Rringjallja
e historisë, kryqëzuar në eshtrat
e të parëve
Nga Evis Qaja
O Flamur gjak, o flamur shkabë
O vend e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë
Flamur i kuq, flamur i zi.
Shoqëria nuk ka vetëm
një funksion shtypës, por përfshin në tërësi
dhe funksionin krijues. Natyra e njeriut, pasionet e tij dhe ankthi,
janë një prodhim i qytetërimit; megjithëse vetë
njeriu është krijimi më i rëndësishëm
dhe fiton nga përpjekja e vazhdueshme e njerëzimit, tregimet
e të cilit quhen histori.
Përse nga një epokë historike në tjetrën ndodhin
disa ndryshime të dukshme në karakterin e njeriut? Përse
shpirti i Rilindjes është i ndryshëm nga ai i Mesjetës?
Të gjitha këto pyetje trazohen në logjikën time
ditën e enjte më 27 nëntor - të mbledhur me rastin
e Pavarësisë Kombëtare. Është pikërisht
Konsullata shqiptare në Selanik, e cila organizoi këtë
aktivitet, duke mbledhur në ambjentet e hotelit "Holiday Inn"
mjaft intelektualë shqiptarë, artistë, poetë, kryetarë
shoqatash, përfaqësues të konsullatave të ndryshme,
politikanë shqiptarë etj.
Në qendër të asaj salle qëndronte i shpalosur flamuri
shqiptar. S'di pse ndjeva një lloj ngrohtësie të brendëshme
- thua se më ëmbëlsoi në shpirt ngjyra e kuqe në
kontrast me të qenit i pranishëm mes të gjithë të
ftuarëve. Nuk është vetëm njeriu që mbetet
prodhim i historisë, pasi dhe historia është prodhim
i njeriut.
Më ngacmon ajo sallë e mbushur - sikur flirton brenda meje
një fare dëshire për të treguar jo vetëm se
si ndryshojnë dhe zhvillohen pasionet për të qenë
i lirë si rezultat i proçeseve shoqërore, por edhe
se si energjia njerëzore e modeluar kështu në forma specifike
bëhet nga ana e saj forca produktive, që plazmon proçesin
shoqëror.
Flamur që lint Shën
Kostandinin
Pajton Islamin e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin
Flamur bujar për Njerëzi
Në një fjalor mitologjik
kushtuar kulturës folklorike nga Robert Elize nënvizoj një
fragment: " Dihet se molosës së lashtë i vunë
Pirros, prijësit të tyre legjendar emrin shqiponjë."
Në një version të mitologjisë thuhet se kur dikush
e kishte lavdëruar Pirron për lëvizjen e shpejtë
të ushtarëve të tij, ai shprehet se ky fakt ishte i natyrshëm,
sepse ata ishin bijt e shqipes. Në një version tjetër,
kur ushtarët e Pirros i lavdëruan aftësitë e tij
dhe e quajtën shqiponjë ai tha se ata ishin puplat në
krahët e tij....
Thua se dhe ne mbetemi pjesë puplike e kësaj shqiponje të
varur në mes të sallës?
Për mua, qëndrimi i veshur zyrtarisht në këtë
mbrëmje, më ngacmon një prag, tej të cilit mosplotësimi
është i palejueshëm. Madje kur ky prag do të kapërcejë
prirjen për ta përmbushur, nevoja njerëzore mer karakterin
e një nxitjeje të pafrenueshme.
Më ngjallen në mënyrë improvizuese, luftrat e vazhdueshme
të popullit shqiptar - etapat në të cilat i duhej të
tërhiqte "amokun" e vetvetes.
Mes gjakrash, dyndjeve, ecejakjeve, përballimit utopik - më
kthen padashur si kalorës i një kohe pakthim. Qysh në
lindje njeriu e gjen tashmë të përgatitur skenën,
kjo do të thotë se i duhet të pranojë në kushte
dhe mënyra të veçanta në përcaktimin e një
"lapsusi kohor".
Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnet për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri
E nevoja e pamposhtur për
të shmangur izolimin moral, ka qenë brenda dejeve të
paraardhësve tanë.
Një mbrëmje solemne - fushë e përgjakur ; kostume
uniformë njerëzish - veshje të grisura; gra të mbështetura
tek partnerët e tyre - gra ku gjiri i tyre nuk ka tambël për
fëmijën.
Më paralelizohen këto stema dykrenare, sikur shëmbëlltyra
e të qenit jokoherent më shtyn drejt premisave në humbjen
e relikës shqiptare. Nuk mund ta pranoj! Intuita im si Evis më
trajtëson brenda atij flamuri të ndodhur në mes të
sallës.
Ne, të cilët ndodhemi larg, jo se bëhemi utopistë
nacionale, por përkundrazi kjo ëmblëmë e historisë
sikur rikthehet më e ngjeshur brenda të kaluarës sonë,
në kraharorë të shtrënguar.
" Ne duhet të jemi përherë të bashkuar, pavarësisht
se shqiponja është dy-krenare " shprehet konsulli shqiptar
z. Ilirian Zhupa.
Për fisnikët shqiptarë të bashkuar rreth Gjergj
Kastriotit shqiponja përfaqësonte bashkimin e tyre në
luftën kundër hordhive aziatike.
Në kohën e Rilindjes Kombëtare ajo përfaqësonte
bashkimin e shqipëtarëve pa dallim feje dhe krahine. Duke
simbolizuar kështu bashkimin gego- tosk.
Tashmë më duket vetja si person i demodeluar, që përpiqem
të parashtroj në ashtin e të parëve tanë dëshirat
dhe revoltën . Gjithsesi jam dhe unë gen i një kohe të
palimittë, që ndonëse në një sallë lluksoze
më ngjan dhe më kap brenda fytit dëshira për të
qenë e lirë.
Ndihem! Si një copëz Shqipërie e improvizuar në
kthinat e këtij qyteti, diskutohen mes të ftuarëve problemet
ekzistuese, dëshira për t'u unifikuar gjithmonë e më
shumë në boshtin e së vërtetës laike, pa gjurmë
e një historie të çalë. Në të vërtetë
në konturet e realitetit modern, të një logjike që
kërkon të dalë maturisht prej caqeve të marshimeve
të panumërta - njeriu fiton hap pas hapi një liri gjithmonë
e më të madhe, në kuptimin e shkëputjes nga njësia
fillestare me njerëzit e tjerë dhe me natyrën dhe në
të bërit gjithnjë e më tepër një "
individ ".
Nuk ka përpara vetes alternativë tjetër, veçse
të bashkohet me botën në spontanitetin e dashurisë
dhe të veprimtarisë prodhuese ose ta kërkojë sigurinë
në lidhje me botën për ta shkatërruar lirinë
e tij dhe integritetin e qënies së tij individuale.
Unë, dëgjoj këtu - sonte, mes përplasjes së
gotave të të ftuarëve - ushëtimin, kuajt, drithërimat
e një epoke që vjell gjak prej vetvetes për të na
dhuruar si një perzm të eshtrave
lirinë e dy krenave
shqiptare.