Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

 

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

MJAFT-i dhe unë

(Botuar te Shekulli me disa ndryshime)

Nga EDUARD ZALOSHNJA

Verën e kaluar, kur fushata MJAFT po i afrohej fundit, ambasadori
britanik në Tiranë botoi një artikull në gazetën Shekulli, në të cilin e
vleresonte fushatën si të suksesshme në misionin e saj për shkundjen e
apatisë ndaj keqqeverisjes dhe plagëve të shoqërisë shqiptare. Të të
njëjtit mendim ishin edhe përfaqsia e OSBE-së në Tiranë, kongresmenët
amerikanë Engel e Lantosh, si dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Dhe i të njëjtit mendim ishte edhe Shtabi Ekzekutiv i fushatës.

Suksesi i fushatës së parë e shtyu Shtabin Ekzekutiv të MJAFT-it të
aplikonte për financimin e një fushate të dytë -- fushatën "Këtu vendos
unë!". Ajo fushatë synonte të sensibilizonte votuesit që të tregoheshin
të vemendshëm gjatë fushatës zgjedhore për pushtetin lokal, në mënyrë që
votën e tyre ta jepnin për ata kandidatë që kishin gjasa të bënin më
shumë për komunitetin. Dhe afër mbarimit të fushatës, djemtë dhe vajzat
e MJAFT-it menduan ta përdornin eksperiencën e fituar për ta
transformuar atë në një lëvizje afatgjatë që do të synonte artikulimin e
shqetësimeve të shqiptarëve të thjeshtë nëpërmjet protestave,
peticioneve, lobingut, dhe të tjera forma të ngjashme të aksionit
civil.

Në momentin që bënë vendimin përfundimtar në lidhje me lëvizjen, ata
ftuan Ismail Kadarenë për t'u bërë Kryetar Nderi i Lëvizjes dhe e
zgjeruan Bordin Këshillues me shqiptarë nga diaspora. Dhe këtu futem në
skenë unë. Si një anëtar aktiv i diasporës që kishte shkruar disa
artikuj në mbështetje të MJAFT-it, Shtabi Ekzekutiv më ftoi edhe mua të
bëhesha anëtar i bordit. Dhe nga dita që e pranova atë ftesë, i mëshova
idesë se misioni i MJAFT-it duhej të ishte gjenerimi i një lëvizje
mbarëpopullore që eventualisht do të prodhonte një forcë të re
politike të përbërë nga njerëz që nuk e gjejnë dot vehten as në bllokun
politik të udhëhequr nga Nano dhe as në atë të udhëhequr nga Berisha.
Një ide kjo së cilës i mëshoja fort si në komunikimet e brendëshme të
MJAFT-it, ashtu edhe në shkrimet e mija publike, dhe e cila përputhej me
idenë që kishin disa nga kolegët e tjerë të bordit për misionin e
lëvizjes.

Kur MJAFT-i organizoi metingun e madh para Kryeministrisë, m'u duk se
erdhi momenti që versioni që kisha patur në mendje për misionin e
lëvizjes të materializohej. Ai meting m'u duk si një ortek që fillon
i vogël në majë të malit dhe që përfundon madhështor në rrëzë të tij.
Dhe në ditët që pasuan, nuk rreshta së shkruari për të. Si Shtabit
Ekzekutiv, ashtu edhe publikut.

Duke mos qënë i vetmi zë publik që kërkonte që protesta para
Kryeministrisë të shërbente si fillimi i ortekut që eventualisht do të
hapte rrugën për lindjen e një force të re politike të fuqishme, pata
përshtypjen se Shtabi Ekzekutiv do ta përqafonte këtë opsion. Por
djemtë dhe vazat e shtabit, pasi peshuan sugjerimet e të gjithë atyre që
publikisht ose privatisht iu ofruan këshilla (këshillat ishin të shumta
dhe nga më të ndryshmet) vendosën përfundimisht që të rikthehen në
formatin që kishin patur në mendje kur bënë kapërcimin nga fushatë në
lëvizje. Pra që të fokusoheshin në artikulimin e shqetësimeve të
shqiptarëve të thjeshtë nëpërmjet protestave, peticioneve, lobingut, dhe
të tjera forma të ngjashme të aksionit civil.

