Zëvendësimi
i Nanos dhe korrupsioni
Nga EDUARD
ZALOSHNJA
Po të bëhej një
anketim rreth mendimit që kanë shqiptarët për Fatos
Nanon, nuk do të ishte çudi që 80% e të anketuarve
të shprehte opinionin se ai është një politikan
i korruptuar. Dhe për të mbështetur këtë opinion,
ata ndoshta do të përmendnin faktin që Nano shpenzon
për udhëtimet turistike dhe qejfet e tjera të tij SHUME
më tepër se ç'i lejon buxheti i deklaruar familjar.
Gjithashu, ata ndoshta do të përmendnin edhe faktin që
shqiptaro-amerikani Garry Kokalari ka deklaruar se ka informacione të
besueshme rreth një llogarie të majme të Nanos në
një bankë amerikane, dhe se ai është gati t'i provojë
publikut shqiptar egzistencën e saj në qoftë se Nano
e autorizon të bëjë verifikimet përkatëse.
Ndërsa po të pyeteshin politikanët, ekspertët, dhe
specialistët e huaj që merren me Shqipërinë se cila
është pengesa kryesore për zhvillimin e saj, përgjigja
ndoshta do të ishte unanime: korrupsioni. Dhe për të
mbështetur këtë opinion, ata do të përmendin
faktin se prezenca e korrupsionit bën që një pjesë
e madhe e taksave dhe doganave të mos shkojë në arkën
e shtetit por në xhepat e nëpunësve të korruptuar
dhe korruptuesve të tyre. Gjithashtu, ata do të përmendnin
faktin se, edhe nga ato para që grumbullohen në arkën
e shtetit, vetëm një pjesë shkon për të ofruar
rrugë, shkolla, ujë, drita, dhe shërbime të tjera
publike, ndërsa një pjesë tjetër shkon në xhepat
e tenderbërësve dhe tenderfituesve.
Duke i analizuar rezultatet e këtyre anketave hipotetike si pjesë
e një të tëre, rrjedha llogjike e analizës do të
çonte vetvetiu tek thënia e moçme shqiptare "peshku
qelbet nga koka", dhe zgjidhja e problemit do të gjëndej
tek heqja e kokës së peshkut për të shpëtuar
kështu trupin e tij. Por a është zgjidhja vërtet
kaq e thjeshtë?
Po t'i referohesh studimit të Robert Putnam "Cfarë e
bën demokracinë të funksionojë?", i cili ka
në fokus krahasimin e qeverisjes rajonale në zona të
ndryshme të Italisë, përgjigjia është "Jo".
Sipas Putnam, diferencat në zhvillim midis Veriut dhe Jugut të
Italisë, nuk mund të spiegohen vetëm me faktin se kush
është në krye të qeverive rajonale në këto
dy zona. Ato, sugjeron ai, i kanë rrënjët në ndryshimin
rrënjësor të traditave të civilizimit midis tyre.
Ndërsa në Veri, vëren Putnam, ka shekuj që janë
krijuar fibra sociale me shtrirje horizontale, të bazuara në
norma reciprociteti dhe një përgjegjësie sociale që
balancon interesat personale me ato të komunitetit, në Jug
kanë sunduar fibra sociale me shtrirje vertikale, të cilat
janë bazuar në lidhjet klienteliste midis individit dhe zyrtarit
që është sipër tij. Dhe është kjo arsyeja,
konkludon ai, që historikisht, një zyrtar verior e ka parë
të qënit në post si një përgjegjësi ndaj
komunitetit të cilit i shërben, ndërsa një zyrtar
jugor, si një shans për t'iu shpërndarë favore atyre
që i ofrojnë përfitime personale.
Gjithashtu, Putnam vëren se mbizotërimi i kulturës klienteliste
në Mezzigiorno, spiegon edhe fenomenin interesant të tjetërsimit
që pësojnë zyrtarët që rikthehen në Jug
pasi kanë punuar relativisht gjatë në Veri. Këta
zyrtarë, për aq kohë sa jetojnë në Veri, adoptojnë
kulturën mbizotëruese të komunitetit të atjeshëm,
dhe funksionojnë në shoqëri pakashumë si gjithë
qytetarët e tjerë. Me të ardhur në Jug, nën
presionin e kulturës që i rrethon, ata riadoptojnë identitetin
e vjetër, dhe, pas një farë kohe, ndryshojnë fare
pak nga zyrtarët e tjerë jugorë.
Duke u kthyer në Shqipëri, nuk është vështirë
për çdo sociolog të konstatojë se kultura e klientelizmit
ka qënë dominuese në trevat shqiptare që nga koha
që ato ishin pjesë e Perandorisë Osmane, e cila mekanizmin
e mardhënieve klienteliste e kishte në themel të ndërtesës
shtetërore, dhe që, eventualisht, u bë një nga varrmihësit
e saj. Për këtë arsye, po të ndiqet llogjika që
ofron Putnam, do të konkludohej se zëvendësimi i një
Fatos Nanoje të korruptuar me një udhëheqës tjetër
të pakorruptuar, nuk do të ishte ilaci çudibërës
që do të shëronte administratën e sëmurë
shtetërore.
Dhe për të ekzaminuar saktësinë e këtij konkluzioni
vlen të hidhet një vështrim në kohën kur Berisha
qeveriste Shqipërinë. Ndërkohë që Berisha konsiderohej
nga shumica e shqiptarëve si një politikan i pakorruptuar,
e njëjta gjë nuk mund të thuhej për administratën
poshtë tij. Cdo biznesmen (madje edhe ndonjë që sot është
kundërshtar i publik i Berishës) e mban mend se si në
atë kohë, duke paguar një rryshfet të arsyeshëm,
mund te kalonte mallra pa doganë ndoshta më shumë se
sot. Gjithashtu, cdo qytetar e mban mend se si atëhere, duke paguar
një rryshfet të arsyeshëm, mund të reduktonte ndjeshëm
faturën e elektrikut, apo mund të mbaronte punë në
zyra dhe gjykata ndoshta më kollaj se sot.
Kuptohet që në qoftë se Berisha, përveç të
qënit i pakorruptuar, do të kishte patur edhe vulletin politik
ta luftonte korrupsionin e mbështetësve të tij të
bindur, magnituda e problemit do të ishte zvogëluar. Por,
duke iu kthyer metaforës së kokës së qelbur të
peshkut, studimi i Putnam, si dhe shembuj të shumtë nga vende
me kulturë shoqërore të ngjashme me të Shqipërisë,
tregojnë se ndryshime rrënjësore në funksionimin
e administratës publike mund të ndodhin vetëm kur vetë
trupi i peshkut të pastrohet nga bakteret e kulturës së
klientelizmit, dhe vendin e tyre ta zënë ndjenjat e komunitetit,
reciprocitetit, dhe integritetit moral.
Më shqip, kjo do të thotë se duhet të ndryshojë
psikollogjia dritëshkurtër që mbizotëron sot në
Shqipëri, sipas së cilës, cdo veprim që sjell përfitime
personale të menjëhershme është i justifikueshëm,
pavarsisht se mund të dëmtohet interesi i komunitetit, dhe
ndoshta edhe ai personal afatgjatë. Që kjo të realizohet,
i takon organizatave joqeveritare dhe sponsorizuesve të tyre ndërkombëtarë
që t'i thonë një "MJAFT!" të madh e të
vazhdueshëm kësaj psikologjie. Dhe po e bënë këtë
gjë, me kohë dhe pak fat, ndoshta edhe Shqipëria do të
arrijë të dalë nga tuneli i korrupsionit.

