonshme bujqësore kërkojnë gjithmonë e më
shumë krahë pune nga jashtë.
Emigrantët i duhen kryesisht ndërmarrjeve
të veriut, kurse në jug ato mund të thithin një
farë sasie edhe nga tregu i brendshëm i punës, i cili
vuan hendemikisht nga papunësia.
Puna
në bujqësi është në thelb sezonale dhe e përkohshme.
Sezonaliteti është një karakteristikë tipike e aktivitetit
bujqësor, ashtu siç është në sektorë
të tjerë si p.sh. turizmi. Si rrjedhim, pjesa dërmuese
e kontratave të punës është me kohë të
përcaktuar; përshirë natyrisht edhe vetë punëtorët
italianë. Nga pikëpamja kohore sezonaliteti mund të shkojë
nga një muaj deri në një vit. Në disa krahina si
p.sh në Liguria, Molize dhe Veneto punohet në periudhën
maj-tetor, në të tjera (Trentino Alto Adixhe, Friuli Venecia
Xhulia, Pulja) gjatë periudhës qershor-shtator. Ka nga ato
krahina ku sezonaliteti është shpeshherë vetëm prej
një muaji, si në Toskana, Kampania, Lacio dhe në Sicili,
ku emigrantët futen në punë për vjeljen e frutave,
ose për korrjen e grurit e të misrit.
Gjithsesi, tashmë mund të thuhet
se prania e emigrantëve në bujqësinë italiane është
shndërruar në një element strukturor i sektorit, çka
e vërteton edhe shpërndarja e tyre nëpër krahinat
italiane.
2.
Të dhënat për punën
e emigrantëve në bujqësi dhe problemet e tyre nuk janë
të shumta. Në këtë kuadër statistikat e përgatitura
nga INPS (Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore), ku jepet
jo vetëm numri i emigrantëve të punësuar në
bujqësi për vitin 2002, por edhe ndarja e tyre sipas kombësisë
dhe vendqëndrimit, janë për t'u mirëpritur, sepse
shërbejnë për të lexuar më mirë dukurinë
e emigracionit.
Sipas këtyre të dhënave
gjatë vitit 2002 kanë punuar gjithsej 91.756 imigrantë
me kontratë pune me kohë të përcaktuar dhe 16.017
ekstrakomunitarë me kontratë me kohë të papërcaktuar.
Të habit fakti se komuniteti më
i madh që punon në sektorin bujqësor, qoftë midis
atyre të punësuar me kohë të përcaktuar, qoftë
midis atyre me kohë të papërcaktuar është komuniteti
shqiptar. Gjithsej, në bujqësi në vitin 2002 kanë
punuar 15.272 shqiptarë, ose pak më shumë se 14% e të
gjithë numrit të emigrantëve të punësuar në
këtë sektor.
Pas shqiptarëve, në kategorinë
e punëtorëve me kohë të përcaktuar, vijnë
polakët, rumunët, tunizianët, marokenët, etj. Në
kategorinë tjetër, pra të atyre që kanë një
kontratë me kohë të papërcaktuar, pas shqiptarëve
figurojnë indianët, rumunët, e kështu me radhë.
Natyrisht, në nivel provincial renditja e komuniteteve paraqitet
ndryshe nga ajo në nivel kombëtar.
Toskana, Pulja, Emilia Romanja, Piemonte
dhe Sicilia janë krahinat që janë në krye të
listës për nga numri i shqiptarëve në bujqësi.
Krahina ku gjenden më shumë
shqiptarë të punësuar me kohë të papërcaktuar
është Toskana, Lombardia, Piemonte dhe Veneto. Krahina me
më pak shqiptarë është Kalabria. Po t'i hidhnim
një vështrim përqindjeve të shpërndarjes në
nivel më të gjerë do të shihnim se në veri
të Italisë punojnë 44% e shqiptarëve, në qendër
41% dhe në jug 15%.
Numri i shqiptarëve që kanë
kontratë pune me kohë të përcaktuar bën që
renditja e mësipërme të përmbyset. Këtu vendin
e parë e zë Pulja, e cila ndiqet nga Emilia Romanja, Toskana
dhe Piemonte. Vendi i fundit i takon Sardenjës me 44 shqiptarë.
