Dueli
12-vjeçar Rama-Berisha
Nga Eduard Zaloshnja
Rrënjët e duelit Rama-Berisha
janë më të thella se sa mund t'i duken një
vëzhguesi të rastësishëm të situatës së
sotme politike shqiptare. Për
t'i gjetur rrënjët e këtij dueli, lypset një vështrim
historik i tij që
nga vjeshta e vitit 1990, kohë në të cilën këta
rivalë politikë patën
rastin të përplaseshin për herë të parë
me njëri -tjetrin. Në atë
vjeshtë, vetëm pesë njerëz në Shqipëri
kishin qenë shprehur
publikisht për ndryshime rrënjësore të sistemit
komunist. Ylli Popa dhe
Sali Berisha, me artikujt e tyre në gazetat kryesore, kishin sugjeruar
lejimin e pluralizmit politik; Gramoz Pashko dhe Fatos Nano, në
intervistat e dhëna tek "Zëri i Amerikës",
kishin sugjeruar lejimin
e ekonomisë së tregut; ndërsa Edi Rama, në serinë
e bisedave publike të
organizuara prej tij, të quajtura "Refleksione", kishte
sugjeruar
lejimin e të dyjave. Në fund të asaj vjeshte, kur Ramiz
Alia u dha lejen
studenteve të revoltuar që të krijonin partinë e
tyre të pavarur, Y.
Popa dhe F. Nano nuk preferuan ose nuk guxuan të bashkoheshin me
studentët; S. Berisha dhe G. Pashko u bashkuan menjëherë
me ta;
ndërsa E. Rama, megjithë dëshirën e madhe për
të marrë pjesë në
lëvizjen studentore, nuk arriti të përfshihej në
të -- rastësia e
deshi që, pikërisht kur revolta e studentëve filloi,
ai të ishte në
Greqi për një vizitë pune.
Kur u kthye nga Greqia, Rama pati
dhe përplasjen e parë me Berishën. I
etur për të qenë protagonist në partinë e parë
politike që do t'u
kundërvihej komunistëve, nga Kakavija, Rama e mbajti frymën
drejt e
tek Qyteti Studenti në Tiranë, i cili ishte në atë
kohë qendra e të
sapokrijuarës Parti Demokratike. Pavarësisht nxitimit me të
cilin erdhi
nga Greqia, Ramës i rezultoi të ishte vonë për t'u
vënë në krye të
Demokratëve - mbledhja që kishte krijuar strukturat udhëheqëse
të PD-së
sapo kishte mbaruar kur ai u fut në Pallatin e Kulturës të
Qytetit
Studenti. Sidoqoftë, Rama e sfidoi Berishën duke e kritikuar
hidhur për
falenderimet publike që i kishte drejtuar Ramiz Alisë, si
dhe për
thirrjet "Rroftë Presidenti Alia" në mitingun e
parë të PD-së. Pas
një shkëmbimi të tensionuar batutash midis Berishës
dhe Ramës, u desh
ndërhyrja brutale e Pashkos që Rama të ndërpriste
debatin me Berishën
dhe të linte sallën i revoltuar. Pak vite më vonë,
duke rikujtuar atë
incident, Berisha do t'u shprehej në konfidencë bashkëpunëtorëve
të tij
se "përzënia e Edi Ramës kishte qenë e vetmja
e mirë që PD-ja kishte
patur nga Pashko". Ndërsa muaj më vonë, Rama do
t'u shprehej miqve të
tij se "po të kishte qenë në Shqipëri në
8 dhjetor 1990, padyshim do të
ishte vënë në krye të revoltës studentore që
në fillim të saj, dhe
ndryshe nga Azem Hajdari, i cili natën e 11 dhjetorit e mirëpriti
bashkëpunimin me Berishën, do ta kishte përzënë
doktorin me
motivacionin se dy netë më parë ishte paraqitur tek studentet
si emisar
i Ramiz Alisë".