Pas këtij vendimi të Shtabit Ekzekutiv, u ula të rilexoj me mendje të
ftohtë artikujt e mij të shumtë ku, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kisha
argumentuar për shndërrimin eventual të MJAFT-it në një lëvizje
politike. Shkak për rileximin u bë kjo pyetje që më mundonte: Kush është
gabim, unë apo djemtë dhe vajzat e MJAFT-it? Dhe në fund të leximit dhe
përsihatjeve të mija, arrita në përfundimin se asnjëra palë nuk ishte
gabim! Përgjigje që nuk bën shumë kuptim? Hm..., le ta japim me më
shumë fjalë.

Në çdo vend ku populli ka të drejtën e zgjedhjes së atyre që qeverisin,
ekzistojnë dy mundësi ligjore që një grup njerëzish të pakënaqur me
forcat politike ekzi
stuese të bëjë diçka për përmirsimin e qeverisjes.
Njëra është nisja e një lëvizje politike për krijimin e një alternative
qeverisëse më të mirë se ato ekzistuese, dhe tjetra është nisja e një
lëvizje civile për t'i bërë presion forcave ekzistuese politike që të
realizojnë një qeverisje më të mirë.

Rruga e parë ka potencialin për të dhënë rezultate më shpejt të
prekshme, por përmban edhe më shumë rreziqe. Lëvizje të tilla, sidomos
kur kanë qënë shumë të vrullshme, janë uzurpuar jo rrallë nga demagogë,
diktatorë, gjysëm-diktatorë, e sharlatanë të turlillojshëm. Nga ana
tjetër, lëvizje të tilla jo rrallë kanë dështuar të gjenerojnë
mbështetje popullore në masën e domosdoshme për përmbysjen e status
kuosë politike, duke përfunduar thjesht në parti pa peshë reale në jetën
e vendit.

Dhe si në çdo investim, edhe në një investim politiko-shoqëror, kushdo
që matet të investojë mundohet të vendosë në mendje një balancë
racionale midis magnitudës dhe shpejtësisë së rezultateve të pritëshme
nga njëra anë, e rreziqeve që paraqesin alternativat e ndryshme të
investimit nga ana tjetër. Në rastin e MJAFT-it, djemtë dhe vajzat e
tij vendosën të zgjedhin alternativën që ka potencialin e përmirsimit
gradual të qeverisjes, duke anashkaluar alternativën që mund të sillte
rezultate të shpejta por që ishte e mbarsur me rreziqet e
sipërpërmendura. Me pak fjalë, ata demonstruan se bëjnë pjesë në
grupin e njerëzve rrezik-shmangës dhe jo rrezik-përsipër-marrës (termat
janë huajtur nga teoria e investimit). Dhe historia e investimeve të të
gjitha llojeve ka treguar se, mesatarisht, njerzit që i përkasin grupit
të parë kanë qënë jo më pak rezultativë se ata të grupit të dytë.

Në këtë pikë të leximit, ti lexues i dashur ndoshta mund të jesh bërë
kureshtar të dish se ç'qëndrim do të mbaj unë tani që djemtë dhe vajzat
e MJAFT-it kanë zgjedhur alternativën që nuk preferoja. Për ta shuar
kureshtjen (në qoftë se të ka lindur), përgjigjia është se do të vazhdoj
t'i mbështes. Madje do t'i mbështes fort. Dhe nuk do të pushoj së
mbështeturi deri sa ata të realizojnë atë që askush nuk e ka
realizuar ndonjëherë në Shqipëri -- konsolidimin e një lëvizje të
fuqishme civile që do ta bënte zërin e shqiptarit të thjeshtë të ndihej
në çdo skutë të pushtetit.



Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003