Fatos
Nano - gjithnjë në rolin e primadonës
(Botuar te Korrieri)
Nga EDUARD
ZALOSHNJA
Gjatë një bisede konfidenciale me një zyrtar amerikan
që ka patur rastin të njohë nga afër figurat kryesore
të politikës
shqiptare, dëgjova atë që mendoj të jetë karakterizimi
më i goditur për Fatos Nanon -- vuan nga mania për të
qenë në rolin e primadonës. Fatos Nano e ka inteligjencën
e mjaftueshme për të qenë një udhëheqës
i rëndësishëm, tha zyrtari amerikan, por mania e tij
për të qenë primadonë nuk e le që të jetë
një udhëheqës efektiv. Për më tepër, tha
zyrtari, edhe inteligjenca e tij nuk është aq e kthjellët
kur përqindja e alkoolit në gjak fillon t'i rritet
Betejat e fundit brenda PS-se dhe biseda e mësipërme u bënë
shkak që të bëja në mendjen time një analizë
të figurës së Fatos Nanos, figurë të cilën
e kam ndjekur me vemendje qe nga vjeshta e vitit 1990. E përmbledhur,
kjo analizë vijon më poshtë.
Fatos Nano, që kur ishte pedagog i ekonomisë politike, kishte
demonstruar se kishte pikpamje pro-perëndimore. P.sh., intervista
e tij e 1990-ës në Zërin e Amerikës nuk ishte më
pak kritikuese për rregjimin komiunist se sa ajo që dha Gramoz
Pashko, kolegu i tij në Fakultetin e Ekonomisë. Kushdo që
e njihte sadopak Fatos Nanon nuk do të ishte çuditur aspak
po ta shihte atë përbri Sali Berishës dhe Gramoz Pashkos
natën e 11 dhjetorit 1990 në sheshin Studenti.
Por Fatos Nano nuk mund të pranonte të ishte violinë
e tretë. Ai e kuptoi mirë që ata pak intelektualë
që iu bashkuan që në fillim lëvizjes studentore
do të ishin berthama drejtuese e partisë së re që
po lindëte -- Partisë Demokratike. Siç treguan zhvillimet
e mëvonshme, ai grusht njerëzish që gëdhinë
natën e 11 dhjetorit tek konvikti 15 dhe tek shtëpia e Gramoz
Pashkos për të përgatitur programin e PD-së, do
të ishin dhe figurat e saj kryesore.
Duke e konsideruar të mirëqenë dëshirën e Nanos
për të qenë violinë e parë, është
e natyrshme të pyesesh pse Fatos Nano nuk u tregua më i shkathët
se Berisha dhe Pashko në zënien e pozicionit numër një.
Një spjegim i besueshëm për këtë vonesë
të Nanos mund të gjendet në sjelljen e tij pas vrasjes
së Azem Hajdarit -- a nuk demonstroi me ikjën e tij në
Maqedoni se thellë në shpirt është frikacak? Të
mos harrojmë se jo çdo njeri që ishte kundër rregjimit
komunist pati guximin të bashkohej me lëvizjen studentore
që mbrëmjen e 11 dhjetorit 1990.
Pasi humbi shansin për të qenë në krye të opozitës,
kuptohet që ambicia e Fatos Nanos për të qenë në
rolin e primadonës do të kanalizohej diku. Dhe aty ku askujt
nuk do t'i shkonte mendja -- tek PPSH-ja -- Nano vendosi të niste
karrieren e tij politike. Ai pa tek PPSH-ja një parti që shpejt
a vonë do t'i duhej të transformohej në një parti
të tipit perëndimor duke lënë jashtë saj figurat
e sklerotizura të udhëheqjes. Dhe rasti për t'u katapultuar
në majat e PPSH-së iu dha Nanos kur qeveria e Adil Carcanit
u detyrua të japë dorëheqjen në shkurt 1991. Brenda
disa muajve, Nano arriti të vihet në krye të PPSH-së
duke ia ndërruar emrin asaj në Partia Socialiste Shqiptare.
