POETËT
JANË ZOGJ QË KTHEHEN!
"METAFORA E ARRATISUR" -Përmbledhje me poetë
të mërguar-
"RIVA
H."-tregime dhe ese nga Arbër Ahmetaj
Botoi shtëpia e arteve dhe botimeve
"Mergimi
A&B"Tiranë-Gjenevë-Prishtinë
Nga: Granit SOKOLI
Një promovim i rrallë
"Promovimi i sotëm -tha në hyrje të fjalës
së tij poeti Hamit Aliaj- bart në vetvete një metaforë
të dhimbshme dhe është i rrallë. Së pari, është
rast i rrallë, ose i vetmi në Shqipëri, ku promovohet
një libër me 15 autorë të gjallë, e theksoj
të gjallë, dhe asnjëri prej tyre s'është pjesëmarrës
në lindjen e librit të tij. Së dyti, është
botimi i parë i këtij lloji në Shqipëri dhe për
këtë kolanë që ka nisur Bislim Ahmetaj e përgëzoj
duke shpresuar dhe besuar që në botimet e ardhshme të
gjejmë tashmë mërgimtarët Skender Buçpapaj,
Ilirjan Zhupa, Rudolf Marku, Sami Milloshi e shumë të tjerë
që i dhanë jo pak letërsisë shqipe.
Kur e mora këtë libër për ta redaktuar dhe i bëra
një parathënje modeste, pikësëpari vërejta
vlerat, por edhe asociacionet i pata të shumta. Thashë, tashmë
guri tragjik që e ndante Shqipërinë terësore është
thyer. Planeti është bërë i vogël e megjithatë
mallkimi i hershëm na ndjek. Shumë krijues madje krenari e
jona jetojnë larg, si në rilindje, dhe kanë statuse të
çuditshme: në këtë botë të vogël
ende disa prej tyre s'mund ta shohin atdheun e vet. Paradoks, apo jo?
Është e rëndësishme të theksohet se tema zotëruese
nuk është vetëm malli për dheun e vet, por është
tema e qënjes, tema e lirisë dhe koha. Kjo është
domethënëse dhe dëshmon përmasë arti universal.
Ata janë edhe një urë e rëndësishme e lidhjes
së kulturës sonë kombëtare me kulturat tjera të
njeriut të kësaj bote, edhe një përmirësim
i imazhit, mjerisht të përkeqësuar të atdheut të
shqiptarëve.
Titulli "Metafora e arratisur" është i dhimbshëm
Çdo botim i parë i një lloji të caktuar ka dy
fate: i pari fat është se vihet në shënjestër
të kritizerëve për mangësitë e mundëshme.
Por fati i dytë është më ogurmirë, sepse njëshi
është fillimi. Pra Bislim Ahmetaj dhe shtëpia botuese
"Mërgimi A&B" kanë fat të quhen fillimi
i një gjëje të rëndësishme për kulturën
tonë. Kur shikon gjeografinë e prejardhjes së autorëve
të kësaj përmbledhje bëhesh disi entuziast: Nga
Berati vijnë Mardena Kelmendi dhe Vitore Stefa Leka, nga Tirana
Ejvis-Maria Xhajanka, Arbër Ahmetaj nga Tropoja, Sokol Rrogami
nga Gjakova, Leomi nga Shkodra, Ramiz Cacaj nga Deçani, Dashnim
Hebibi nga Presheva, nga Peja Lirie Berisha Malaj, Luan Burimi nga Kolonja,
Liman Zogaj nga Malisheva, Bekim Hashani nga Obiliqi, Gani Azemi nga
Lipjani, Kadri Osmani nga Makreshi i Poshtëm, Arsim Ferizi nga
Ferizaj etj. Në botimin e ardhshëm besoj se do të kemi
nga Dodona, pra Çamëria, Tetova dhe Ulqini. Një gjeografi
e ëndërruar por krejt natyrale, apo jo? "Metaforë
e arratisur"! Titulli i librit. I dhimbshëm. Metaforë
e arratisur në kohë të vështira, por poetët
janë zogj që kthehen. Ata do të kthehen me më shumë
diej dhe metafora. Nuk do t'i njohë vetëm qeni i shtëpisë
si tek Odiseu, do t'i njohin të gjithë, sepse pikë së
pari po i njohim me botime të tilla.
