Po
të ishte Selami në vend të Ngjelës
Nga Eduard Zaloshnja
Kohët e fundit, është
rritur ndjeshëm dëndësia e ngjarjeve politike që
meritojnë vëmendje të veçantë në faqet
politike të gazetave. Por një ngjarje politike shumë
e rëndësishme për jetën e tiranasve të thjeshtë,
siç është iniciativa e S.Ngjelës për të
filluar protestat masive në kryeqytet, duket se nuk është
kapur mirë nga radarët e redaksive të të përditshmeve
shqiptare.
Kjo iniciativë e Ngjelës është ngarje e rëndësishme
për tiranasit e thjeshtë sepse rrezikon të përsërisë
protestat e tre vjetëve më parë në sheshin "Skënderbej",
të cilat shpesh degjeneronin në thyerje xhamash dhe kokteje
bombash "Molotov". Ata i kishin harruar tashmë protestat
e bezdisshme, dhe padyshim e vlersonin faktin që politikanët
i kishin transferuar sherret e tyre në institucionet dhe mediat,
ose thënë ndryshe, atje ku nuk pengonin funksionimin normal
të jetës së qytetit. Por, për ironi të fatit,
zhurmën dhe rrëmujën e protestave po e rikthen pikërisht
Ngjela, i cili, falë formimit të tij politik anglo-sakson,
kishte ndikuar fuqishëm që PD-ja, në dy vjetët e
fundit, ta bënte politikën në institucione dhe jo në
rrugë.
Paragrafët e mësipërm përmbledhin me pak fjalë
reagimin e parë që pata pas leximit të lajmit se iniciativa
e Ngjelës ishte përkrahur zyrtarisht nga PD-ja e Tiranës.
Por një analizë më e thellë e pasoi këtë
reagim në mendjen time. Dhe shkak për bërjen e kësaj
analize u bë rikujtimi i një lajmi të 4-5 muajve më
parë në gazetën "Tema". Eshtë fjala për
lajmin që njoftonte se PD-ja i kishte pas ofruar E.Selamit kandidaturën
për bashkinë e Tiranës, dhe se ai nuk e kishte pranuar
"për arsye familjare".
Mbaj mend se ditën që lexova atë lajm, i shtyrë
nga kurioziteti për të mësuar arsyen e vërtetë
të refuzimit, si dhe nga fakti që kisha pas botuar disa artikuj
në mbështetje të një kandidature të mundëshme
të Selamit, nuk prisja dot sa të flisja me të në
telefon. Dhe kur më së fundi ai u kthye nga puna, (ndryshe
nga shumë politikanë shqiptarë, Selamit i duhet të
punojë me orar të zgjatur që të sigurojë bukën
e fëmijve të tij) mësova se ç'fshihej pas "arsyeve
familjare".
Sqarimi i tij ishte shumë i shkurtër, dhe me pak fjalë,
mund të përmblidhet në fjalinë: "Tre muaj nuk
mjaftojnë për të përgatitur fitoren ndaj Ramës
- për të, duhen të paktën 12 muaj përgatitje".
Duke e njohur Selamin nga afër, nuk pata nevojë për sqarime
të hollësishme, por mendoj (dhe shpresoj) se ia vlen që
ta ndaj me publikun interpretimin që i bëra përgjigjes
së tij. Gjithashtu, mendoj se ia vlen të ndaj me publikun
edhe një analizë të gjërave që ai do të
kishte bërë ndryshe nga Ngjela në qoftë se kandidatura
do t'i ishte ofruar 12 muaj para zgjedhjeve.
Kur Selami përmendi 12 muajt, gjëja e parë që më
shkoi në mendje ishte se ai, po ta kishte patur atë kohë
në dispozicion, do të kishte filluar që herët kontaktet
me të njohurit e tij në Departamentin e Shtetit, Kongresin
amerikan, Bankën Botërore, dhe Parlamentin europian, në
mënyrë që të siguronte presionin dhe mbështetjen
financiare ndërkombëtare për dy iniciativa të rëndësishme:
a - kalimin në vartësi të bashkisë të ujësjellsit,
ndërmarrjes elektrike, dhe shkollave lokale, dhe b - rritjen e
ndjeshme të investimeve në këta sektorë. Vetëm
pasi të kishte marrë garanci të plota për mbështetjen
e këtyre iniciativave nga aleatët perëndimorë, Selami
do të kishte dalë në fushatë me premtimin se administrata
e tij do të siguronte 24 orë ujë në ditë, se
do të ndërtonte shkolla të reja, dhe se do të përmirsonte
ndjeshëm furnizimin e Tiranës me energji elektrike.
Një gjë tjetër që më shkoi ndërmend kur
Selami përmendi 12 muajt, ishte se ai, po ta kishte patur atë
kohë në dispozicion, do të kishte filluar që herët
ndërtimin e një shtabi elektoral profesional, i cili do të
kishte vendosur një balancë të arsyeshme midis elementëve
spektakularë të fushatës dhe elementëve të
tjerë po aq të rëndësishëm për fitoren,
sic janë përzgjedhja dhe trajnimi i kujdesshëm i të
gjithë komisionerëve dhe vezhguesve të zgjedhjeve, të
cilët, në kushtet kur në valle nuk futet policia dhe
SHISH-i, mund të garantojnë moslejimin e manipulimeve me listat
zgjedhore dhe rezultatet e zgjedhjeve.
Pas realizimit të këtyre elementëve të rëndësishëm
të fushatës, nuk do të ishte çudi që Selami
t'I fitonte zgjedhjet. Por për hir të argumentit, këtu
po zgjedh të mos merrem me rastin e rënies së lekut "kokë"
për të. Ajo që është e rëndësishme
për çka po ndodh sot, është të hamëndësohet
se cfarë do të bënte Selami në rast se leku, sic
i ra Ngjelës, do të kishte rënë "pilë"
edhe për të.
Me aq sa e njoh Selamin, kam bindjen se ai do të bënte atë
që B. Mustafaj (një politikan tjetër i PD-së me
stofë perëndimore) bëri para tre vjetësh - do të
mearrte mbi vete përgjegjësinë e humbjes, duke e pranuar
denjësisht atë. Dhe ndryshe nga Mustafaj, i cili pas pranimit
të humbjes ndëjti relativisht pasiv, Selami do të bënte
të pamundurën që PD-ja të mos protestonte në
sheshe, dhe do ta inkurajonte atë që t'i kanalizonte protestat
vetëm në forumet institucionale shqiptare dhe ato ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, ai do t'i shpëtonte militantët
nga ngjirjet e përditshme të zërit në qëndrën
e Tiranës, ndërkohë që PD-ja do të arrinte
fitore politike që nuk i ka arritur kurrë me ngjirjen e zërit
dhe thyerjen e xhamave.
Duke e mbyllur këtu analizën time hipotetike, shpreh bindjen
se ndër lexuesit që patën durimin të më ndjekin
deri në këtë rresht të artikullit, nuk janë
të paktë ata që prej së largu më pyesin: "E
çë pastaj?!". Për këtë kategori lexuesish,
kam këtë përgjigje: Shëmbujt pozitivë në
politikën shqiptare nuk gjenden kollaj. Për këtë
arsye, sa herë t'i gjej, nuk do të lodhem së shkruari
për ta. Dhe përderisa ka gazeta që botojnë artikuj
si ky, nuk do të pushoj së dërguari ata në redaksitë
përkatëse. Dhe, së fundi, përderisa ka lexues që
i lexojnë deri në fund artikuj të tillë, nuk do
ta quaj të humbur kohën e harxhur për shkrimin e tyre.

