Komente, analiza, opinione, krijimtarie e emigrantëve, gjithshka që ju shqetëson do të jetë objekt i "Tribuna e Emigrantit Shqiptar". Kontaktoni TESH

  • Klubi albemigrant (së shpejti...)
  • Arshiv

Gjeorgji-Shqipëri: Tre barazime?

Nga Eduard Zaloshnja


Në përballjen e fundit futbollistike me Gjeorgjinë, Shqipëria u paraqit si e barabarte me të - fitoi në Tiranë dhe humbi në Tiblis. Edhe për sa i përket korrupsionit në administratë, Shqipëria deri më sot është e barabartë me Gjeorgjinë - të dy vëndet kanë pothuajse të njëjtën renditje në tabelën e klasifikimit europian. Dhe kohët e fundit, nuk kanë munguar në median shqiptare hamëndjet që parashikojnë se ajo që ndodhi politikisht në Gjeorgji (ku Eduard Shevardnadze pranoi të ribëhen zgjedhjet pas protestave popullore) do të ndodhë edhe në Shqipëri.
Këto hamëndje të kujtojnë ato të fillimit të vitit 1997, të cilat parashikonin se ajo që kishte ndodhur në Bullgari (ku qeveria kishte dhënë dorëheqjen në mënyrë paqësore pas protestave popullore) do të ndodhte edhe në Shqipëri. Dhe ashtu si parashikuesit e atëhershëm, edhe të sotmit bëjnë të njëjtin gabim logjik - krahasojnë dy fenomene të ngjashme nga forma, por krejt të ndryshme nga përmbajtja.
Ajo që e bën thelbësisht të ndryshme situatën aktuale shqiptare nga ajo gjeorgjiane, është mungesa e një udhëtimi të Xhejms Bejkerit në kryeqytetin shqiptar para zgjedhjeve të fundit. Në takimin që pati në Tiblis para zgjedhjeve me ish-kolegun e tij Shevardnadze, Bejkeri mori premtimin se do të lejoheshin vëzhguesit e OSBE-së të merrnin pjesë në numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe premtimin se do të lejohej OSBE-ja të zhvillonte sondazhe anonime me votuesit menjëherë pas daljes së tyre nga qëndrat e votimit.
Dhe ishin pikërisht këto dy premtime, dhënë të dërguarit special të presidentit Bush, që devijuan rrënjësisht rrjedhën e ngjarjeve në Gjeorgji, ku, duke përjashtuar zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit, ish-komunisti Shevardnadze (ashtu si ish-komunistët Berisha dhe Nano) kishte arrtur t'i manipulonte vazhdimisht zgjedhjet. Kësaj here, ndryshe nga herët kur praninia e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe protestat e opozitës nuk kishin pirë ujë, OSBE-ja, nëpërmjet numërimit të drejtpërdrejt të votave dhe sondazheve të kryera menjëherë pas votimit, ishte në gjëndje të nxirrte në shesh magnitudën e saktë të manipulimit. Në këtë mënyrë, ajo i hoqi Shevardnadzes mundësinë të përdorte spiegimin standart që kishte pas servirur për protestat e opozitës - të qënit e saj sherrxhie.
Për fat të keq të Shqipërisë, prezenca e OSBE-së në Tiranë, ndryshe nga ajo në Tiblis, nuk i numëroi vetë votat në qytetet ku opozita pretendon se iu hoq arbitrarisht fitorja nga dora. Në këto kushte, pavarsisht se ka deklaruar që zgjedhjet patën probleme në këto qytete, OSBE-ja nuk mund ta përcaktojë në mënyrë të pavarur magnitudën e këtyre problemeve, pra në se ekzistenca e tyre e ka përmbysur rezultatin real. Dhe ajo nuk mund të nxjerrë një konkluzion të saktë duke u bazuar te Dhalesat e Berishës, të cilët në vitin 1996 u treguan aq të babëzitur në manipulim votash sa të prodhonin një fitore 90 e ca për qindëshe, apo te Çelibashët e Nanos, që në vitin 2001 u treguan aq të pafytyrë sa të prodhonin fitore të tipit "Dushk".
Pikërisht për këtë arsye, protestat aktuale të Berishës nuk mund të sjellin atë që ndodhi në Gjeorgji pas pushtimit të parlamentit nga opozita. Opozita gjeorgjiane triumfoi sepse, e konfirmuar si fituese reale nga OSBE-ja, pati mbështetjen e plotë nga shtetet e mëdha euro-atlantike. Por fatkeqsisht, Berisha ka treguar se jo gjithmonë ka qënë në gjëndje të vlerësojë rëndësinë e mbeshtetjes euro-atlantike në raste të tilla. Prandaj, ngelet t'i lutemi Zotit që këto ditë protestash, ish-presidenti të mos tentojë të përsërisë ndonjë 14 shtator tjetër, i cili do të sillte vetëm shkatërrim, si për partinë e tij, ashtu edhe për Shqipërinë.
Ndërsa për të ardhmen, nuk do të ishte keq sikur Zoti, ashtu si në Tiblis, të dërgonte edhe në Tiranë ndonjë Bejker para zgjedhjeve. Që më së fundi të shpëtonim së dëgjuari se zgjedhjet i fituan të dyja palët…



Na shkruani printo artikullin dėrgo kėtė artikull


Na mbėshtesni dhe Ju !

 
© albemigrant.com 2003