Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

 

 

 

Kosova dhe idetë e Xhinxhiç

Nga Arben Çokaj

Politika e sotme serbe, përmes kryeministrit Zoran Xhinxhiç, ka filluar një revansh në Kosovë. Deklaratat e fundit të z.Xhinxhiç kanë për qëllim të impresionojnë politikanët kosovarë e ndërkombëtarë, lidhur me opsionin serb të statusit të ardhshëm të Kosovës. Nuk kemi pse të mohojmë në të njëjtën kohë faktin se bashkë me deklaratat, na del në dritë edhe deliri i madhështisë, në formën e "folie de grandeur": Z.Xhinxhiç duket sikur pretendon akoma të luajë "big boss"-in në Kosovë, për hir të 3-5 % të serbëve të atjeshëm.
Duket se është një veçori serbe, fakti që ata nuk dinë të mësojnë nga ngjarjet e dështuara në historinë e tyre, ose mundohen t'i interpretojnë ato ndryshe. Të marrim si shembull betejën e Fushë-Kosovës më 1389, ku serbët humbën bashkë me ballkanasit e tjerë në luftën kundër turqve. Serbët e kanë mbajtur gjithmonë këtë betejë të humbur në kujtesën e tyre si diçka të veçantë, bile edhe si pretekst të së drejtës së tyre mbi Kosovën, të cilën vazhdojnë ta shohin si "djep të nacionalizmit të vjetër serb". A nuk është krejtësisht ironik dhe qesharak fakti se, "djepi nacional" i kombit serb, përbëhet nga mbi 90% shqiptarë.
Duke filluar me një intervistë tek "Zëri i Amerikës", të cilës çuditërisht iu dha hapësirë më tepër se ç'duhet edhe në mediat shqiptare, kryeministri serb hodhi gradualisht idenë e një federalizimi të Kosovës. Sipas tij, serbët duhet të kenë pavarësinë e tyre, në një Kosovë, e cila për vete, duhet të ketë një status më të ulët se Serbia e Mali i Zi. (?!)
Deklaratat e kryeministrit serb, synojnë jo vetëm të përfitojnë zgjedhës në Serbi për vete dhe partinë e tij në zgjedhjet e ardhshme, por edhe të godasin Kosovën në një moment, kur spektri politik shqiptar dhe proshqiptar, ndodhet në një gjendje të ngacmuar, ose merret me probleme të tjera.
Xhinxhiç shfrytëzon faktin se arrestimet e fundit në Kosovë nga Gjykata e Hagës, përbëjnë një kërcënim të hapur për ish-luftëtarët shqiptarë, të cilët luftuan kundër okupatorit serb. Duke shfrytëzuar etiketimet e përfolura mbi disa ish-krerë të UÇK-së, se gjoja ata kanë qenë gjatë luftës të instrumentalizuar nga Beogradi, Xhinxhiç vazhdon nga ana tjetër të ruajë zakonin serb të goditjes në pikën e dobët. Ai përzgjedh pikërisht Hashim Thaçin, ish-kreun e UÇK-së, sot kryetar i PDK-së, si politikanin kosovar, me të cilin mund të bisedohet. Xhinxhiç mendon me siguri se Hashim Thaçi, sot është i rrezikuar.
Dhe Xhinxhiç ka se pse të ndihet i ngazëllyer. Ai dëshiron që "me një gur, të vrasë dy zogj". Nga njëra anë, ai hedh idenë e papranueshme të ndarjes së Kosovës, dhe nga ana tjetër, ai synon të fusë përçarje ndër politikanët shqiptarë të Kosovës, duke lavdëruar Hashim Thaçin - kreun e PDK-së. Xhinxhiç shpreson me siguri se, kundërshtarët e Thaçit do të fërkojnë duart nga kënaqësia, që Thaçi po lavdërohet nga kryeministri serb, dhe atyre do u bllokohet logjika nga xhelozia apo urrejtja, duke e etiketuar Thaçin si të shitur. Thaçi nga ana tjetër dhe përkrahësit e tij, mund të joshen nga kjo lëvdatë e kryeministrit serb, dhe të ulin pretendimet për një Kosovë të pavarur e të pandarë. Këtu mund të fillojë ndarja...
