LIDHJA
QYTETARE SHQIPTARO AMERIKANE - "PESËMBËDHJETË VITE
MË VONË"
Nga Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare e LQSHA për Çështjet Ballkanike
www.aacl.com
LQSHA si Lob i vetëm Shqiptaro-Amerikan
i regjistruar në Washington D.C.
Kur Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i afrohet, në janarin që
vjen, kremtimit të përvjetorit të saj të pesëmbëdhjetë,
pas një viti të ngjeshur me aktivitete të dendura, unë
besoj se është e rëndësishme që në Ditën
e Flamurit të mendojmë se si Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane
i ka kontribuar zgjidhjes së çështjes kombëtare
të të gjithë shqiptarëve në gjeneratën
tonë. Gjithashtu është e rëndësishme që
të merret në shqyrtim se si Lidhja Qqytetare i ka fokusuar
gjatë vitit që po e lëmë pas energjitë dhe
burimet e saj si një lob vullnetar duke u mbështetur në
sukseset e përpjekjeve të saj të shkuara, si i vetmi
lob zyrtar i regjistruar dhe grup i pavarur në mbrojtje të
çështjes shqiptare në Uashington D.C.
Puna e vazhdueshme e Lidhjes Qytetare
për çështjen shqiptare në vitin 2003, mbase vitin
e saj më të suksesshëm që kur u themelua, e filloi
më 27 janar në Kapitol Hill të SHBA-ve, mu pranë
dhomave të parlamentit, ndërkohë që presidenti Xhorxh
W. Bush po e jepte mesazhin e tij para kombit. Lidhja Qytetare qe grupi
i vetëm nga jashtë, të cilit iu lejua hyrja në këtë
ndërtesë në të njejtën kohë me Presidentin.
Dhe kongresmeni Tom Lantosh, kishte të drejtë kur gjatë
fjalimit të tij para dyzetë anëtarëve të bordit
tonë të drejtorëve dhe përkrahësve kyç,
që ishin tubuar në dhomën zyrtare të pranimit të
Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, atë
mbrëmje tha: "Kjo flet vetvetiu se sa larg ka shkuar Lidhja
Qytetare dhe puna e saj për Çështjen Shqiptare në
Washington, gjatë jetës së saj pesëmbëdhjetëvjeçare.
Ndonëse Bordi erdhi në Kapitol, në radhë të
parë, për ta dëgjuuar presidentin Bush, ai erdhi edhe
për ta kremtuar dhe marrë pjesë në një moment
historik të jetës së Lidhjes Qytetare dhe të Kombit
Shqiptar: siç ishte paraqitje e Rezolutës numër 28
para Kongresit, që u bë po atë ditë nga kongresmeni
i lartë demokrat pranë Komitetit të Kongresit për
Marrëdhënie Ndërkombëtare, Tom Lantosh, në
mbështetje të pavarësisë së Kosovës tani
dhe nga kongresmeni Henri Haid, kryetar i këtij komiteti. Rezoluta,
e cila u bën një analizë gjithëpërfshirëse
të gjitha shkaqeve ligjore, politike dhe ekonomike që provojnë
në mënyrë të qëndrueshme arsyen përse
Kosova e meriton pavarësinë që tani, i përmend poashtu
edhe rreziqet që sjell shtyrja e marrjes së vendimit për
statusin final të Kosovës, për një Kosovë të
qendrueshme e cila do t?i kontribuojë stabilitetit të gjithë
Evropës Juglindore.
Rezoluta 28 e Kongresit e fiton
rëndësinë e saj të posaçme edhe nga fakti
se ajo u paraqit nga liderët më të rëndësishëm
legjislativë Amerikanë për çështjet e politikës
së jashtme në Kongresin e SHBA, të cilët poashtu
punojnë edhe me Shtëpinë e Bardhë në të
gjitha çështjet e politikës së jashtme me rëndësi
të posaçme. Rezoluta është dokumenti i vetëm
legjislativ që promovon njohjen zyrtare të pavarësisë
së Kosovës nga një vend tjetër i botës.
