Shqiptarët mes pasqyrash
- identiteti, emigrantët, Nënë Tereza -
Nga Rando Devole
Botuar te Gazeta "Bota Shqiptare",
Rome, Itali.
1. Dialog shurdhmemec
Shqiptarët që lanë
atdheun pas rënies së diktaturës nuk mund ta përfytyronin
që vendet ku po shkonin nuk përbënin vetëm një
ëndërr të dëshiruar, por edhe një pasqyrë
të pashmangshme, ku shumë shpejt do ta shihnin vetveten. Shqipëria
e viteve totalitare ishte (vetë)izoluar dhe (vetë)harruar
brenda kufijve të saj (politikë e kulturorë) të
hiperkontrolluar. Parë nga jashtë, Shqipëria dhe shqiptaria
dukeshin si të mbështjella me një vello të mistershme,
që mbante larg opinionin publik ndërkombëtar, megjithëse
duhet thënë se ky i fundit nuk dukej i predispozuar për
ta njohur. Pavarësisht se misteri ngjall kureshtje, niveli i njohjes
së Shqipërisë në botë mbeti i mangët,
sepse kontaktet me vendet e tjera ishin jo vetëm të reduktuara,
por edhe skajësisht të kontrolluara. Nga ana tjetër,
në ato pak raste komunikimi që krijoheshin, regjimi përpiqej
t'i tregonte botës kryesisht anën ideologjike të vendit,
çka i errësonte dhe i nënvleftësonte të gjitha
aspektet e tjera të identitetit shqiptar.
Të rritur në një
mjedis kulturor të mbyllur, etnocentrik e homogjen(izues), shqiptarët
e periudhës totalitare paraqiteshin me një identitet thelbësisht
të cunguar. Çdo bashkësi (komunitet) vepron dyfish
nga pikëpamja e identitetit: në drejtim të anëtarëve
të vet dhe në drejtim të bashkësive të tjera.
Të dyja këto dimensione përbrendësohen në mënyrë
graduale e "të natyrshme" nga çdo individ. Në
Shqipërinë e diktaturës bashkësia i ofronte individit
një identitet të fortë e të përcaktuar mirë.
Nga një anë ky identitet "çeliku" i jepte
individit një farë sigurie, por nga ana tjetër e ndrydhte
atë, sepse e detyronte të respektonte strukturat e tij të
ngurta e të mbyllura. Fakti që shqiptarët nuk kishin
mundësi të ballafaqoheshin lirisht me individë të
bashkësive të tjera e bënte të çalë
identitetin e tyre, sepse dialogu është conditio sine qua
non për çdo identitet, individual a kolektiv qoftë.
Në një farë mënyre identiteti shqiptar u modelua
në vetmi, ose më saktë me një dialog artificial
e të ndërmjetësuar. Shqiptarët nuk mund t'i takonin
personalisht qytetarët e vendeve të tjera, e megjithatë
"e dinin" se çfarë mendonin të huajt për
Shqipërinë, sepse këtë ua thoshte regjimi, i cili
filtronte, shpikte e manipulonte të gjitha mesazhet që vinin
nga jashtë.
Takimi, ballafaqimi dhe marrëdhëniet
me Tjetrin janë të domosdoshme jo vetëm për të
plotësuar vetveten, por edhe për të parë se si përkufizohen
identitetet e të tjerëve. Në këtë drejtim shqiptarët
kishin mangësi, pasi mundësia për t'i njohur vendet e
tjera u mohohej fizikisht; edhe atëhere kur kishin shansin t'i
njihnin, atyre u mohohej e drejta për t'u shprehur lirisht e për
t'u komunikuar të tjerëve përvojën e njohjes. Shqiptarët
e pakët që gëzuan fatin ta shihnin perëndimin që
në vitet e komunizmit, nuk mund t'u tregonin bashkëatdhetarëve
- e nuk kishin si të guxonin sepse dënoheshin për agjitacion-propagandë
- realitetin e vendeve demokratike.