Sfida e Ramës ndaj Berishës
nuk u shua me incidentin tek Qyteti
Studenti. Në mitingun e parë antikomunist jashtë Qytetit
Studenti
(mbajtur në sheshin para stadiumit "Qemal Stafa") Rama,
duke u bërë
njeriu i parë në Shqipëri që po atakonte publikisht
figurën e Enver
Hoxhës, mori brohoritjet e zjarrta të pjesëmarrësve
në atë miting me
batuta të tilla si "Enveri na bëri të kuq si rusët,
të verdhë si
kinezët" etj. Ato brohoritje demonstruan se ai e kishte karizmën
dhe mesazhin politik që do t'i duheshin për të fituar
të paktën 90% të
zemrave të anëtarëve dhe simpatizanteve Demokratë
të asaj kohe. Ato
ishin pra edhe një paralajmërim për Berishën se
Rama mund të bëhej një
konkurrent serioz në qoftë se do të lejohej të futej
në strukturat
udhëheqëse të PD-së.
Përpjekja e fundit e Ramës
për t'ia marrë Berishës kalanë nga brenda u
bë në fillim të shkurtit 1991, gjatë një mbledhje
publike të PD-së me
intelektualët e kryeqytetit. Në atë mbledhje Rama atakoi
direkt Berishën
duke thënë se "është absurde që partia
që synon t'i marrë pushtetin
Partisë së Punës, të ketë në krye të
saj ish-sekretarë të organizatave
bazë të po Partisë së Punës". Megjithëse
kjo ishte një sfidë serioze
publike që i bëhej Berishës, ai arriti ta anashkalojë
atë pa shumë
pasoja si rezultat i ashpërsimit që kishte pësuar fjalori
i tij
antikomunist në dy muajt që nga mitingu i parë i PD-së.
Duke e parë të pamundur çarjen e murit të krijuar
rreth PD-së, Rama e
vazhdoi sfidën ndaj Berishës duke u përpjekur të
krijonte një parti të
re, e cila do të pozicionohej më djathtas se PD-ja, dhe e
cila do t'ia
merrte eventualisht elektoratin asaj. Në bashkëpunim me Ardian
Klosin,
Spartak Ngjelën, Kasem Trebeshinën, dhe Gavrosh Levonjën,
Rama, në
pranverën e '91-shit, konturoi partinë e re, e cila u quajt
Partia
Popullore Fetare. Sipas projektit të Ramës dhe miqve të
tij, kjo parti
do të kishte disa fraksione, të cilat do të përfaqësonin
shtresa të
ndryshme antikomuniste. Kështu, një fraksion do të përfaqësonte
intelektualët antikomunistë, ndërsa një tjetër
ish-komunistët e burgosur
nga regjimi i E. Hoxhës; një fraksion do të përfaqësonte
ish-ballistët,
ndërsa një tjetër ish-zogistët; nje fraksion do
të përfaqësonte
demokristianët, ndërsa një tjetër demoislamikët.
Në fillim të qershorit
1991, pas një pune intensive të grupit nismëtar, u arrit
që të
organizohej një mbledhje themeluese e Partisë Popullore Fetare
në
Pallatin e Kulturës të Tiranës, e cila rezultoi e suksesshme.
I
frikësuar ndoshta nga kjo parti e re, Berisha i kërkoi grupit
të tij
parlamentar që të aprovonte një nen në ligjin mbi
partitë, i cili do të
ndalonte krijimin e partive me baza fetare. Duke gjetur dhe mbështetjen
parlamentare të PPSH-së, Berisha arriti ta pengojë regjistrimin
zyrtar të
Partisë Popullore Fetare.