Rezoluta numër 28 e Kongresit
u paraqit katërmbëdhjetë vjet pasi që kongresmeni
i atëhershëm, Joe DioGuardi, u takua me disa nga mbështetësit
e tij kryesorë politikë nga radhët e komunitetit Shqiptaro-Amerikan,
për të formuar Lidhjen Qytetare si një makinë që,
në fund të shekullit të njëzet, do të fillonte
angazhimin dhe përpjekjet e saj diplomatike për të tërhequr
vëmendjen në nivel ndërkombëtar ndaj shtypjes që
po u bëhej shqiptarëve në Ballkan, me theks të posaçëm
në Kosovë. Rezoluta numër 28 e Kongresit nuk do të
mund të paraqitej në vitin 2003 pa ekspertizën profesionale
dhe pa suksesin e lartë të "lobit" (që në
mbarë botën shqiptare është bërë i njohur
si Lidhja Qytetare), në mbështetje të lirisë dhe
të demokracisë në Kosovë, në Maqedoni, në
Mal të Zi, në Preshevë, Shqipëri dhe në Çamëri.
Besoj se në Ditën e
Flamurit është me rëndësi të dihet e të
pranohet se Rezoluta e Kongresit Numër 28 qe produkt i punës
gati dyvjeçare të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane për
thyerjen e heshtjes së imponuar nga komuniteti ndërkombëtar
pas përfundimit të luftës së NATO-s në qershorin
e vitit 1999, qoftë për statusin përfundimtar të
Kosovës, qoftë për realitetet tjera në terren, duke
përfshirë papunësinë që arrin shkallën
mbi 70 për qind, qoftë për vazhimin ?de facto? të
ndarjes së Mitrovicës dhe kriminalizimin e Ushtrisë Çlirimtare
të Kosovës. Ma thotë arsyeja se është me rëndësi
të dihet e të pranohet se Rezoluta Numër 28 dhe seancat
dëgjimore të Kongresit që e pasuan atë, hapën,
si asgjë tjetër më parë, çështjet thelbësore,
të cilave komuniteti ndërkombëtar do të donte t'u
bishtnonte, në mos t'u ikte plotësisht, për të lënë
kështu Kosovën në harresë.
Përmes legjislacionit të
Kongresit, përmes mbrojtjes dhe përkrahjes, përmes misioneve
faktmbledhëse, përmes kërkimeve intensive dhe analizave
të nivelit të lartë shkencor, Lidhja Qytetare, në
fillim të shekullit të njëzet e një ka vazhduar
vizionin e saj të palëkundur për një komb shqiptar
të lirë, të pavarur dhe të sigurt, në nivelet
që nuk janë parë deri më tani. Më 21 maj gjatë
një aktiviteti përcjellës bërë rezolutës
numër 28, Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare
mbajti një seancë të plotë dëgjimore me temën
"E ardhmja e Kosovës", seancë kjo të cilën
e udhëhoqi vetë kryetari Hyde dhe përkrah tij edhe kongresmeni
Tom Lantosh. Pas një hyrjeje domethënëse që bëri
kryetari Hyde, kongresmeni Lantosh bëri një prezantim të
fuqishëm dhe mjeshtëror ndaj politikës së Departamentit
të shtetit në lidhje me "standardet para statusit".
Me këtë rast ai theksoi: "Ata që pohojnë se
duhet vënë 'standardet para statusit' janë duke aplikuar
një standard të dyfishtë për Kosovën".
Kosova, tha ai, e meriton pavarësinë për të njëjtat
arsye që këtë gjë e kanë merituar edhe pjesët
tjera përbërëse të ish-Jugosllavisë.