Prozë me intensitet të lartë dhe gjuhë të
veçantë...
Shkrimtari Besnik Mustafaj tha: "është një kënaqësi
për mua që marrë pjesë në këtë promovim
jo thjesht se isha redaktor i vëllimit me tregime "Riva H.",
por edhe sepse mund të kem qënë nga lexuesit e parë
të Arbër Ahmetajt. Në këtë libër gjendet
edhe një ese, "Gjarpërinjtë-agjentët e kaosit",
një ese për gjarprin dhe gjarpërinjtë të cilën
unë ua rekomandoj ta lexoni. Prozat e tij janë të shkurtëra
çka ka anën e vet të mirë, sepse kanë një
intensitet shumë të lartë. Por një shkrimtar, edhe
pse mund të jetë i madh, nuk mund të jetë kurrë
me vlera të konsoliduara horizontalisht apo veç në
rritje. Të gjith shkrimtarët kanë relievin e tyre, uljet
dhe ngritjet e veta. Rrjedhimisht mund të them se disa proza të
këtij libri do të mbahen mend për intensitetin e lartë
dhe gjuhën e veçantë, ndërsa në disa të
tjera, duket sikur autori dëshmon njëfarë lodhje. Autori
mund t'i kishte zhvilluar më gjatë ato subjekte, që duken
si të ngrira. Megjithatë, në shumë raste, pavarësisht
se tregimet duken sikur janë lënë në mes, autori
i ka konceptuar vet si të tilla dhe ato ngjajnë po aq bukur.
Unë e përshendes daljen e këtij libri.
Së dyti unë do të veçoja se lindja e një
shtëpie botuese është gjithmonë një gëzim
për lexuesin dhe unë, si lexues, e përshendes shtëpinë
botuese "Mërgimi A&B". Botimi i përmbledhjes
"Metafora e arratisur" është një punë
shumë e lavdërueshme, pasi në shumicë absolute njerëzit
që janë në mërgim janë njerëz të
ditur, të shkolluar, janë njerëz më ndjeshmëri
të lartë që kanë nevojë t'i shprehin njohuritë,
dijet, ndjeshmëritë e veta. Por mërgimi ka edhe vështirësi:
ai ua vështirëson vendosjen e kontakteve që i dëshiron
çdo autor, lidhjen e tyre me lexuesit. Shtëpia botuese "Mërgimi
A&B" duket e angazhuar në këtë ndërmarrje,
po bën një punë të mirë si për vetën
e saj, për ata autorë që u mungon lexuesi dhe së
fundi për vetë lexuesin shqiptar të cilit i mungon kjo
krijimtari, krijimtaria e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë
të mërguar. Unë e përgëzoj edhe një herë
botuesin, zotin Bislim Ahmetaj për këtë punë që
ka filluar dhe ju ftoj ju të gjithëve që ta ndihmojmë
dhe të jemi bashkëpunëtorë të tij. Një
shtëpi e mirë botuese në kushtet e Shqipërisë
është një vepër e përbashkët e të
gjithë dashamirëve të letërsisë. Ju faleminderit
dhe udhë të mbarë dy botimeve të reja të Mërgimit.
Prozë moderne me simbolikë origjinale...
Gazetari i tvsh-së dhe poeti Leka Ndoja tha se e konsideronte vetveten
si njohës të mirë të krijimtarisë letrare të
Arbër Ahmetajt. "Arbri- tha L.Ndoja - është njëri
prej përsonaliteteve të pakta që e kanë formatuar
vetvetën gjatë këtij dhjetëvjeçarit të
fundit. Fillimisht ai iu paraqit lexuesit me poezi, por shume shpejt
në mënyrë tronditëse u hodh guximshëm tek proza
dhe jo të një prozë e zakonshme. "Fletë-hyrje
për në varr" romani i tij i parë, ishte një
risi e fillimit të viteve 90. Qysh në vitin e parë ky
libër u propozua për çmim të parë të
republikës në konkursin kombëtarë të letërsisë,
por skeptikët e rrëzuan atë libër. Ata menduan se
ishte herët të vlersohej një libër i tillë.