Përpjekjen e fundit për legalizimin e partisë së
tyre, Rama dhe miqtë e
tij e bënë në 22 qershor 1991, ditën kur Xhejms
Bejker, sekretari
amerikan i shtetit, vizitoi Tiranën. Me ndihmën e Sejfi Protopapës,
një
emigrant politik shqiptar në SHBA, ata arritën të siguronin
që partia e
tyre akoma e palegalizuar të merrte pjesë në takimin
e Bejkerit me
përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare. Duke e patur
të qartë se
ai takim do t'i shërbente Bejkerit për të finalizuar
se kë parti ia
vlente të mbështeste Amerika, grupi nismëtar i Partisë
Popullore Fetare
mendoi të dërgonte si përfaqësues Ardian Klosin,
të vetmin njeri që
kishte kryer studime jashtë Shqipërisë, dhe që e
fliste rrjedhshëm
anglishten. Zgjedhja e birit të Bilbil Klosit si përfaqësues
i tyre, nuk
i pëlqeu ish-të burgosurve politikë të partisë,
të cilët zgjodhën një
përfaqësues të vetin për takimin me Bejkerin. Por
përfaqësuesi i
ish-të burgosurve rezultoi inefektiv -- ai jo vetëm që
nuk i dorëzoi
Bejkerit një deklaratë të sugjeruar prej Sejfi Protopapës,
por as nuk
arriti të parashtrojë qartë se ç'përfaqësonte
partia e tij. Ai vetëm
citoi disa vargje nga Kurani dhe Bibla, me të cilat shprehu admirim
për
Bejkerin, dhe që u shuan si shkuma në det pa bërë
as gjënë më të vogël
për partinë e re. Me dështimin e kësaj përpjekje,
Rama nuk u përpoq më
t'ia merrte krahët Berishës nga e djathta.
Sulmet e Ramës kundër Berishës vazhduan kryesisht nëpërmjet
artikujve
tek gazeta "Koha Jonë", e cila atëherë anonte
majtas. Artikujt ishin
aq të ashpra, sa dukeshin si të shkruara me acid e jo me bojë.
Duke
patur parasysh atmosferën që mbizotëronte në Shqipëri
gjatë viteve të
fundit të qeverisjes së Berishës, nuk do të ishte
një imagjinatë në erë
po të hamendësohej se aciditeti i atyre artikujve u bë
shkak për rrahjen
çnjerëzore që e detyroi Ramën të ndërpriste
duelin me Berishën duke u
larguar nga Shqipëria.
Do të duhej të vinte në pushtet Nano, një tjetër
kundërshtar i betuar i
Berishës, që Rama t'i rikthehej duelit të vjetër.
Ftesa që i bëri Nano
për t'u bërë anëtar i qeverisë së Socialistëve,
veteranët e të cilëve
i kishte tallur aq keq në fillim të viteve '90, i dha mundësinë
Ramës
për t'u bërë përsëri protagonist në skenën
politike shqiptare.
Zgjedhja e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, me mbështetjen
e PS-së,
e vulosi përfundimisht vendosjen e tij përballë Berishës
në kampin e
majtë të politikës. Dhe që nga ajo kohë, Berisha
dhe Rama nuk kanë
rreshtur së sulmuari njëri-tjetrin.
1300 fjalët e mësipërme
mund të mos arrijnë të japin një tablo të plotë
historike të duelit Rama-Berisha, por në kushtet e kufizimit
hapësinor të
një gazete të përditshme, ato janë më se të
mjaftueshme për të ndihmuar
lexuesin të shohë sfondin historik të tij. Ky sfond bën
të kuptosh se
dueli Berisha-Rama nuk shpjegohet dot vetëm me kalkulimet elektorale
të
Berishës para zgjedhjeve të ardhshme lokale, por edhe me rivalitetin
e
ashpër midis këtyre dy personazheve për të dominuar
skenën politike
shqiptare.
Eduard Zaloshnja, Ph.D.
Associate Research Scientist
Public Services Research Center
Pacific Institute for Research and Evaluation (PIRE)
11710 Beltsville Dr., Suite 300
Calverton, MD 20705
Phone: 301.755.2734
Fax: 301.755.2799

&nbs