"Këtë e kërkojnë
siguria, demokracia dhe e meriton vetë drejtësia në kuptimin
më themelor të fjalës" tha më tej Lantosh dhe
për të vënë në spikamë qëndrimin
e tij, në vazhdim kongresmeni Lantosh përmendi dymbëdhejtë
vende me popullsi të përgjithshme nën 100.000 banorë,
vende këto të pavarura dhe të pranuara si të tilla
edhe nga SHBA-të. Gjatë një diskutimi të fuqishëm
me prova me Departamentin e Shtetit, kongresmeni republikan Dana Rorabaher,
pjesëtar i këtij komiteti, theksoi: "Po t'u ishte kërkuar
Shteteve të Bashkuara të Amerikës t'i përmbushnin
standardet para statusit, ne ende do të vazhdonim të sundoheshim
e qeveriseshim nga britanikët". Seanca dëgjimore e datës
21 maj dërgoi një sinjal të qartë edhe në adresë
të komunitetit ndërkombëtar, se megjithëse Departamenti
amerikan i shtetit dhe Unioni Evropian vazhdojnë ta kundërshtojnë
pavarësinë e Kosovës, liderët më të rëndësishëm
të politikës së jashtme në Kongresin Amerikan e
mbështesin këtë pavarësinë që tani.
Me këmbënguljen e kongresmenit
Hyde, pas seancës dëgjimore të 21 majit, Lidhja Qytetare
Shqiptaro-Amerikane u nis për një udhëtim gjithpërfshirës
nëpër tërë Kosovën, nga data 29 qershor deri
më datën 6 korrik, me qëllim që pas kthimit të
raportonte në Kongres gjendjen dhe kushtet që kishin mundur
t'i shihnin atje me sytë e tyre gjatë këtij udhëtimi.
Gjatë këtij udhëtimi, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane,
vuri kontakt me studentë, me nëpunës, veteranë,
njerëz profesionistë, me aktivistë të ndryshëm
e me liderë fetarë dhe me shumë zyrtarë të
politikës në Gjilan, në Podujevë, në Suharekë,
Skenderaj, Pejë, Gjakovë, Prishtinë e Prizren. Tema më
e rëndësishme që doli nga ky udhëtim dhe nga të
gjitha aktivitetiet që u kryen gjatë tij ishte zgjërimi
i vazhdueshëm i hendekut midis versionit zyrtar të realitetit
në Kosovë dhe përvojës që po e jetojnë
shqiptarët e Kosovës me kurrizin e tyre nga dita në ditë,
që përndryshe përbëjnë afër 95 për
qind të popullsisë së gjithëmbarshme këtu.
Peshkopi katolik, Mark Sopi e
përmblodhi për mrekulli sentimentin kombëtar Shqiptar
kur shprehu habinë e tij deri në shtangie ndaj paaftësisë
që po vihet re në radhët e komuniteti ndërkombëtar
për të kuptuar se Kosova "është aleatja e tyre
më e mirë në Ballkan, shoqëria e të cilës,
po t'i njihej pavarësia dhe t'i jepej një ndihmë e caktuar
në investime, do të ia delte mbanë me sukes në mënyrë
shumë rapide". Përveç kësaj, ai e theksoi
me të drejtë dhe shumë saktë se "Kosova në
këtë rajon është burim paqeje e jo burim dhune".
Ndërsa, Adem Demaçi në Prishtinë e lavdëroi
Lidhjen Qytetare për angazhimin e saj efektiv në sfidimin
dhe kundërshtimin e përpjekjeve për ndarjen e Kosovës
apo kthimin e saj të sërishëm nën sundimin e Serbisë.
"Po të kishit vepruar ndryshe, do të kishit gabuar rëndë",
tha ai. "Edhe në qoftë se puna e juaj nuk jep fryt aty
për aty, frytin do ta japë në ndërkohë, hap
pas hapi, se mentaliteti i njerëzve po ndryshon pandërprerë".
Në përputhje me natyrën
e misionit të saj për t'i ndihmuar të gjithë shqiptarët
në Ballkan, Lidhja Qytetare ka mbajtur në Gjilan një
takim të posaçëm me të gjithë liderët
kryesorë politikë e civilë nga Presheva, Medvegja dhe
Bujanoci. Gjatë këtij takimi na u dha rasti të merrnim
konfirmime shqetësuese, sipas të cilave pjesa më e madhe
e kushteve të vëna me marrëveshjen e vitit 2001 me Beogradin,
të asistuar nga NATO-ja, ose po sabotohen ose po shkelen me të
dy këmbët ditën për dritë. Jonuz Musliu, ish-kryesues
i UÇPMB-së, shfaqi dëshpërimin e tij për
praktikën e arrestimeve dhe të dhunës që nga përfundimi
i luftës dhe në fund diskutimin e tij e përmbylli me
një pyetje retorike: "Si mund të jemi pjesë e Serbisë,
kur ajo nuk do të na shohë me sy".