Unë kam pasë besim se ai ishte fillimi i një letërsie
të re, siç kam pasur besim tek autori i tij. Arbër
Ahmetaj na ka ardhur jo vetëm në fushën e prozës,
por edhe atë të analizës. Është befasues formimi
i tij si diplomat dhe njohës i shkëlqyer i gjeostrategjisë.
Edhe pse i diktuar prej kushteve që të mos jetë pjesë
e zhvillimeve të përditshme në Shqipëri, ai është
duke bërë një shërbim të vyer nëpërmjet
shkrimeve të tij për qytetarët shqiptarë, kudo që
ata e marrin gazetën kombëtare "Bota Sot". Proza
e tij është një prozë moderne, aspak skematike,
e cila buron nga një realitet i njohur dhe i përjetuar, të
cilin ai ia përcjell lexuesit përmes një simbolike të
fuqishme, krejtësisht origjinale. Proza e tij ka përfituar
shumë edhe nga fakti që ai është edhe poet. Në
tregimet e këtij vëllimi, pavarësisht subjekteve e kohës
në të cilën janë shkruar ndihet prezenca e liqenit
të Gjenevës, afër brigjeve të të cilit jeton
tani autori. Prania e liqenit siç duket ia ka shtuar edhe më
shumë thellësinë mjegullimit egzistencial të prozës
së tij.
Gjithashtu, desha të uroj botuesin e "Mergimit a&b"
për këtë buqetë poetësh dhe poezish që
ka sjellur në atdhe përmes "Metaforës së arratisur".
Ata prezantohen së bashku dhe shumica prej tyre sjellin vlera poetike
ndërsa botuesi B. Ahmetaj, ka pasur mirësinë t'u japë
nga "një vizë hyrëse" tek njëri-tjetri
dhe tek lexuesi shqiptar. 15 poetë shqiptarë në antologjinë
e parë me poetë modernë të emigruar, që besoj
se do të pasohen me emra të tjerë...!
"Mergimi a&b" do t'u rrijë pranë krijuesve të
mërguar...
Botuesi Bislim Ahmetaj duke falenderuar pjesmarrësit, gazetarë,
poetë, prozatorë dhe miq të autorëve që prezantoheshin
foli shkurtimisht për historikun e entit të tij botues, i
specializuar në botimin librave të autorëve të mërguar.
Ai tha se "Mergimi a&b" do t'u rrijë pranë këtyre
krijuesve sepse ata nuk janë aspak më të patalentuar
se sa krijuesit që jetojnë brenda vendit. Shtëpia botuese
"Mergimi a&b" është themeluar pikërisht
për të lehtësuar afrimin e tyre me këtë lexues,
për të shmangur spekulluesit dhe botuesit piratë, që
botojnë libra ilegalisht apo që edhe nuk i botojnë fare
veç vjelin të ardhurat e krijuesve të emigruar. Përveç
letërsisë dhe publicistikës ai tha se do të botonte
edhe kujtime, albume familjare, punime diplomash të studentëve
shqiptarë që studiojnë jashtë vendit.
***
SHKRIMTARI I MËRGUAR MBI KUFIJTË E TRADICIONALES
Libri "Riva H", i Arbër Ahmetajt, një risi ne letërsinë
bashkëkohore
Nga Arben Çejku
" Ne tregimet e Ahmetajt, si në një pasqyrë deformuese,
ngrihet një bote e bllokuar, e paralizuar nga frika, dyshimi, sëmundja,
vdekja dhe mungesa e sensit... "
Pavarësisht se arti nuk njeh kufij, gjithsesi, Arbër Ahmetaj
mbetet një shkrimtar i mërguar. Prej disa vitesh jeton ne
Zvicër, ku ka krijuar disa vepra ne prozë dhe poezi. Kolanës
se botimeve te tij i është shtuar përmbledhja me tregime
"Riva H" e botuar nga shtëpia botuese "Mërgimi
A&B", e cila është përcjellë nga kritika
si një arritje kulmore e autorit ne gjininë e tregimit.
