95
VJETORI I KONGRESIT TË ALFABETIT NË MANASTIR
Dy caqe të gjuhës Shqipe
Nga Saimir Lolja
Nën-Prof. Dr. PEng.
Dorëshkrimi i Teodor Shkodranit (1210)
I gjetur në Vatikan, ai është
botimi më i vjetër i njohur deri tani i gjuhës Shqipe.
I tëri është në pergamen dhe ka 208 faqe. I gjithë
dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine dhe i
tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut. Dorëshkrimi
ndahet në tre kapituj, në faqet 1r-97r mbi teologjinë;
faqet 98r-146r mbi filozofinë dhe faqet 147r-208r mbi historinë.
Ndërsa në fund, autori ka firmosur vetë duke shkruar:
Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t' Lummnummitt ZOT e mbaronjj n'Vitte
MCCX dittn ee IX t' Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE. Rëndësia
e këtij libri (që nuk është abetare) është
se tregon që ka patur shkrues, botues dhe lexues te shkolluar te
Shqipes në vitin 1210.
Alfabetet origjinale shqiptare (1761-1844)
Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve
njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është teksti më
i hershëm Shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Autor
është Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i
Voskopojës, i cili qëndroi pesëmbëdhjetë vjet
në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq
të shkruante në një gjuhë të përbashkët
që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një
gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas: Ka shumë
pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë
fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin
Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara në
një alfabet prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme
dhe 5 gërma të rralla. Shumica e gërmave të këtij
alfabetit janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve
dhe të alfabeteve të popujve fqinjë.
Në kapakun e Dorëshkrimit
Elbasanas të Ungjijve gjëndet një vizatim dhe afër
dymbëdhjetë fjalë të shkruar me një alfabet
i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por
i pa zbërthyer akoma.
Alfabeti i Todri Haxhifilipit
(1730-1805) nga Elbasani, i cili është një sistem grafik
i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor në
mënyrë sporadike në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.
Alfabeti i Kodeksit të Beratit
(1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh. Në faqen
104 gjejmë dy radhë Shqip të shkruara me një alfabet
origjinal prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja.
Nga Gjirokastra kemi një
alfabet tjetër nga fundi i shekullit XVIII ose nga fillimi i shekullit
XIX, i cili është një sistem grafik prej 22 gërmash,
por pak i përhapur.
Një alfabet tjetër i
shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jani
Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore
greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar shqip grekërve.
Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 gërmash
në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.
Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846)
nga Korça prej 33 gërmash të botuarai në abetare
e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e këtij alfabeti, i cili
i ngjan një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët.
Kjo periudhë njëqindvjeçare
1750-1850 ishte një kohë shumëllojshmërie shkrimesh
të habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha
shqipe u shkrua me DHJETË ALFABETE: shtatë alfabetet origjinale
të lartëpërmendur si dhe përshtatjet pas vitit 1850
të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për t'u
çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe
të mbijetonte me një madhështi të tillë letrare.
Egzistenca e tyre çjerr poshtërsinë me të cilën
u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878
ku iu tha në vend të JO-së për shtetin Shqiptar
se: nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Ndërkohë
që kishte jo një, por 10 alfabete që mund të përzgjidheshin
e zbatoheshin.
Kongresi i Manastirit ose ndryshe Kongresi i Alfabetit (14 Nëntor
1908)
Atdhetarët që përpiqeshin
të bashkonin popullin kishin përpara një përçarje
në popull që shkatohej nga: 1- politika 'përça
e sundo' e qeverise osmane; 2- struktura shoqërore feudale-
fisnore
në Shqipëri; 3- drejtimet e huaja të grupeve të
ndryshme fetare, të cilat përdornin turqishten, greqishten,
italishten e gjermanishten në vend të Shqipes. Në ato
kushte, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 Nëntor
1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin
dhe miratimin e nje alfabeti të njësuar.
Aty ishin të pranishëm
150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë
dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjipt,
Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar Mithat
Frasherin, të birin e të shquarit Abdyl që kishte kryesuar
mbledhjen në Prizren. Përfaqësuesi i Shoqërisë
Biblike Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar, kurse prifti protestant
nga Korça Grigor Cilka mori pjesë bashkë me të
në Komisionin e Alfabetit të përbërë prej 11
vetësh. Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në
Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte
e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori
që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar.
Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë,
e pranishme aty si vezhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta:
Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik nga Shkodra,
fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t'u
rridhnin lotë; një hoxhë u prek aq shumë, saqë
rendi ta përqafonte para gjithë të pranishmeve.
Kongresi nëntëditor
vendosi me votë të plotë që shqiptarët të
linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat
e tij të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm
me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante
36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Duke qenë se para
kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe,
greke e sllave apo përshtatje të tyre, vendosmëria e
këtyre delegatëve për t'i kthyer sytë nga perëndimi
ishte haptazi nje shpallje kulturore e pavarësisë, gjë
që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga qeveria osmane,
sllavët dhe kisha ortodokse e grekërve.
Një pjesëmarrës
i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari
nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet
e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në
disa vende të huaja dhe mësoi të fliste 13 gjuhë,
mbi gjuhën Shqipe ai nuk vinte gjë tjeter.
Ndër komb' tjera, ndër
dhena tjera
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç per ty rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë, qi jam tue
ndie
janë të bukra me temel;
por prep' këjo, si diell pa hije,
për mue t'tanave ju del.
Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen
e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj
Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse
e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli të
gjitha shtypshkronjat shqipe. Më 1911, Hoxhson, përfaqesuesi
i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte:
Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire,
kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe
zhdukjen e letërsisë Shqipe nuk kanë rreshtur kurrë.
Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë
nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte
shpërthyer dhe nuk do ndalej më!
Shkrimi është bështetur
edhe në botime përkatëse të mëparshme.
Përgatitur nga Saimir Lolja
Nën-Prof. Dr. PEng.
Nëndor 2003

