PARANOJA DHE
BANORËT E SAJ
Nga Dr. Ardian Kyçyku
(Disa mendime rreth romanit Paranoja
të Xhemal Ahmetit, botoi Rozafa, Prishtinë 2004,
193 faqe, ISBN: 9951-02-037-2)
Homo Paranoicus
Po tia tërhiqnim sërish
vëmendjen kritikës zyrtare që ti hidhte sytë
e saj të vranët (e shpesh prej qelqi) drejt letërsisë
që shkruhet në diasporë, do ti jepnim një
rëndësi që kritika në fjalë, për fat të
keq, nuk e ka. Qarkullimi i keq i librave është në gjendje
të shfajësojë secilin prej hulumtuesve të letrave
shqipe, duke i dhënë zemër tërthorazi që ti
zgjatë pa fund rrënjët e rehatisë në ishullin
që mund ta emërtonim Auris Comoditas - truall
ku vetëm miqtë, anëtarët e bajrakut dhe idhujt e
sajuar gjatë realizmit socialist kanë të drejtë
të ngrihen në qiell. Autorët që e kanë humbur
(përkohësisht a përjetësisht) tokën e tyre
dhe janë të detyruar të enden trevave të huaja shqyrtohen
me një shpërfillje gjoja të epërme dhe akademike,
që kaherë se fsheh dot smirën. Autorët dytokësha
skanë të drejtë të shkruajnë kryevepra,
skanë të drejtë të kenë Vepër; ata
janë të gjithë pa përjashtim, vetëm heraherës,
falë një mëshire të diskutueshme hyjnore, bartës
librash-rastësi të
lumtura, por kalimtare e që sngrenë peshë (ngaqë
jetojnë tjetërkund!?) - në përputhje me një
mendësi që i ka kushtuar aq shtrenjtë kulturës sonë.
Ska kuptim të përmendet Naimi, Konica, Koliqi, Camaj
e shumë të tjerë, që jo vetëm kishin një
bindje krejt tjetër ndaj empatisë së shkrimtarit, por
që edhe e dëshmuan fuqinë batërdisëse të
saj.
Xhemal Ahmeti[1], lindur në
vitin 1969 në Dobrdoll, kritik letërsie e artesh, eseist e
gazetar, autori i romanit shkundullues Paranoja botuar tani
së fundi nga «Rozafa», jeton në Zvicër. Ai
nuk është as autor i sprovuar, as i dëshmuar, as i mirënjohur,
as i dashur për lexuesin etj. Epitetet që acarojnë diabetin
nuk i shkojnë për shtat, gjë që mund ti zbulohet
lehtë cilitdo lexues të «Paranojës». Esetë
ideatike të Ahmetit do të befasonin e vinin në mendime
këdo falë mprehtësisë, kultit ndaj së vërtetës,
frymës polemike dhe dashamirësisë aq të rralluar
ndër intelektualë shqiptarë qysh pas Luftës së
Dytë Botërore. Por tani ai na shfaqet edhe si prozator dhe
nuk ndruhem të them se romani Paranoja është
një vegim për letrat shqipe e më gjerë, një
arritje krejt e pavarur nga biografia e autorit dhe nga kahjet e deritanishme
të dhuntive të tij. E ngjizur mbi një metaforë vigane
rrathësh bashkëqendrorë, paranoja që zhbirohet në
roman është jo vetëm shqiptare, ballkanike e evropiane,
por
njerëzore. Mbase do të mund të thoshim se, në këtë
fillim mijëvjeçari, ajo që na shquan nga kafshët
është pikërisht paranoja. E ndoshta kjo veti me rrënjë
të lashta nuk do të kishte qenë veçse një
përmasë tjetër e poezisë së njeriut të
sotëm, po qe se, pas ndërhyrjeve të saj në jetën
tonë të përditshme e të përjetshme, nuk do
të kish rrjedhur aq gjak e nuk do të ishin fikur aq shpirtra.
Helmi dhe humori
Për atë që di të
lexojë mes e përtej rreshtave, Paranoja ka mbi
një mijë faqe, të gjitha të dendura, tejet të
vërteta, të përgjakshme, të dhimbsura e vegimtare.
Këto faqe lexohen me një frymë e duket se pó me
një frymë janë shkruar. Lexuesi ka rastin dhe fatin të
rritet shpirtërisht e mendërisht përmes vëzhgimesh
psiko-shoqërore befasuese, disa syresh: zbulime përjetësisht
të vlefshme. Gjetjet, ironia e veçanërisht parodia
rrënjore e romanit, ajo e qeshur falas, prej fëmije që
sikur nuk është në këtë jetë, por që
i njeh shkëlqyer të fshehtat e groteskut arketipal, trandin.