Të ballafaquar me pamundësinë
reale të liderëve politikë të shqiptarëve të
Malit të Zi, të nxitur nga domozdoshmëria për të
mbrojtur interesat Amerikane në politikën e jashtme si dhe
të shtyrë nga angazhimi i Serbisë për ta kthyer
Kosovën me forcë brenda kreaturës së re të
shtetit jugosllav, të emëruar tash Serbia dhe Mali i Zi, Lidhja
Qytetare, në gjysmën e dytë të vitit 2003, ndërmori
një fushatë historike, që e kishte përgatitur gjatë
një viti, për ta ndërkombëtarizuar gjendjen e mjeruar
dhe hallin e madh të shqiptarëve në Mal të Zi. Me
ndihmën dhe përkrahjen e Shoqatës Patriotike të
Krajës dhe të Shoqatës së Anamalit, nga data 30
korrik deri më 4 gusht, së bashku me kongresmenin Tom Lantosh
dhe me bashkëshorten e tij Anetën, udhëhoqëm një
mision faktmbledhës në Ulqin, në Anën e Malit, Krajë,
Tuz dhe në Plavë e Guci.
Kjo qe hera e parë që
ndonjë kongresmen amerikan po u bënte vizitë viseve shqiptare
të Malit të Zi. Përmes organizimit të forumeve me
ekspertë të disa fushave të ndryshme dhe përmes
inspektimeve në terren të kushteve që mbizotërojnë
në komunitet shqiptare, ia dolëm të konfirmonim se angazhimi
i shumicës sllave të Malit të Zi të sponsoruar nga
shteti, për përzënien ose asimilimin e plotë të
popullsisë shqiptare të Malit të Zi, nuk është
çështje dhe material që
i përket vetëm historisë, por është një
realitet tronditës i kohës, i cili kërcënon vetë
ekzistencën biologjike të mëtejmë të shqiptarëve
në Mal të Zi. Kongresmeni Lantosh shprehu ndjenjat e gjithë
delegacionit, në të cilin bënin pjesë edhe anëtarët
e bordit të Lidhjes Qytetare, Luan Bukolla, Shirley Cloyes, Gjergj
Dedvukaj, Xhozef DioGuardi, Adem Dukaj, Sadri Gjonbalaj dhe Marash Nuculaj,
koordinatori i LQSHA, studenti Faton Bislimi, anëtari i Shoqatës
së Anamalit dhe ish-anëtar i parlamenit malazez, Xheladin
Zeneli, zëvendëskryetari i shoqatës së Krajës,
Xhevat Kraja dhe anëtari i bordit të kësaj shoqate, Adem
Cukaj, kur atë që pati rastin ta shihte gjatë kësaj
kohe me sytë e tij e përshkroi me fjalët: "fyerje
dhe mizori kur sheh që në shekullin njëzet e një,
njerëz të civilizuar, (shqiptarët) që jetojnë
në Evropë mund të jenë të diskriminuar aq thellë,
thjesht pse duan të ruajnë trashëgiminë e tyre gjuhësore,
kulturore dhe etnike".
Duke u mbështetur në
ato që dëgjuan dhe panë në Mal të Zi, kongresmeni
dhe bashkëshortja e tij Anetë Lantosh, ranë dakort që
të mbanin një seancë dëgjimore në dhomën
e Kongresit për të drejtat e njeriut, me temën "E
ardhmja e shqiptarëve në Mal të Zi", me qëllim
që vëmendja e "korridoreve të larta të pushteit"
të përqendrohet edhe mbi Malin e Zi. Më 30 tetor, seanca
dëgjimore u mbajt në Komitetin e Kongresit për Marrëdhënie
Ndërkombëtare, dhe ajo u bashkëdrejtua nga kongresmenët
Lantosh e Rorabaher. Dëshmitarë ekspertë gjatë kësaj
seance qenë Dr. Nail Draga dhe Anton Lajçaj (arsimtarë
shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët i ofrun dëshmi
edhe delegacionit tonë gjatë udhëtimit të tij verën
që shkoi), Xheladin Zeneli, ish-anëtar i parlamentit të
Malit të Zi dhe unë.