2. Anije në shkretëtirë
Rënia e regjimit komunist
u dha mundësinë shqiptarëve të dilnin jashtështetit
e t'i shihnin me sytë e tyre vendet e tjera. Të parët
që arritën në perëndim nuk e patën të
vështirë të dallonin një injorancë të
thellë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Në këto
vende nuk dihej pothuajse asgjë për shqiptarët, përveçse
ndonjë kuriozitet apo anekdotë që vinte nga koha e luftës.
Në qytetet perëndimore të viteve '80 po të takoje
dikë rrugës e t'i thoje "jam shqiptar", e fusje
në mendime, ngaqë nuk dinte nga binte Shqipëria. Një
miku im që studionte në atë kohë jashtë shtetit,
më tregonte se kur deklaronte origjinën e vet shqiptare nuk
priste ta pyesnin "çfarë?" apo "ku është?",
por i paraprinte pyetjet me një minileksion të shpejtë
gjeografie. Ishte kjo zbrazëti njohjeje që favorizoi përhapjen
dhe rrënjosjen e mitit negativ për shqiptarët. Në
Itali p.sh. shqiptarët u paraqitën nga masmediat si rreziku
atavik që i kanosej shoqërisë së mirëqënies.
Në infosferë bymoi një imazh tepër negativ, që
e lidhte emrin "shqiptar" (albaneze) me kriminelët, prostitutat,
hajdutët, trafikantët, dembelët, injorantët, etj.
etj. Ky imazh jo vetëm i rezistoi kohës por erdhi duke u bërë
gjithnjë e më i zi. Edhe pse aktualisht mund të perceptohet
një ulje e trysnisë së këtij imazhi, në shoqërinë
pritëse mbeten paragjykime nga më të ndryshmet në
kurriz të shqiptarëve.
Mirëpo "nevoja për
njohje" është një nevojë thelbësore për
individin e për grupet njerëzore. Të gjithë njerëzit
janë në përpjekje të përhershme për t'u
njohur (ose pranuar) nga të tjerët. Shqiptarët që
mbërritën në Itali në periudhën e eksodeve
e kuptuan që identiteti i tyre ishte krejtësisht i panjohur,
ndaj edhe instiktivisht filluan të "vetëshpjegoheshin"
duke treguar se cilët ishin e nga vinin. Porse mitet e identitetit
të tyre ishin kuptimpakë për perëndimorët,
sepse në radhë të parë rezultonin të panjohura,
dhe së dyti i përkisnin një vizioni romantik tashmë
të kapërcyer. Kjo mospërputhje kodesh, përveçse
pasojë, përbënte një dëshmi tjetër për
mungesën e gjatë të komunikimit të lirë midis
popullit shqiptar e popujve të tjerë evropianë.
Izolimi zakonisht e përforcon
identitetin e një bashkësie. Kjo u ndodhi edhe shqiptarëve
gjatë viteve të mbylljes, kur edhe bunkerët - sa të
kotë nga pikëpamja ushtarake aq edhe efikasë nga pikëpamja
komunikative - përbënin në realitet kumte për shqiptarët
vetë, sepse u tregonin atyre se kishin armiq të egjër
nëpër botë që i donin të keqen; si rrjedhim
duhej që populli të ishte "vigjilent" e "grusht
bashkuar rreth Partisë".
Hapja e kufijve shënoi përfundimin
e izolimit dhe si pasojë rrëzimin e të gjithë ngrehinës
identitare që mbështetej pikërisht në atë izolim.
Identiteti kolektiv shqiptar u dëmtua rëndë pikërisht
sepse pjesë nga themelet e tij ishin ideologjizuar gjatë përiudhës
totalitare. Kriza identitare u rëndua kur shqiptarët hynë
masivisht në kontakt me vendet perëndimore. Ata vunë
re se pakkush në Perëndim mallëngjehej nga shprehje të
tipit: "Skënderbeu dhe shqiptarët u bënë mburojë
e krishtërimit; po të mos kishin qenë shqiptarët
gjysma e Evropës do fliste sot turqisht", ose "shumë
Papë e perandorë të Romës kanë qenë shqiptarë".
Përkundrazi, në pak kohë penalatat mediatike i pikturuan
shqiptarët si djaj, si përfaqësuesit e së keqes,
si prishësit e harmonisë dhe të vlerave sociale të
perëndimit.