I pjestuar vllazërisht në zëra e trajta personazhesh,
autori është katërcipërisht i lirë, relativisht
i pavarur nga realitetet që zhbiron, dhe ka një zë të
freskët, të lindur. Duket sikur vetë ngjarjet të
kumtohen, duke shmangur vetjaken e autorit, që ndonjëherë
mund ti bëjë të duken thjesht shpikje. Në
fakt, paranoja nuk le vend për shpikje, ngaqë fshin çdo
kufi mes të njëmendtës dhe trillit artistik. Shqipëria
e sotme, ajo që sikur ngutet të mos i përkasë asnjë
shpirti të vërtetë shqiptar, por vetëm qënieve
të importuara (lexo: shitur gjer në palcë),
ajo Shqipëri që shpesh na ngjeth mishtë ngaqë mbulon
si velenxë e shtëllungë tymrash Shqipërinë
tonë ëndërrore, të përjetshme, së cilës
çdo shqiptar, qoftë jashtë, qoftë brenda, i turret
me mënyrat e veta për ta ngjallur e (ri)pushtuar, - se është
fëminia e katragjyshërve tanë, - kjo pseudo-Shqipëri
pra, del në roman si një hidër shumëkokëshe
(e shumëkombëshe) dhe revolton, magjeps, shiton. Në këtë
rrokopujë ndjenjash të kapërthyera, secili prej nesh
mund ta gjejë, më në fund, vetveten, dhe të bëhet
më fort bir i shqipes së kulluar dhe i Shqipërisë
që, po të perifrazonim një politikan të shquar rumun,
e kemi trashëgim nga stërnipërit, jo nga stërgjyshërit.
Dy botë që përjashtohen
mesveti
Është në natyrën
e paranojës që të vendosë përbri e jo rrallë
të shartojë egërsisht botë krejt të ndryshme.
Sa më tepër të përjashtohen mesveti këto botë,
aq më tepër pretë e paranojës nguten të mendojnë
për botën tjetër me logjikën e tyre dhe për
botën ku gjallojnë me logjikën fqinje. Në roman
ndeshet një hapësirë (gjeografike, historike dhe mendore)
ku pushka e mbrame është shkrehur para njëqind e ca vjetësh
dhe një tjetër ku tymi i plumbave të passhpinës
ende ska dalë mirë nga tyta e kallashnikovit. Në
këto dy botë, në kufirin e brishtë dhe përgjakës
që i ndan e i bashkon, enden prijësa, krijues, xhahilë,
anonimë dhe shumë nga vdekatarët që tranzicioni
i zgjoi atje ku sua kish prerë mendja as në makthe.
Monologjet e personazheve ia dalin mbanë të ngjizin një
rrjetë shumëpërmasore, që është pasqyra
e gjallë e realitetit të prekshëm. Ky realitet shpesh
ia kalon në dalldi e të papritura çdo fantazie letrare.
Një personazh tërheqës është Kryetari i vendit
të vogël ballkanik, ku
zakonisht «asgjë slëviz veç pluhurit».
Ky prijës kalimtar i epokës sonë, - kur pak vetë
kuptojnë që, në të tilla kohëra, jo aq politikanët
e kanë pushtetin, se sa pushteti i ka ata, - i ngjan një kukulle
që heraherës ngre krye ndaj fatkeqësisë së
të qënit i vocërr, i parëndësishëm. Si
të gjitha viktimat e një atdhedashurie të cekët,
së cilës mirëqënia i shton një dell romantizmi
jo rrallë të dënueshëm, anonimi-president që
se si ish gjendur në dallgën e demonstratave të 90-ës,
zbulon dalngadalë se kontrollohet gjer në leshin e veshëve
nga shërbimet e fshehta. Këto shërbime prandaj edhe janë
të fshehta - që të gjithë tua dijnë bëmat
përmendësh dhe tua kenë frikën... Shefin e
tyre, Presidenti e zgjedh vetë, e nxjerr nga këneta e anonimatit.