Delegacioni i Lidhjes Qytetare
mori pjesë edhe në takime që për temë qendrore
kishin dy ngjarje të rëndësishme historike që kanë
ngjarë në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Xhozef DioGuardi
iu bashkua mijëra shqiptarëve në Qafë të Maqedonisë,
me ç'rast mbajti një fjalim në shenjë përkujtimi
për nëntëdhejtëvjetorin e vdekjes së Sulltanes,
vajzës së re shqiptare, që në përfundim të
luftërave ballkanike të viteve 1912 - 1913, vrau me gërshërë
tre oficerë të ushtrisë serbe në shenjë hakmarrje
për vrasjen e babait të saj dhe për masakrën që
kishin bërë ata dhe forcat e tyre mbi të gjithë
meshkujt tjerë të katundit. Në ndërkohë, gjatë
kthimit në Prishtinë, pata fatin të takoja Azem Hajdinin,
njërin ndër personazhët e paktë që i kanë
shpëtuar masakrës së forcave serbo-malazeze të vitit
1945 që vranë mbi 4300 ushtarët antifashistë shqiptarë,
në Tivar të Malit të Zi. Duke qenë dëshmitar
për të vdekurit e për të gjallët, Hajdini është
shembull unikal për gjithë shqiptarët që kërkojnë
dhënien fund të arrestimeve, burgosjeve,torturës, dëbimit
dhe gjenocidit mbi njëqindvjeçar. Para se të kthehej
në SHBA, me një kopje të librit të tij mbi Masakrën
e Tivarit, një shembull që flet për mënyrën
e llahtarshme të trajtimit të shqiptarëve nga malazezët
në të kaluarën, Lidhja Qytetare i bëri Azem Hajdinit
një vizitë të gjatë dhe zhvilloi me të një
diskutim gjithëpërfshirës.
Në këtë ditë
të flamurit, që përkon me përmbylljen e punimeve
të shumta intensive e serioze të Kongresit mbi një mori
të tërë çështjesh të politikës
së brendshme dhe ndërkombëtare, Lidhja Qytetare është
duke planifikuar veprimet e saj më të rëndësishme
për fazën e ardhshme, me qëllim që të sigurojë
mbështetjen aq të nevojshme për pavarësinë
së Kosovës para se të mbahen zgjedhjet presidenciale,
në fund të vitit 2004. Në këtë periudhë
të vështirë historike për kombin e shkapërderdhur
shqiptar prej 15 milionësh, shtatë milionë prej të
cilëve në Ballkan ende po u mohohet liria dhe zhvillimi i
vërtetë ekonomik, ia vlenë të rikujtojmë sërish
thënien e famshme të presidentit Xhon F. Kenedi: "Mos
pyet se çfarë mund të bëjë atdheu për
ty, por parashtro pyetjen çfarë mund të bësh ti
për atdheun tënd".
Besoj se në këtë
Ditë Flamuri, të gjithë shqiptarët, e veçanërisht
500'000 shqiptarët e SHBA-ve, duhet të pyesin veten se çfarë
janë duke bërë për të mbrojtur gjuhën,
kulturën dhe historinë e kombit shqiptar dhe cila është
ndihma e tyre për ndërtimin e një Kosove të lirë,
të sigurt dhe demokratike, si bazament i fuqishëm për
Shqiptarët në Ballkan dhe në botë. Anëtarësimi
i çdo familje shqiptare pranë Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane
në vitin 2004, do të ishte hapi më i qëlluar për
fillimin e mbarë të këtij viti.
Përktheu: Musli Bazhdaraj
Përgatiti për botim: Elida Buçpapaj