"Riva H"
"Riva H" është titulli i një prej 30 tregimeve
të librit me të njëjtin titull. Libri i fundit i Ahmetajt
shënon një risi në letërsinë shqiptare jo për
arsyen e thjeshtë se ai krijon jashtë vendit, jo se ajo është
një "letërsi mërgimtare" tradicionale, ku gëlon
malli për atdheun dhe nostalgjia për heronjt dhe patetizmi
për progresin. Risia e librit mbështetet ekzistencialisht
në elementë që dallojnë artin nga jo arti, amatorizmin
nga profesionalizmi, sprovën nga arritja. Në vetvete, tregimet
e Ahmetajt nuk janë fabula që të ngjethin mishin me fatin
e heronjëve të tyre, apo epope që të zgjojnë
ëndrrën e të parëve, por janë gurë të
çmuar arti në përpjekjen për krijimin e një
tradite të re në letërsinë shqipe. Nuk është
lakmia për modernizmin apo rrymat eksperimentale, por ngjeshja
fort në truallin e traditës krijuese shqiptare. Një nga
tregimet që e simbolizon qartë tendencën kreative dhe
filozofike te autorit është tregimi "Guri". "Guri"
është një nga tregimet më të arrira shqiptare,
qoftë për gjuhën, stilin dhe këndvështrimin
filozofik. "Guri", një reminishencë e letërsisë
ekzistencialiste, është një klithmë, është
një thirrje për të lëvizur nga gjendja. "Më
mirë në ferrë sesa në themel të një muri
që ndërtohet jashtë dëshirës sime dhe larg
mundësive të mia për ta penguar ndërtimin e tij",
shkruan autori. Në të njëjtën linjë është
edhe tregimi "Poshtërimi", i cili është një
fokus ku shihet njeriu sot në dyzimin e tij, në udhëkryqin
e përditshmërisë. "Ishte i bindur se duhej t'u largohej
njerëzve, në vetmi të gjente një zgjidhje, një
rrugëdalje...". Pavarësisht fatit tragjik të heroit,
autori nuk shihte një rrugë-zgjidhje tjetër. Ky tregim
dhe ndonjë tjetër nuk e shpëtojnë autorin nga emocinet
fataliste. Në përgjithësi tregimet e Ahmetajt nuk e kanë
optimizmin gazmor, por ato të ndjellin drejt skutave të erëta
të njerëzores, aty ku ngre krye dyzimi ynë ekzistencial,
aty ku vihet në provë morali ynë, aty ku kërkohet
kapërcimi i gjendjes. Një tregim i sforcuar është
"Neveria", por jo "Statuja" apo "Qentë",
"Lenini", "Gjarpërinjtë" etj.
Tregimet e një letërsie poetiko-filozofike
Disa nga veçoritë artistike të veprës "Riva
H", por në përgjithësi të prozës së
Ahmetajt, janë fabulat me motive që gërshetohen në
kohë, duke rrokur hapësira epiko-legjendare deri tek e ardhmja
pa formë. Vendlindja e tij, Tropoja, është një kështjellë,
ku autori shpesh nuk kursen të marre "lëndën e pare",
jo vetëm heronjt, por edhe stilin e rrëfimit apo metaforat
e gjendura me shumicë. Në disa raste, mbipërdorimi i
këtyre elementëve, përfshi edhe frazën e tij te
ngjeshur, krijojnë hapësira për devijimin nga stili i
zakonshëm i autorit. Në përgjithësi, tregimet e
"Riva H", janë shkruar mbi bazën e monologut, për
të krijuar me shumë hapësirë mendimi, duke e lëvizur
prozën nga letërsia e mirëfilltë, drejt stilit poetiko-filozofik.
Përreth njeriut në dilemë, ngrihen pikëpyetjet e
ekzistencës së tij përmes një arti epiko-lirik dhe
një larmie tregimesh, që, se bashku, fare mire, mund të
përbënin një roman eksperimental, ku nuk ka nevojë
për sforco të madhe për të kaluar nga njëri
kapitull tek tjetri.
