Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Shpërndarja e shqiptarëve nëpër Itali

Nga Rando Devole

- botohen për herë të parë të dhënat sipas krahinave italiane -

Në fund të vitit 2002 në Itali jetonin 168963 shqiptarë. Natyrisht bëhet fjalë për ata që janë të pajisur me dokumenta të rregullta, sepse për klandestinët nuk ka ende të dhëna, edhe për faktin se është shumë e vështirë që të verifikohet saktësisht prania e tyre në territor.

Por si janë të shpërndarë shqiptarët nëpër krahinat italiane? Ka më shumë shqiptarë në veri të Italisë apo në jug? Sa shqiptarë ka në krahinën e Lacios apo të Lombardisë? Pyetje të tilla mund të gjejnë përgjigje duke parë të dhënat statistikore që zyra e "Dossier Statistico Immigrazione" e Caritas-it na ofroi ditët e fundit, duke na dhënë mundësinë të botojmë për herë të parë numrat që tregojnë vendndodhjen e shqiptarëve sipas krahinave italiane.

Krahinat ku jetojnë më shumë shqiptarë janë: Lombardia (29.904 shqiptarë), Toskana (20.287), Emilia Romanja (19.119), Piemonte (15.688), Veneto (14853) dhe Pulja (12.581). Krahinat që kanë më pak shqiptarë janë: Sardenja (247), Vale d'Aosta (286 shqiptarë), Molize (527), Bazilikata (1.134) dhe Kalabria (1.277).

Është interesant fakti që, përveç krahinës së Vale d'Aostës, krahinat që kanë më pak shqiptarë i përkasin jugut të Italisë. Ndërsa krahinat e tjera të veriut që kanë më pak shqiptarë janë Friuli Venecia Xhulia (4738), Trentino Alto Adixhe (4750) dhe Liguria (4897), që gjithsesi janë shumë larg nga krahinat jugore për nga prania e shqiptarëve.

Në jug vetëm krahina e Puljas mund të përmendet për nga sasia e konsiderueshme e shqiptarëve. Në këtë krahinë jetojnë 12.581 shqiptarë. Me këtë shifër Pulja arrin vendin e parë midis krahinave të jugut për nga prania e shqiptarëve. Edhe në krahina të tjera të jugut ka shqiptarë. Në Kampania aktualisht jetojnë 3835 shqiptarë, në Abruco ka 4589 shqiptarë, në Bazilikata 1134. Në jug të Italisë krahina që ka më pak shqiptarë është Molize (527).

Ishujt e mëdhenj të Italisë vazhdojnë të kenë pak shqiptarë. Kështu në Sicili në fund të vitit 2002 jetonin 2816 shqiptarë, kurse në Sardenjë, sic shënuam më sipër, vetëm 247 shqiptarë.

Në qendër të Italisë kemi krahinën e Toskanës që me 20.287 shqiptarë zë vendin e parë. Në vend të dytë vendoset Lacio, ku banojnë rregullisht 12.712 shqiptarë. Në këtë pjesë të Italisë ka edhe krahina të vogla për nga sipërfaqja, por me një prani të konsiderueshme shqiptarësh. P.sh. në Umbria ka 6239 shqiptarë dhe në Marke 8484.

Pra është e qartë se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Itali janë përqëndruar në krahinat veriore. Nga disa përllogaritje të vogla rezulton se në veri jetojnë pothuajse 56% e shqiptarëve, në qendër të Italisë përafërsisht 28%, në jug 14% dhe në ishuj rreth 2% të gjithë numrit të shqiptarëve.

Pra në krahinat veriore jetojnë më shumë se gjysma e emigrantëve shqiptarë në Itali. Më pak se një e treta e tyre banon në qendër, kurse në jug e në ishuj jetojnë rreth një e gjashta e numrit total. Ka shumë gjasa që tendenca e përqëndrimit të shqiptarëve në veri të konfirmohet edhe nga shifrat që do dalin pasi procesi i rregullimit (regolarizzazione) me dokumenta të shqiptarëve të mbyllet përfundimisht.

Botuar te gazeta "Bota shqiptare", Itali.



Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003