3. Sfilitje shpirtërore
Dëmi që mund t'i shkaktohet
një grupi ose një individi duke u paraqitur negativisht nga
të tjerët nuk është hipotetik, por real. Kjo për
arsyen se identiteti ndërvepron ngushtë me njohjen, mosnjohjen
apo edhe keqnjohjen nga ana e njerëzve apo bashkësive të
tjera. Në këtë rast, siç thonë edhe studiues
të kalibrit të Habermasit e të Teilorit, imazhi që
reflektohet nga të tjerët ka një ndikim konkret në
formimin identitar.
Nga kjo pikëpamje shqiptarët
emigrantë kanë kaluar çaste shumë të vështira.
Shumë bashkëkombas më kanë rrëfyer se e ndjenin
veten shumë keq (madje ndonjëherë edhe fizikisht) kur
shihnin në televizion se si trajtohej figura e shqiptarëve.
Indinjata dhe sikleti që ndjenin shtohej shumëfish të
nesërmen, kur duhej të përballonin komentet e kolegëve
italianë të punës, të cilët kishin parë
një mbrëmje më parë lajmet për keqbërësit
shqiptarë.
Edhe femrës shqiptare i është
dashur të luftojë me një imazh të caktuar, që
e asocionte atë me prostitutat apo me femrat "mendjelehta".
Në këtë kuptim ato kanë qenë të detyruara
të harxhojnë energji për t'u mbushur mendjen të
tjerëve se nuk ishin ashtu siç mendohej në përgjithësi.
Pa dyshim ka qenë energji e harxhuar së koti, që mund
të kishte shkuar në drejtim tjetër.
Njohja nga të tjerët
është gjithashtu një kusht themeltar për të
mos çuar në vetëpërçmim apo në mbivlerësim
të vetvetes e të kulturës tënde. Kam përshtypjen
se shumë nga shprehjet e dëshpëruara: "jemi racë
e keqe", "jemi të poshtër ne shqiptarët",
e të tjera si këto, e kanë zanafillën pikërisht
në vuajtjen shpirtërore si pasojë e pasqyrimit negativ.
Edhe dukuri të tjera si harresa e gjuhës shqipe, moslëvrimi
i kulturës shqiptare, mbyllja në vetvete, indiferentizmi,
prirjet qendërikëse, etj. lidhen drejtpërdrejt (edhe
pse jo tërësisht) me ndikimin e imazhit negativ, pra me keqnjohjen
e shqiptarëve.
Së fundi duhet nënvizuar
se ai individ ose grup shoqëror që nuk ndihet mirë me
vetveten, detyrimisht nuk ndihet mirë as edhe me të tjerët.
Kam ndjesinë se shqiptarët, po të kishin patur një
trajtim ndryshe, do t'u kishin dhënë vendeve perëndimore
shumë më tepër se çka u kanë dhënë
deri më sot, në ekonomi dhe në kulturë.
4. Mënga e Nënë
Terezës
Në kuadrin e mitit negativ
për shqiptarët futet në një farë mënyre
edhe miti i Nënë Terezës, si dhe e gjithë polemika
që është zhvilluar rreth origjinës së saj.
Dua të them se shqiptarët, po të kishin gëzuar një
mendim të mirë në botë, nuk do kishin qenë
kaq "pasionalë" e "xhelozë" në trajtimin
e origjinës së Nënë Terezës. Mirëpo, imazhi
negativ që u kanë ngjitur atyre i bën- dhe kjo është
mëse e natyrshme - shumë të ndjeshëm kur flitet
për origjinën e Nënë Terezës. Nga ky këndvështrim
prania e mijëra shqiptarëve (emigrantë ose jo) gjatë
ceremonisë së lumturimit të Nënë Terezës,
më 19 tetor 2003, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan,
merr një kuptim të posaçëm. Ata ishin atje për
t'u treguar të tjerëve, por edhe vetvetes, se prej tyre nuk
vijnë vetëm probleme e të këqija, por edhe figura
madhështore të njerëzimit. Mirëpo fizikisht shqiptarët
janë të padallueshëm nga perëndimorët e tjerë,
kështu që prania e tyre në sheshin Shën Pjetër
mund të dallohej vetëm nga simbolet e tyre. Këto simbole
synonin gjithashtu të komunikonin me shikuesit e shumtë të
televizionit, të cilët nga ekrani nuk mund t'i pikasnin shqiptarët
thjesht nga fytyra. Ja pra arsyeja e pranisë së flamujve kuq
e zi (të vegjël e të mëdhenj), e qelesheve, e kollareve
të kuqe me mbishkrimin "Albania", e bluzave me shqiponjën
dykrenare, etj.