Leonard Shkeza, ish i burgosur i regjimit komunist, qënie që,
gjatë burgimit të gjatë, vetëm poetët skish
arritur ti merrte vesh, por që shkruante poezi në fshehtësi,
thirret të prijë shërbimet e fshehta ngaqë kish
pasur gjatë të bënte me to
dhe ua njihte mënyrën e punës(!). Sejmenët e tij
janë djem pa emra, pa thelb, por të përkushtuar. Etja
e tyre për gjak është aq e madhe, sa të duket se
viktimat e ardhshme u mbajnë peng në vena gjakun që u
takon me ligj. Rrjedha e ngjarjeve në roman të bind edhe njëherë
për fuqinë dhe rolin që luan smira ndër qënie
që ngatërrojnë nëpunësinë diku lart (në
pallatin e komploteve legale, siç pagëzohet në roman
administrata) me komplekset vetjake dhe që mezi presin të
mund ta shfrytëzojnë funksionin zyrtar për të holluar
sadopak thartirën e smirës. Smira e të qënit i papërkryer,
i paqiell, ose, më saktë: smira e të mosqënit ai
që ëndërron të jesh.
Rrugët, zyrat, kafenetë
dhe skutat e Paranojës gëlojnë nga personazhe
tejet të njohur, që aq dhunshëm gargaren ekraneve, gazetave
e tribunave, mirpo të cilët tani na faniten nën një
dritë tjetër. Politikanë që flasin përçart,
shkrimtarucë që pasurojnë letërsinë shqipe,
pa fismosur, me vepra bajalldisëse mërgimtarësh të
kamur, spiunë të tipit pavarësisht nga feja, krahina
e ideja, bakterie në shërbim të kancerit artistik,
siç i ka damkosur njëri nga protagonistët; aristokratë
të vetëshpikur perëndimorë, që vijnë të
përgjumin mangësitë në prani të aq hallexhinjve
dhe të hiqen, sado kalimthi, si ata që sjanë e
skanë për të qenë kurrë; pijanecë
që, të dehur a krejt esëll, thurrin plane për të
rrëzuar qeverinë; femra që kanë humbur çdo
qëndresë ndaj epshit arhaik dhe që, bashkë me qëndresën,
kanë humbur misterin dhe shijen e tyre; të huaj të cilët
qetësia dhe paqja në shterpëzim e sipër e Perëndimit
i shtyn vetëdijshëm të luajnë mendsh herë pas
here; shqiptarë të mërguar, që, me tu
gjendur mes një lirie të paskaj, heqin dorë nga arritjet
shkencore dhe bëhen shitës simitesh... Është një
botë e jashtëzakonshme, së cilës nuk i duhet cënuar
fshehtësia me mjete të kritikës klasike.
Paranojishtja - gjuhë e vyer
e kohës sonë
Pak kohë më parë,
njëri nga shumë kritikët e sotëm, me një shaka
tejet të pafrymëzuar (për të mos thënë:
të kapërcyer ylberi), i quajti shkrimtarët shqiptarë
që krijojnë edhe në gjuhë të tjera autorë
që kanë kapërcyer ylberin. Kulmi është
se në Ballkan e më tej, radha për të kapërcyer
ylberin është e pafundme dhe frymëzënëse, kurse
ata që kanë pasur fatin ta përcjellin frymën dhe
shpirtin shqiptar edhe matanë, me gjuhën e tjetrit dhe pa
ndërmjetësinë e përkthyesve, paditen si të
pabesë. Kam të dhëna se romani «Paranoja»
do të botohej fillimisht në gjuhën gjermane, të
cilën Xhemal Ahmeti e zotëron përkryer. E sështë
as rasti i vetëm e as për tu çuditur, po të
shohësh me çshpejtësi, dashamirësi e përkushtim
zyrtaria shqiptare srresht së përhapuri vlerat tona
kulturore të mirëfillta. Besoj se botimi i këtij romani
fillimisht në një gjuhë të huaj do ta kish tërhequr
vëmendjen që ai meriton dhe do ta kish shpërndarë
në të gjitha trevat ku lexohet shqip, të shoqëruar
(ligjëruar) nga
vlerësimi aq i nevojshëm mediatik i kritikës perëndimore.
Një vlerësim, të cilin kritika jonë ka rastin ta
bëjë pa asnjë vështirësi, për më
tepër që, në gjuhën amtare, «Paranoja»
ruan atë që mund të quhet shqipja e globanalizuar, -
njëfarë shartimi mes barbarizmash latine, osmane, angleze,
italiane, frënge etj - dëshmi të një turbullire
e rënieje të përgjithshme kulturore, ballkanike, evropiane
e përtejoqeanike, por dëshmi edhe e zgjerimit të kultit
të rëndomtësisë. Me gjuhën që përdor,
romani thotë, veç të tjerash, se idealet e përkora,
gjërat e thella dhe poetike nuk po kanë më vend askund.
