Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

 

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Zgjedhja e Italisë

Nga Rando Devole

"Perché hai scelto l'Italia?" (Përse e zgjodhe Italinë?). Kjo është pyetja me të cilën ndeshen shpesh emigrantët shqiptarë me banim në Itali. Kolegë, komshinj, miq italianë, herët a vonë, i pyesin për ardhjen e tyre në këtë vend.

Pyetja është pa dyshim e ligjshme, edhe pse më vonë zbulohet se është ndërtuar mbi premisa të panjohura mirë. Gjithsesi, kemi të bëjmë me një nga ato pyetje që nxisin vetvetiu përgjigje sqaruese. Pra nuk ishte e rastit që e zgjodhëm këtë pyetje për t'ua drejtuar disa femrave shqiptare që jetojnë në Itali. Synimi ishte të kuptonim nëse këtë vend e kishin zgjedhur apo "ishin detyruar" nga rrethana e/o motive të ndryshme për t'u vendosur atje.

"Përse e zgjodhe Italinë" në fakt nënkupton mundësinë e zgjedhjes së vendit të mbërritjes nga ana e emigrantit. Mirëpo pothuajse të gjithë emigrantët shqiptarë e dinë se, në shumicën e rasteve, vendi ku do shkohet nuk zgjidhet, në kuptimin që kur merret vendimi për të ikur nuk është se paraqiten një sërë alternativash nga të cilat zgjidhet më e mira. Me fjalë të tjera, një shqiptar që ka vendosur të shkojë për të jetuar në një vend tjetër nuk ka mundësi të përzgjedhë midis vendeve perëndimore. Jo vetëm pasaporta, por edhe kushte të tjera nuk e lejojnë të rrotullojë globin, të mbyllë sytë, të vërë gishtin mbi të dhe në atë çast të mësojë se ku do e kalojë jetën e vet.

Shumë nga përgjigjet e femrave shqiptare e përjashtonin prerazi idenë e zgjedhjes. Ato ishin nisur për në Itali kryesisht për lidhjet familjare. "Isha e detyruar të shkoja, sepse në Itali më punonte burri", tha një grua. Kjo do të thotë se ajo nuk e kishte zgjedhur vendin e emigracionit, sepse në rast se bashkëshorti do kishte gjetur punë në një vend tjetër perëndimor, ajo do ta kishte ndjekur atje. Të njëjtin arsyetim bënin edhe femra të tjera që kishin në Itali prindërit, të fejuarit, motrat, vëllezërit. Pra faktori tërheqës ndikon edhe mbi "zgjedhjen", pasi kjo e fundit lidhet drejtpërdrejt me mundësinë për t'u sistemuar në një vend tjetër.

Megjithatë duket se emigrantet shqiptare nuk e kanë perceptuar ardhjen në Itali si një "detyrim" të mirëfilltë. Ndonëse ikja nga atdheu është një veprim traumatik dhe në shumicën e rasteve kundër dëshirës, aty ka edhe diçka të vullnetshme.

Shpesh ideja e emigrimit dhe njëkohësisht vendi i mbërritjes lidhen gati "fatalisht" nga rastësia: një njohje, një bursë studimi, një vizë turistike, etj. Pra një "e papritur" që të jep mundësinë të fillosh një jetë të re. "Unë nuk e zgjodha Italinë, u shpreh një vajzë shqiptare. Çdo gjë u var nga bursa e studimit që më ofruan".

Natyrisht nuk mungojnë rastet e zgjedhjes së vërtetë. Një nga femrat e intervistuara pohoi se e kishte zgjedhur Italinë për arsye të mentalitetit, ndërsa një tjetër tha se i kishte pëlqyer gjithnjë gjuha dhe kultura e këtij vendi.

Nuk është për t'u habitur nga fakti se në procesin emigrues një rol të rëndësishëm e luan gjeografia. Shpeshherë kemi të bëjmë me një faktor thelbësor. Zgjedhja e një vendi varet edhe nga largësia apo afërsia e tij nga vendlindja. Në rastin e femrave, të cilat kanë një ndjeshmëri të veçantë për lidhjet afektive, largësia apo afërsia janë elemente me peshë që mund të rëndojnë në favor të zgjedhjes apo moszgjedhjes së një vendi. Është e qartë se pas këtij arsyetimi - i cili bazohet më shumë në perceptimet e largësisë se sa në distancën reale midis vendeve - fshihen lidhjet familjare, prindërit, të afërmit që jetojnë ende në atdhe. Nga pikëpamja psikologjike, qoftë vajza, qoftë familja e saj e ndjejnë më pak peshën e mërgimit kur vendi është afër Shqipërisë.

Kjo nuk do të thotë se largësia nuk ka edhe një perceptim real. Në vitet e para të emigracionit shqiptar, çmimi i një bilete e kishte peshën e vet (ndonëse relative) në zgjedhjen e vendit. Në fakt ndokush e shpjegon zgjedhjen e Italisë, pikërisht me koston e ulët të udhëtimit.

Qëllon që një individ ta përjetojë emigrimin në mënyrë pasive, ose më mirë ta perceptojë atë si të tillë. Përveç kësaj, ndodh që vendimi për të ikur nga vendi rëndon aq shumë saqë ky vendim i delegohet rrethanave dhe ndonjëherë vendit ku shkohet, duke e larguar kështu ndjenjën e përgjegjësisë nga vetja. Ka mundësi që të jetë ky interpretimi i përmbysjes që një grua shqiptare i bëri pyetjes: "Unë nuk e zgjodha Italinë, ishte Italia ajo që më zgjodhi mua". Ka gjasa që përgjigjja të ketë të bëjë me një emigrim gati të imponuar nga rrethanat e jetës.

Për ata që nuk e njohin realitetin e vendeve si Shqipëria mund të shtohet se projekti i emigrimit nuk është aq i lirë sa mund të duket këtej detit. Ka raste që pyetja për zgjedhjen e Italisë të bëhet disi "nga jashtë", e përzier me tone vetëkënaqësie, por këto mund ta çnatyrojnë ndjeshëm përgjigjen.

Për vetë karakteristikat e emigracionit, është e vështirë të kuptohet deri në fund dhe rast për rast nëse zgjedhja e një vendi ishte e lirë apo e detyruar, madje ndonjëherë duket se ka qenë kështu: as zgjedhje, as detyrim, ose edhe zgjedhje edhe detyrim.

Botuar ne gazeten "Bota shqiptare", Rome.

 


Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003