Politikanët serbë po e konsiderojnë si sukses të madh veprimin e Gjykatës së Hagës, ndonëse shqiptarët janë të predispozuar të respektojnë drejtësinë ndërkombëtare, gjë që u pa edhe në veprimin e Fatmir Limajt, nënkryetar i PDK-së, i cili iu vetëdorëzua Hagës. Por ne nuk kemi pse ta fshehim faktin se, Gjykata e Hagës mund të jetë edhe e ndikuar nga efekti i kompensimit, dhe për t'ua mbyllur gojën serbëve, ajo po arreston edhe nga pala shqiptare, pra ish-luftëtarë shqiptarë, të cilët luftuan për të mbrojtur vatrat e tyre.
Administrata amerikane, nga ana tjetër, ndodhet sot në një pozicion delikat, për shkak të vështirësive diplomatike mbi çështjen e Irakut. Kështu që çështja e Kosovës, në pritje të zgjidhjes përfundimtare, vazhdon të ruajë gjendjen e mëparshme, pasi administrata amerikane nuk ka realisht mundësi të merret sot me këtë temë. Këtë mbingarkesë, po e shfrytëzon pa takt Xhinxhiç, për t'i bërë qejfin vetes, saqë i lejon vetes edhe ta krahasojë problemin e një diktatori në Irak, dhe qasjen e presidentit Bush atje, me interesimin e tij për Kosovën: "Kosova për mua është si Iraku për Bushin", - shprehet Xhinxhiç, i cili kërkon për më tepër që të kthejë 1000 trupa të ushtrisë serbe në Kosovë.
Por sa seriozisht duhet të merren këto deklarata të kryeministrit serb? Si duhet të reagojnë politikanët shqiptarë ndaj deklaratave të një kryeministri serb të vetëkënaqur? Kjo është një çështje delikate. T'i injorosh deklaratat e kryeministrit serb, nuk është e këshillueshme, pasi për faktorët ndërkombëtarë, Serbia vazhdon të luajë rol lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës. Nga ana tjetër, mbivlerësimi i këtyre deklaratave, siç ndodh në ndonjë rast, do të jepte idenë se politika shqiptare në Kosovë, është satelit i asaj se ç'u teket të thonë liderve serbë - gjë që sot nuk ka pse të jetë e vërtetë, kur ndikimi serb në Kosovë sa vjen e dobësohet. Si çdo gjë tjetër, deklaratat që vijnë herë pas here nga politikanët serbë, nuk kanë pse të përbëjnë lajm në Kosovë, se Kosova synon shkëputjen.
Duhet gjithashtu të tregohet kujdes, që politikanët kosovarë të mos bien pre e presioneve, apo lajkave që bëhen nga të tjerët, aq më tepër nga kundërshtarët e tyre. Hashim Thaçi është në gjendje ta kuptojë, se populli i Kosovës, ashtu edhe ai personalisht, janë më të fituar në një të ardhme, kur Kosova do të jetë republikë e pavarur, se nga çdo zgjidhje tjetër që mund të ofrohet. Regjimi serb, para luftës në Kosovë, e kishte detyruar Thaçin, si shumë të tjerë që të emigronte... Nisur nga kjo, Thaçi nuk ka pse të joshet nga "konsiderata" e shprehur e kryeministrit serb, nëse mendohet se në politikë, jo gjithmonë thuhet ajo që mendohet. Për më tepër, që lëvdatat dhe lajkat e kundërshtarit, janë në të shumtën e rasteve një kurth i përgatitur me prapamendim.


Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull

 
© albemigrant.com 2003