Shkrimtari dhe publicisti Arbër Ahmetaj, tashmë ka zënë
një vend nderi ne rrethet letrare shqiptare dhe zvicerane, duke
u bërë një emër i preferuar. Emra të njohur
si Marie-Rose Genoud, Marius Dobrescu, Michel Pichon, Charles Pralong
etj, theksojnë vlerat e veçanta të krijimtarisë
së tij. "Në tregimet e Ahmetajt, si në një
pasqyre deformuese, ngrihet një botë e bllokuar, e paralizuar
nga frika, dyshimi, sëmundja, vdekja dhe mungesa e sensit. Forca
e përshkrimit psiko-analitik na zhyt në një formë
jete të reduktuar, ku fantazmat trupëzohen prej fuqisë
së fjalëve, në bukurinë e errët të një
shkrimi tronditës", thekson Genoud. Për Dobrescun, e
"LuceafaruI", "proza e Ahmetajt është e ashpër,
kërcëllitëse dhe e ftohtë. S'ka shenjë diplomacie
në prozën e tij". "Shkrim që luhatet mes letërsisë,
esesë dhe filozofisë", e ka cilësuar prozën
e Ahmetajt Pichon i "Le Nouvelliste". Ndërsa Charles
Pralong në "Le Courrier", vlerëson se në prozën
e Ahmetajt ka "filozofi, mitologji, histori mbi një vend që
vdekjen e mban ne gji si foshnje"...
"Metafora e arratisur" vjen ne Shqipëri
Shtëpia botuese "Mërgimi A&B" ka nisur një
tradite të re botimesh, duke u fokusuar tek krijimet e shkrimtarëve
që jetojnë jashtë Shqipërisë. Botuesi Bislim
Ahmetaj, në përcjelljen e librit të ri "Metafora
e arratisur", thotë "miqtë e mi të mërguar,
poezia juaj u kthye ne atdhe". Antologjia poetike "Metafora
e arratisur" përmbledh krijimet e 15 autorëve, të
cilët janë të njohur dhe jo shumë të njohur
tek ne. Këtë herë, ata nuk i bashkon fati i mërgimtarit,
por krijimtaria, gjuha e artit. Ejvis Xhajanka, ka qenë, psh.,
një emër i ri në letërsinë shqiptare të
viteve '90, por që tani rikthehet me zërin e saj. Po ashtu,
edhe Vitore Stefa-Leka apo Sokol Rragami etj. Nuk është hera
e pare që historia e letërsisë shqiptare njeh ishuj letrarë
jashtë territorit shtetëror. Nuk është thjesht distanca
që u jep vlerë krijimeve poetike të këtyre 15 autorëve,
por krijimtaria e tyre. Në këtë liber përfshihen
poezi edhe nga Arbër Ahmetaj, Arsim Ferizi, Bekim Hashani, Deshnim
Hebibi, Gani Azemi, Kadri Osmani, Leom, Liman Zogaj, Lirie Berisha-Mala,
Luan Burimi, Mardena Kelmendi e Ramiz Cacaj.
***
ARBËR AHMETAJ ose SHKRIMTARI
PA LEJE!
"Riva H.", libër me tregime dhe ese, botoi "Mergimi
a&b" Tiranë-Gjenevë-Prishtinë, 2003
Nga: Mehmet ELEZI
...ai e zgjon në mes të natës djalthin dhe e urdhëron
t'i mbushë ujë të freskët në pyllin gjysëm
ore larg, megjithëse çesmja e shtëpisë gurgullon.
Urdhri, si dhe herë të tjera, është i padiskutueshëm.
Pushteti i urdhëruesit është i zi, i hekurt. "Dhe
une nuk bëj shaka me bukën e gojës", mendon djali.
Dhe është "stinë e llurbtë vrasjesh. Banorët
e qytetit nuk merrnin dot frymë së renduri: shtëpi-varreza
". Djali niset nën një qiell terri e shiu pa fund. Kalon
pa u tutur përskaj varrezave, "A nuk jam edhe vetë një
i vdekur i sojit të veçantë?". Dhe ia sjell ujin.
Dhe eprori e pi ujin. E pi ujin dhe vdes në vend. Djali kësaj
here e kishte mbushur bidonin në një gropë varri! A do
ti mbysë vallë këtë race mizore, uji i varreve që
hapin vetë?