Ndarja me përqindje paraqitet më e ekulibruar: në veri
38%, në jug 37% dhe në qendër 25%. (për hollësi
të tjera shikoni grafiqet dhe tabelat).
3. Shqiptarët si pjesa më e
madhe e emigrantëve në bujqësi punojnë në veprimtaritë
tradicionale bujqësore, por edhe në kopshtari, zooteknikë
dhe në kultivimet industriale. Pavarësisht se ka fusha veprimtarie
(nënsektorë) ku gjenden më shumë shqiptarë,
dhe të tjera ku shqiptarët janë të paktë, nuk
mund të thuhet se ka një sektor ku prania shqiptare është
eskluzive. Paralelizmi me rastin e indianëve për shembull,
të cilët janë punësuar përgjithësisht
në sektorin e zooteknisë (nëpër stallat e rrafshirës
lombarde), nuk do të ishte i saktë. Në disa provinca
italiane shqiptarët janë të përqëndruar në
ndonjë sektor të caktuar bujqësor, ku eventualisht mund
të kenë edhe shumicën e të punësuarve, por
kjo nuk do të thotë se janë të specializuar vetëm
për atë zanat. P.sh. në disa provinca të Toskanës,
shqiptarët punojnë kryesisht në sektorin e kopështarisë
(fidanishte, serra, etj.), mirëpo në provinca të tjera
italiane puna e tyre është krejtësisht e ndryshme.
Për t'u shënuar fakti se në
sektorin e pyjeve shqiptarët pothuajse mungojnë fare. Kjo
nuk vlen vetëm për shqiptarët, por për të gjithë
emigrantët, kryesisht për faktin se pyjet në Itali përfshihen
ende në sektorin publik, dhe në këtë sektor, siç
duhet, emigrantët kanë shumë vështirësi për
t'u futur.
Shpërndarja nëpër krahinat
italiane respekton në linja të përgjithshme shpërndarjen
"historike" të komunitetit shqiptar: më pak në
jug e më shumë në qendër-veri. Megjithatë kjo
shpërndarje, edhe brenda krahinave, nuk është homogjene.
Në Sicili për shembull punojnë në bujqësi rreth
1200 shqiptarë. Mirëpo 85% e tyre gjenden në provincën
e Raguzës, e cila është e njohur në të gjithë
Italinë për ekonominë e zhvilluar bujqësore. Në
këtë provincë shqiptarët janë punësuar
në ato ndërmarrje që merren me punë të mirëfillta
bujqësore në fushë, por edhe në serra (rritja e
perimeve të ndryshme, si domatet, specat, kungujt, etj.).
Tendenca e një pranie më të
madhe të shqiptarëve në Pulja, në krahasim me krahinat
e tjera jugore, konfirmohet edhe për sektorin në fjalë.
Në këtë krahinë punojnë rreth 2000 shqiptarë,
të përqëndruar në zonat e Barit (901), Foxhas (686),
Brindizit (200) dhe më pak në Taranto (123) e në Leçe
(32). Tipologjia e punës së tyre nuk ndryshon shumë:
vjelja e domateve, e luleshtrydheve, e rrushit, mbledhja dhe përgatitja
e sallatës, koprës, etj.
Fotografia që na ofrojnë statistikat
është gjithsesi e pjesshme. Sektori bujqësor vuan, ndoshta
më shumë se të tjerët, nga sëmundja kronike
e punës së zezë. Duke u nisur nga kjo traditë negative,
si dhe nga kërkesat e larta që u paraqitën në sanatorian
e fundit, mund të supozohet se prania e emigrantëve pa dokumenta
të jetë jo e vogël. Vështirësia në këtë
rast qëndron tek kuantifikimi i numrit të tyre, sepse vështrimi
statistikor është pothuajse i pamundur.
Megjithatë është e lehtë
të merret me mend se numri i shqiptarëve në bujqësinë
italiane të jetë aktualisht më i lartë se sa ato
që paraqitëm - aq më tepër që nuk janë
përfshirë rezultatet e sanatorias së fundit -, çka
tregon, pavarësisht nga problemet e panumërta, se prania e
tyre është pjesë e pandarë e ekonomisë së
vendit.
Rando Devole
[Botuar tek numri i fundit i "Bota
shqiptare" - Itali]