Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

 

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Të jesh shqiptar por jo europian ! Ka më keq?!

Nga Ajet Nuro

Nuk di se si e përcollën bashkatdhetarët e mi aty në Shqipëri zgjerimin e Bashkimit Europian edhe me 10 vende të tjera por të paktën këtu në Amerikën e Veriut (Amerikë, Kanada) ngjarjes iu kushtua një vend i posaçëm në mediat elektronike dhe ato të shkruara. Aq sa nuk besoj se do ketë ngelur ndonjë detaj pa u përmendur që nga përparësitë gjerë tek vështirësit, që nga mundësit deri tek pamundësit e federatës së re. Bile nuk ka munguar dhe lista e vendeve të projektuara për 2007. Fatkeqësisht në gjithë këtë hapsirë që iu kushua zgjerimit të BE në mediat amerikane dhe kanadeze vetëm Shqipëria mungonte. Jo vetëm që nuk bënte pjesë në dhjetë vendet e lumura që iu bashkuan Europës, jo vetëm që nuk bënë pjesë në listën e vendeve të cilat do ti bashkohen Europës më 2007 por edhe më keq : Shqipëria nuk përmendej fare, fare. Nuk thuhej as që «vende të tilla si Shqipëria nuk plotësojnë ende standartet europiane » etj etj. Sa do të doja të shanin (e zbutur të kritikonin) por jo, heshtje. Dhe këtu qëndron dhe e keqja, kjo është fyerja më e madhe : Ne nuk jemi europianë. Le të hidhemi përpjetë e të tregojmë ngjyrën e lëkurës, le të hidhemi përpjetë e të themi se ne jemi një nga popujt më të vjetër të Europës, për Europën ne nuk eksistojmë. Pra ngelet të riorientohemi në këtë realitet pra le të gjemë një vendndodhje tjetër veç Europës.

A mund të ketë më keq se vrasja e një ëndrre të tillë si ajo e shqiptarëve që në vitin 1990 hodhën sloganin « E duam Shqipërinë si gjithë Europa » ? Dhe kjo shumë më parë se baltikasve apo polakëve tu shkonte në mendje se pas 13-14 vjetësh do të bëheshin europianë!. Dhe e keqja është se kjo nuk ishte vetëm një ëndërr nga ato që mund të konsiderohen « ëndrra me sy hapur » por ishte një realitet që nëse do kishim ditur ta shfrytëzonim sot dhe ne shqiptarët do ishim europianë. Po kush na pengoi ne shqiptarëve ta realizonim këtë ëndërr?

Nuk ka asnjë dyshim se nëse këtë pyetje do tua bënim shqiptarëve sigurisht që ata do bënin fajtore në radhë të parë dhe mbi të gjitha klasën politike shqiptare dhe pikërisht numrin një të ekzekutivit Fatos Nanon dhe kështu lista do ishte e gjatë dhe në të do përfshiheshin politikanët e pozitës por dhe ata të pozitës. Po pse pikërsiht klasa politike ? Le të kthehemi pak tek dhjetori i 1990 dhe fillimi i 1991-shit. Ishte pikërisht rinia, jo vetëm që u treguam më vendosura për ta ndryshuar Shqipërinë, por ishte pikërishtë ajo që hodhi parrullat «E duam Shqipërinë si gjithë Europa! » dhe « Liri-Demokraci, jo më vonë por tani! ». Por fatkeqësisht kjo shtresë e popullsisë Shqiptare nuk u integrua në politikën shqiptare dhe me mënjanimin e saj iu anashkalua dhe dëshirave të saj. Sllogani i pushtetarëve shqiptarë është « Ta bëjmë Shqipërinë Afrikë ». Lexoni deklaratat e funksionarëve të lartë shqiptar pas takimeve me funksionar të Europës dhe do ta shikoni se për ta një gjë ka rëndësi që drejtuesit e Europës apo Amerikës flasin fjalët më të mira për zhvillimin e Shqipërisë, për masat e marra që Shqipëria të shkoj sa më shpejt drejtë Eoropës etj etj. Në deklarata të tipit « Europa ka vlerësuar konsensusin e arritur mes forcave politike shqiptare për të avancuar në proceset demokratike që kanë avncuar dhe premtojnë të bëjnë progres edhe më të madh sipas standardeve tashmë të njohura botërisht…. » jo vetëm që nuk i hyjnë në punë njeriu por kanë si qëllim të vetëm bindjen e shqiptarit se ustallarët që kanë marr përsipër ta çojnë Shqipërinë drejtë Europës po punojnë natë e ditë që shqiptarët të hanë me lugë floriri Made in Europe. Por fakti që Europa pavarësisht nga deklaratat e gjerë sotme tregoi se Europa jo vetëm nuk e pranoi në familjen e saj por as që e qasi afër saj për mos të thënë që ia kaloi Afrikës apo Amerikës latine vendin e vogël buzë Adriatikut.

Vetëm klasa politike është fajtore pse Shqipëria nuk është Europë?

Jo. Klasa politike shqiptare është pjellë e shoqërisë shqiptare dhe shoqëria shqiptare e lejon atë të veprojë ashtu siç vepron. Nuk i falet intelektualëve shqipatar, nuk i falet mediave shqiptare (duhet thënë se mediat shqiptare janë jo vetëm të numërta por dhe cilësore veç se ato duhet të ndikojnë në përparimin e vendit) nuk i falet bile as një votuesi të thjeshtë kur voton në mënyrë të papërgjegjëshme. Nk i falet asnjë shqiptari kudo qofte përfshi shkruesin e këtyre fjalëve.

Në fund të fundit ne shqiptarët e kemi humbur atë egon që duhet të kishim, e kemi humbur atë sedrën që do të na bënte të konkurronim me të tjerët. Ne mund të mburremi me figurat që ka nxjerr populli ynë nga ato historike gjerë tek figurat e sotme të të gjitha fushave por fakti që ne nuk arrijmë të gjejmë identitetin tonë si komb është një minus për ne. Se vërtet dhe pas kësaj dite ne do vazhdojmë të ëndërrojmë Europën. Por kur ? Tek e fundit një jetë kemi dhe atë duhet ta jetojmë. Si shqiptarë. Dhe pse jo si europianë. Vetëm se na duhet shumë punë për ta afruar Shqipërinë me Europën. Se erërat që fryjnë mund të na largojnë prej saj ashtu siç dhe mund të na afrojnë. Velat i kemi në dorë ne shqiptarët.

(Botuar dhe tek Shekulli)

Ajet Nuro

Montreal, Kanada

3 maj 2004



Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003