Tregimi është i shkurtër, tri-katër faqe. Asnjëri
prej tregimeve të vëllimit (Arbër Ahmetaj, Riva H., MërgimiA&B,
2003) nuk është më i gjatë se kaq. Në tri-katër
faqe lëviz një dramë e pamëshirshme, e thellë,
e akullt. Riva H. hip në tren me foshnjën që nuk zgjohet,
as kur i përplaset kryet për faqen anësore. "Ka
gjumë të rëndë" thotë Riva H. Asaj nuk
i lëviz ashku i syrit as kur dikush dëshiron me ia pa fytyrën
e mbuluar pjellës së saj. Edhe kur e urojnë "e paç
me jetë të gjatë" ka fuqi me u përgjigjë
"faleminderit". Fytyra e foshnjës nuk zbulohet, por zbulohet
tragjedia shkallë-shkallë. Prej dritares së vagonit të
trenit "Riva H. hodhi përsëri shikimin jashtë. Shiu
nuk pushonte, fusha të kalbura në shi, njerëz të
squllur, pemë të zeza, sorra të zhurmshme, shtylla të
shtrembëra, mullarë të shembur, pellgje të ndyra,
shtëpi si kuti, kuti të zeza si arkivole, arkivolë të
vegjël, një fushë e tërë e mbushur me arkivole
të vegjël, të zinj, fëmijë të vdekur që
hynin nëpër arkivole, arkivole që hynin vetë nëpër
varre, varre që udhëtonin me tren, vdekje që zhvendoseshin
në hapësirë, hapësira të bëra lëmsh
me kohën, vdekje që kanë ndodhur nesër e do të
varrosen dje, treni rraset i tëri në tunel". Brenda kësaj
fjalie me një ritëm tragjik si ai tren me foshnjën e
vdekur në prehër të Riva H. është nyjëtuar
tërë gjëma e nënës së re. Bashkë
me hijen "e vrugët, ngjitëse, veshtullore, torturuese"
(të shkaktarit: cilit është?) që "rrinte pezull
mbi kokat e tyre". Bashkë me përmbysjen (apo thjesht
përzierjen) e kohëve: "vdekje që kanë ndodhur
nesër e do te varrosen dje...". Fjalitë janë tepër
të shkurta. Gjithçka është e kursyer, drita sidomos.
Skenat e errëta përthyhen herë pas here ftohtë,
nëpër vezullime poetike të platinta, që zdritin
disi, po nuk fëshfërijnë. Këto vezullime nuk kalojnë
kurrë në lirizëm. Ndonëse edhe vetë është
"një metaforë e arratisur", autorin e ndjekin pas
pejsazhet bjeshkëtare të dimrit të dyfishtë të
vendlindjes që ka lënë pas. Një ankth kafkian, pa
emër, rri i varur gjithkund. Ndihet prania e tij qysh në titujt:
Engjëj në mjegull, Rrëshqitja, Hija, Ankth, Guri, Poshtërimi,
Qentë, Neveria, Gunga, Uji i varreve, Paemri, Uria, E paftuara...
Këta tituj janë si emrat në dyert e shtëpive, për
të mos thënë si emrat në gurët e varreve (herë-herë
në disa kundraja, a nuk është e njëjta gjë?).
Kush merr frymë prapa dyerëve-gurë ose gurëve-dyer
të këtyre tregimeve? Në njërën anë janë
njerëzit e një regjimi totalitar, ngulfatës, në
anën tjetër viktimat e tij. Palët njëjtësohen
nga emblemat (Lenini, për shembull, në tregimin me të
njëjtin titull), por më shumë nga vetë qenia e tyre
ashtu siç është: e pamëshirshme ose tejet njerëzore
- ata; me dinjitet të heshtur nëpër pusin e vuajtjes
- të tjerët. E të tjerët janë shumë. 'Edhe
një vajzë njëmbëdhjetëvjeçare që
ende s'kupton gjë prej kësaj bote është befasuese
me karakterin e saj. Ajo ha rregullisht bukë me gjalpë përballë
shokut të saj të ngushtë të uritur. Dhe kur s'i
pëlqen, e hedh mizorisht në ferre, diku skaj oborrit të
shkollës, copën me gjalpë e nuk ia jep shokut të
saj të unshëm. Arsyen e zbulon vete një ditë me
dy fjalë të vetvetishme. Djali i zgorfulluar për bukë
me një lloj proteste "pothuaj drejtpërdrejt", pa
anafolë, i reciton një poezi për urinë. Ajo e prekur
shqipton."Unë të dua". Thotë vetëm kaq,
me një protestë të brendshme, nga që ky nuk e ka
kuptuar urine e saj të tjetërfartë. "Elona qe femër
dhe jo një copë bukë ". Ne mënyrën e të
treguarit ka diçka prej stilit të Heminguejit: krejt shkujdesshëm,
ftohtë, me dramën qe vorbullon nën një shpërfillje
të jashtme për rrjedhën e fjalëve. Nën akullin
e përhimtë të kësaj shpërfilljeje dhimbja nxin.