Megjithë katër vitet që kaloi në burg, Nano, me
ambicien e tij të shfrenuar për të qenë në
kontroll të partisë, diti të manipulojë klanet e
ndryshme brenda partisë në mënyrë të tillë
që ai të mbetej numri një i padiskutuar i saj deri në
shtator 1998. Mbathja e këmbëve për në Maqedoni
pas vrasjes së Azem Hajdarit, ndërkohë që ishte
Kryeministër i vendit dhe praktikisht njeriu me pushtet të
plotë, i hoqi Nanos të drejtën morale dhe politike të
ishte kryetari i PS-së. Kur ai dha doreheqjen nga politika, çdo
njeri me sadopak kulturë demokratike e përshendeti aktin e
tij. Ky akt citohej nga shumëkush si një shembull që
politikanë të tjerë kryeneç shqiptarë duhej
ta ndiqnin.
Por, siç demonstruan ngjarjet e mëvonshme, ngazëllimi
për aktin e dorëheqjes së Nanos ishte i parakohshëm
-- primadona e tërhequr e kishte të vështirë ta
kapërdinte të mos qenit primadonë. Nano u rikthye në
krye të partisë duke aktivizuar në mbështetje të
tij forcat më agresive dhe regresiste brenda PS-së. Karta
qe ai luajti për të ndërsyer këto forca kundër
udhëheqësve të rinj Majko dhe Meta ishte takimi që
ata të dy, në rolin e Kryeministrit dhe Zv. Kryeministrit,
kishin mbajtur ca kohë më parë me Berishën. Ndërkohë
që ky takim ishte përshendetur nga aleatet tanë perëndimor
dhe nga pjesa e moderuar e PS-së, për mbështetësit
ekstremistë të Nanos takimi ishte një sakrilegj. Ishin
pikërisht votat e këtyre ekstremistëve që i siguruan
Nanos fitoren e ngushtë në Kongresin e fundit të PS-së.
Ngushtesia e fitores në Kongres e detyroi Nanon ta ndante pushtetin
me rivalin e tij Meta, duke e reduktuar veten në një gjysëm
primadone. Duke mos e pranuar dot këtë rol, Nano nuk la gur
pa lëvizur dhe pështymë pa derdhur mbi Metën dhe
bashkëpuntorët e tij të ngushtë. Dhe për zhvillimin
e fushatës së egër anti-Meta, Nanos i erdhi në ndihmë
fraksioni katarsisist.
Ashtu si në 1991, kur ai pa tek PPSH-ja thjesht vetëm një
mjet që do ta katapultonte në majat e pushtetit, në vitin
2001 Nano pa tek fraksioni katarsisist thjesht vetëm një mjet
që do ta ndihmonte për t'u rikthyer përsëri në
rolin e primadonës. Dhe pasi Nano arriti të rimarrë plotësisht
në dorë timonin e PS-së, katarsisistëve me në
krye Petro Koçin iu ofroi koshin ku hidhen limonat e shtrydhur.
Tani që po sfidohet përsëri, ai po mundohet t'i shtrydhë
edhe një herë ata limona dhe të tjerë që ka
gjetur gjatë këtij viti qeverisje.
Siç mund të kuptohet lehtë nga analiza e mësipërme,
bindja ime është se kryetari i PS-së iu fut politikës
vetëm se i pëlqen të jetë një primadonë,
dhe se asgjë tjetër nuk ka rëndësi për të.
Ma do mendja se edhe shumë shqiptarë të tjerë kanë
të njëjten bindje. Por shumica e antarëve të PS-së
ose nuk e kupton ose nuk do ta pranojë këtë realitet.
Dhe fatkeqsisht per PS-ne, vetëm kur Socialistët të demonstrojnë
me vota se e kanë kuptuar mirë kryetarin e tyre aktual, ajo
mund të shndërrohet në një parti që, në
vend të luaj me mandatin e saj qeverisës, ta administrojë
seriozisht atë.

