Edi Rama:
Vetëm zjarrfikës apo edhe rindërtues?
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Që nga dita kur Edi Rama shpalli kandidaturën e tij për
kryetar të PS-së, komentet rreth një fitoreje të
mundshme të tij kanë konvergjuar në të njëjtën
pikë - të gjitha parashikojnë se ai ka shanse të
vogla për sukses. Por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me
komentet rreth motiveve që e shtynë Ramën t'i futej garës
- ato mund t'i gjesh përgjatë një spektri të gjërë
hipotetik.
Ndër këto komente, si zakonisht, spikasin ato të bazuara
në teori konspirative, të cilat zakonisht lindin nëpër
kafenera, dhe pastaj, bëjnë si bëjnë, e gjejnë
rrugën deri tek ndonjë artikull apo bisedë televizive.
Sipas këtyre teorive, Rama, në zbatim të një pakti
të fshehtë me Nanon, u fut në garë ose për
të thithur një pjesë të votave të Meidanit,
ose thjesht për të legjitimuar kongresin pasi një Meidan
i dëshpëruar të tërhiqej nga gara.
Dhe meqë fill pas publikimit të kandidaturës së
Ramës, KQZ shpalli fitoren e tij në garën bashkiake,
nuk munguan edhe komentet që e shihnin sfidën kongresuale
të Ramës thjesht si një diversion që po i bëhej
Nanos për t'i shtrënguar pak vidat Çelibashëve
sorrollatës. Sipas këtyre komenteve, sapo ankimimet e Ngjelës
të mbyllin kursin e tyre legal, Rama do të mbetet në
garë vetëm cermonialisht.
Kurse shumica e komenteve është përqëndruar në
atë që vetë Rama shpall vazhdimisht si motivin e kandidimit
të tij - shmangien e një fitore shumë të mundëshme
të Berishës në zgjedhjet e ardhëshme. Sipas këtyre
komenteve, Rama, duke parë që ka rënë një zjarr
i madh në shtëpinë socialiste (pjestar i së cilës
jo zyrtarisht ka qënë që në fushatën zgjedhore
të vitit 2000), mori përsipër ta shuajë atë
përpara se dëmi të bëhet i pariparueshëm. Dhe
mënyra se si ai, sipas tyre, synon ta arrijë këtë
gjë, është nëpërmjet zgjimit të anëtarëve
të thjeshtë të familjes, të cilët deri më
sot kanë mbetur si të paralizuar nga sherret midis krerëve.
Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe komente të tipit
"socialistët do të shkojnë sërish drejt një
kongresi ku nuk pritet ndonjë ndryshim, ku bazarakët do të
votojnë përsëri Nanon, e pastaj prapë krizë
në qeverisje, e pastaj prapë zgjedhje, e pastaj prapë
mospranim i zgjedhjeve, e kështu me radhë". Këto
komente, praktikisht, e konsiderojnë motivin që ofron publikisht
Rama si jo-ekzistent, ndërkohë që nuk tentojnë të
japin ndonjë spiegim tjetër për kandidimin e tij.
Dhe tani, le të kthehemi tek komenti që autori i këtyre
rreshtave bëri fill pasi Rama deklaroi se "çdo anëtar
duhet të ketë të drejtën të zgjedhë e
të zgjidhet". Ai koment vinte në qëndër te
objektivave të Ramës atë të transformimit të
PS-së në një parti elektorale moderne, ku anëtarët
e thjeshtë të kenë mundësinë të zgjedhin
krerët drejtperdrejt dhe jo nëpërmjet delegatëve
që blihen kollaj. Por me kalimin e ditëve, kandidati Rama
nuk e përmëndi më atë ide kaq tronditese për
politikën shqiptare të krimbur nga klientelizmi. Kjo të
lë të dyshosh në se, kur tha ato fjalë për
anëtarët e thjeshtë, Rama kishte vërtet në
mëndje modelin e partisë me demokraci të drejtpërdrejtë.
Dhe në mënyrë të përmbledhur, ky dyshim mund
të shprehet në formën e pyetjes: A do të jetë
Rama vetëm një zjarrfikës, apo do të jetë edhe
rindërtues i shtëpisë socialiste?
Përgjigjia më e mundëshme është se ai, duke
qënë i fokusuar në shuarjen e zjarrit, nuk ka shumë
kohë të mendojë edhe për rindërtimin e shtëpisë
që sot është mbërthyer nga flakët. Ky spiegim
presupozon që Rama, në qoftë i suksesshëm në
shuarjen e flakëve midis krerëve aktualë të partisë
së tij (duke dalë vetë në krye të saj), do
t'ia lërë të ardhmes rindërtimin e partisë
sipas modelit "çdo anëtar duhet të ketë të
drejtën të zgjedhë e të zgjidhet".
Një hamëndje e tillë është e arsyeshme po të
kihet parasysh se Rama e ka adoptuar filozofinë moderne të
funksionimit të partive perëndimore që në kohën
kur qeverisja e Shqipërisë komandohej nga Komiteti Qëndror
i hekurt. Rjedhimisht, mendja ta do se ai nuk do të pranonte të
udhëhiqte gjatë një parti me strukturë organizative
të trasheguar nga partia me Komitet Qëndror të hekurt,
e cila nuk do të ndryshonte fare nga struktura e partisë së
armikut të tij të betuar, ish-sekretarit të organizatës
bazë Sali Berisha.
Dhe në qëlloftë që Edi Rama të fitojë,
për të mirën e demokracisë së brishtë
shqiptare, dhëntë zoti që kjo hamëndje të dalë
e saktë