Drama ngjizet me shpërthye fill aty, pak më vonë, vetëtimë
e zeze. Sintaksa e fjalisë është krejt shqipe. Fjalë
të shpërfillura të gjuhës së gjallë, trajta
të shqelmuara, si paskajorja herë-herë, zënë
vendin e natyrshëm të mohuar padrejtësisht. Në zgjidhjet
e papritura ka diçka prej 0'Henrit, pikërisht pakujtimin.
Por zgjidhja nuk vjen si truk. Eshtë logjika e brendshme artistike
që çon në atë zgjidhje, bash kur ti nuk e pret.
Aty kah fundi i viteve tetëdhjetë, Arbër Ahmetaj pati
botuar (në gazetën Zëri i Rinisë) një roman
të shkurtër me titull "Letër nga varri" Kritika
me sa me kujtohet pati heshtur (kritika zyrtare ishte e çoroditur:
ç'kah do të marrë anija e shtetit në stuhinë
e madhe që po afrohej?). Në atë roman të shkurtër
A. Ahmetaj megjithatë trokiste pa pyetur a do t'i lëshojnë
vend ne odën zyrtare të artit.
Me këtë përmbledhje tregimesh ka përsëritur
të njëjtin "gabim": ka hyrë i mvetësishëm,
pa i njoftuar zyrat ose përfaqësuesit e tyre në bashkësinë
e artit. A do të ngërmohet e do të klithë zonja
e potfuqishme PP, PushtetParja me dellin e çuar mbi balle: "Kush
je ti që kërkon të bëhesh shkrimtar pa lejen time!"?
Se kështu klith pa prâ këto kohë zonja PP. Por
klithma e saj ka një veçori të rrallë, të
pashembullt. Eshtë klithmë e shurdhët. E megjithatë
dëgjohet si kurrnjë tjetër dhe është fuqiplotë.
Se klithma e saj është shurdhëri, shpërfillje, përbuzje,
përbetim, bojkot për të gjitha ato talente e vlera që
nuk bëjnë pjesë në listat e fshehta e të hapura
të saj. Në listat e zemrës të zonjës së
pa zemër PP, të zonjës së ftohtë PushtetPare.
Se zonja PushtetPare është njëherësh edhe pronare
e Tempullit të Shenjtë, Shtëpisë sonë të
Madhe të Artit. Bën protokollin e vlerave njësoj ose
afërsisht si dikur, bën protokollin e vlerave duke i shërbyer
tabakët e llamarinave për tabaka të argjendta e xhingla-minglat
për xhevahirë. Ajo, zonja e plotfuqishme e këtij vendi,
PolitParja. Në tryezën e zonjës PP, verërat e zgjedhura
nëpër gota kristaline, përzihen padashje me ujin e varreve
të shkrimtarëve, të atyre që janë varur dje,
të atyre që janë ekzekutuar prej togës së pushkatimit,
në një gurajë të zezë, a në një gojë
përroi. Të atyre që vriten nga pak çdo ditë
sot, prej shoqërisë së institucionalizuar që quhet
shtet, në harrim të plotë, të mënjanuar qëllimshëm.
Vriten dhe as kronikat e zeza nuk e thonë një fjalë për
ta. Sepse edhe kronikat e zeza i kontrollon zonja e plotfuqishme PushtetPare.
Sepse gjaku i shkrimtarëve të vrarë kësisoj është
hyjnor, e shuarja e tyre e ngadaltë nuk lë pllanga në
rrugë. Vriten thjeshtë sepse nuk pranojnë me ia mbushë
bidonin zonjës PP në një burim, rruga e të cilit
shkel përmes varreve...!