Edhe intervista e një emigranti
shqiptar - transmetuar nga emisioni humoristik "Fiks fare"
të Top Channel-it (21.10.2003), - i cili u ankua se ambasada shqiptare
nuk kishte vënë në dispozicion flamuj kuq e zi për
shqiptarët që kishin ardhur për ceremoninë e lumturimit,
duhet parë si shprehje e nevojës për njohje. Sepse rasti
i lumturimit të një shqiptareje, e njohur në gjithë
botën për fisnikërinë e vlerave të saj, është
tepër i volitshëm për të dërguar një mesazh
pozitiv e për të ekuilibruar atë pjesë të zymtë
të infosferës që trajton shqiptarët. Fakti është
se emigrantët, ndryshe nga të tjerët, e ndjejnë
përditë dhe realisht trysninë e imazhit.
Për hir të së vërtetës
duhet thënë se miti i Nënë Terezës në
Shqipëri është mbjellë nga lart. Ndryshe, nga të
lumturuar e shenjtorë të tjerë në botë, emri
i saj nuk u konsolidua nga poshtë, me zërin e masave. Kjo
është aq e vërtetë sa deri në vitet '90 pakkush
nga shqiptarët e dinte se Nënë Tereza ishte quajtur dikur
Gonxhe Bojaxhiu, kurse kulti i saj në Shqipëri ende sot nuk
duket të jetë shumë i ndier. Po të ishim të
sinqertë me veten, duhet të pranonim se Shqipëria nuk
gëlon nga statujat, bustet, fotografitë, ikonat e Nënë
Terezës; as nuk kemi asistuar në ndonjë lulëzim
mbresëlënës të narrativave për këtë
figurë të njerëzimit. Ka patur më shumë filma,
dokumentarë, kujtime, studime, libra, artikuj, me në qendër
punën, vlerat dhe figurën e Nënë Terezës në
ndonjë vend tjetër, se sa në vendin tonë. Ai aeroport
i mjerë që iu dedikua nuk kishte të shkruar dukshëm
as emrin e saj, e jo më ndonjë statujë si ajo e Leonardo
da Vinçit në aeroportin e Romës. Edhe vetë Urdhëri
i saj në Shqipëri nuk është se ka patur shumë
pasues e ithtarë në Shqipërinë e drobitur nga ngulmimi
i varfërisë dhe cinizmi i pasurisë. Elitat shqiptare
dhe veçanërisht klasa drejtuese politike janë përpjekur
më tepër ta tërheqin Nënë Terezën për
mënge për t'u akredituar pranë kancelerive perëndimore,
ose thjesht për propagandë e dukshmëri (vizibilitet)
politike, se sa për të respektuar e për t'i përhapur
vlerat që ajo figurë mishëron edhe sot e kësaj dite.
Polemikat e diskutimet për ngjyrën e pasaportës së
Nënë Terezës shkuan deri në paroksizëm, ndërsa
elitat shqiptare harxhuan litra të tëra boje shkrimi për
t'i vërtetuar botës - megjithëse unë kam përshtypjen
se këto polemika janë vërtitur vetëm në qerthullin
shqiptar - se Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare.
Që Nënë Tereza
është shqiptare nuk ka pikë dyshimi. Porse mbetet ende
për t'u parë sa "Nënë Terezë" jemi,
ose duam të jemi, ne shqiptarët. Vetëm duke bërë
kështu askush nuk do guxojë të vërë pikëpyetje
mbi origjinën e saj, sepse Ajo do të jetë vetvetiu dhe
doemos e jona.
Në këtë mënyrë
imazhi negativ për shqiptarët do fillojë të fashitet
e së bashku me të edhe ai ankth për t'u pranuar denjësisht
në familjen perëndimore.
Rando Devole