Bartësit e tyre pandehen gati vetiu si qënie të dyfishta:
shkrimtarë-hafije, poetë-vrasës me porosi, mendimtarë
të lirë-kufoma në morg etj, siç është
rasti i protagonistit Martin Gera.
Romani dhe e folmja e personazheve
kanë dy shtresa globalizmash, të dyja shprehje jo aq të
njëfarë nihilizmi të shpjegueshëm të një
autori që nuk është lindur e nuk ka jetuar në Shqipëri,
se sa të një amebe tekstuale që synon e shpesh arrin
të gjallojë si botë më vete, paralele. Nga kjo pikëpamje,
edhe vetë romani merr përsipër me kthjelltësi të
jetë njëri prej shumë rrathëve bashkëqendrorë
të paranojës. Jo rastësisht René Claire thoshte
se kthjelltësia është vuajtja që ndodhet më
pranë diellit...
Gjysma tjetër e Xhokondës
dhe shteti
Paranoja ka një
nënshtresë të fuqishme morali e filozofie. Me paanësinë
dhe humorin e tij të mbamendshëm, autori kumton se fajtore
për shumë nga tragjeditë e dyndura mbi njeriun e sotëm
është papërkryerja e tij, lënia e tij përgjysmë.
Për këtë arsye, njeriu është në kushtet
e tanishme një qënie e përngjitur, gjysma-njeri / gjysma-paranojë.
Etja për të filozofuar i kaplon natyrshëm të gjithë
personazhet. Varfëria e jetës, klishetë, përsëritja
e gjërave me një përpikmëri kafshëruese, dëshpërimi
drobitës dhe mungesa e një të ardhmeje të qartë
shpirtërore, e ndan shapin nga sheqeri, domethënë: shpirtin
e rëndomtë, dashnor të vogëlimave tejet tokësore,
nga shpirti i mprehtë, i zgjedhur të përkryhet mes angushtish.
Nganjëherë e folmja e personazheve, qofshin të mbarë
a të mbrapshtë, viktima a gjakatarë, është
e njëjtë. Në kushte sadopak të natyrshme, falltarja
moderne Sofie Bara, për shembull, nuk do të kish medituar
njëlloj me L. Shkezën apo me Petrit Kusarin, sado e varfër
të qe jeta
shpirtërore e së tashmes, por kjo ngjashmëri të
folmesh, përveç trysnisë së paranojës, -
që është si puna e ligjit: e njëjtë për
të gjithë, - përcjell tërthorazi edhe idenë
e binjakëzimit. Kaloi edhe një ditë, nuk të vrau
kush, nesër ka rrezik të gdhihemi binjakë. Shkurt fjala:
ska më rëndësi se cili prej nesh zhduket nesër
nga faqja e dheut...
Në vend të pjesës
së papërfunduar të kryeveprës Xhokonda vigjëlon
hidra e mistershme e qarqeve zyrtare që mbajnë emrin shtet.
Është e tepërt të zgjatemi me përfaqësuesit
e shtetit në roman. Të dhënat që jepen lidhur me
këtë botë që «të vetëvret»
(siç thotë Niçja), janë vegimtare. Në përputhje
me to, gjysma e përfunduar e Xhokondës nuk është
veçse një relike e gjetur mes rrënojave të një
qytetërimi, ku fryma krijuese ende dihaste. Mirpo meqenëse
kryevepra e pambaruar përfaqëson vetëm një relike,
- që nuk i shërben me asgjë epshit, kamjes dhe paranojës,
- ajo nuk ka pikë vlere. Nuk ka vlerë madje as sa të
mund të shitet a të blihet. Atë as falas, gjetur në
udhë, nuk e honeps njeri.
Në kreun e fundit të
librit, protagonist bëhet një X që mishëron copëra
nga të gjithë personazhet e tjerë. Është nëpunësi,
zyrtari total, roboti, i paveti, prijësi dhe ushtari i përbetuar
i aq të paemërve që ta zenë frymën në
çdo faqe të librit pa hyrë fare në arenë.
X-i mbledh kockat e ngjarjes, si të thuash, rendit hollësitë,
dhe i hedh drynin njërit prej shumë rrathëve të
këtij romani që është në gjendje të ulë
mjaft flamuj bajrakësh letrarë në gjysmë shtizë.
Bukuresht, mars 2004
---------------------------------
[1] Të dhëna më
të plota mund të gjenden në www.xhemal-ahmeti.com dhe
në www.seguratech.com